“Ke dy dosje”, Basha i përgjigjet Berishës: Lëri trillimet, PD është aleate e SHBA-së

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha i është përgjigjur Sali Berishës, i cili pasditen e sotme nga Librazhdi e akuzoi se po shkon në SHBA (vizitë e paralajmëruar) me dy dosje të rënda, çështjen e lobimit dhe atë të “Toyota Yaris”.

Lideri i PD-së thotë se Sali Berisha po riciklon Edi Ramën duke e shoqëruar reagimin në Twitter me videon e akuzave që kryeministri i bëri pak ditë më parë nga foltorja e Kuvendit për çështjen e dosjes “Toyota Yaris”.

“I keqardhur sa poshtë ka rënë Sali Berisha që riciklon akuzat e Edi Ramës. Sali Berisha me asnjë trillim nuk do ta bunkerizojë PD për interesat e tij personale. PD është dhe do të jetë përjetë aleate e SHBA dhe askush nuk mund ta shndërrojë në mburojë të interesave personale” shkruan ai.