Kavajë / Sakja nuk lëshon zyrën, gati zbarkimi nga Tirana

Plani i demokratëve për të mos lëshuar zyrat e Bashkive që drejtohen prej përfaqësuesve të tyre, në shenjë mospranimi të zgjedhjeve vendore të 30 qershorit, deri tani nuk është përmbushur.
Pas njësisë vendore të Devollit, ku u konstitua Këshilli Bashkiak dhe kryebashkiaku i ri, Eduard Duro dëpërtoi forcërisht në ambientet e Bashkisë, përplasja mendohet se do të zhvendoset në një bastion të demokratëve, siç është qyteti i Kavajës, ku kryebashkiaku në detyrë, Isa Sakja, është shprehur se nuk do të tolerojë aspak socialistët.
Sipas informacioneve të siguruara në rrugë jozyrtare, në Kavajë pritet të mbërrijnë prefektja e Tiranës, Suzana Jahollari, kryetari i qarkut, dhe përfaqësues të tjerë të qeverisë, të cilët do të kujdesen që të zbatojnë “porosinë” e dhënë nga kryeministri Edi Rama në mbledhjen me drejtuesit e 4 qarqeve të veriut, që deri më datë 15 gusht të jetë kryer konstituimi i të gjitha Bashkive të vendit.
Nga ana tjetër, opozita në Kavajë është organizuar për të mos lejuar “pushtimin e bashkisë”, sikundër trajtohet procesi i marrjes së zyrave pas 30 qershorit.