“Katërkëndëshi i përgjegjësive”.Basha i përgjigjet Metës:“Trekëndëshi i Bermudës”mbron interesat e veta,

Lulzim Basha bëri bujë me deklaratën e tij mbi “Trekëndëshin e Bermudës” dy javë më parë në Kuvend duke sulmuar njëkohësisht Sali Berishën; Edi Ramën dhe Ilir Metën, të cilët sipas tij janë duke luftuar kundër interesave të shqiptarëve për të mbrojtur interesat e tyre.

Presidenti Ilir Meta iu përgjigj dy netë më parë Bashës për deklaratën e bërë duke theksuar se kryedemokrati kishte bërë katër gabime të mëdha gjatë drejtimit të partisë dhe opozitës, të cilat sipas kreut të shtetit kanë ndikuar keq për shqiptarët.

Meta tha dy netë më parë se problemi i vërtëtë ishin ato që ai i quajti “Katër Përgjegjësitë e Bashës”: Bojkoti i reformës territorial; Bojkoti i reformës në drejtësi; Djegia e mandateve; Zerimi i pushtetit vendor.

I pyetur nga gazetari i ABC Juxhin Mustafaraj për deklaratën e Metës, Basha tha se trekëndëshi i Bermudës nuk janë thjesht tre persona, por është kultura e pandëshkueshmërisë, është bashkëpunimi i politikës me krimin, s’ka rëndësi nëse është për të marrë pushtetin apo kur je në hall edhe kur je në opozitë dhe është përqendrimi putinist i ekonomisë në duart e oligarkëve.

 

Pyetje:

Juxhin Mustafaraj ABC: Zoti Basha, një pyetje të fundit. Në kulmin e betejës tuaj me Sali Berishën, pak javë më parë nga foltorja e parlamentit, ju folët për një “Trekëndësh të Bermundës”, ose trekëndësh të së keqes për shqiptarët, ku le të themi hapët një front të ri beteje edhe me presidentin e republikës, Ilir Meta. Ndërkohë, që dy ditë më parë, Ilir Meta i shtoi dhe një kënd krahasimit për ju dhe foli për një katërkëndësh të vendimeve tuaja, të cilat kanë cenuar integritetin, por edhe pozitat tuaja si kryetar opozite, duke përfshirë djegien e mandateve, braktisjen e zgjedhjeve vendore dhe vendime të tjera. Keni ju një koment për të?

Përgjigje:

Lulzim Basha: Vendimi i Partisë Demokratike është fare i qartë. Dhe sa i takon çështjes së mendimit ndryshe, mendimi ndryshe është respektuar në Partinë Demokratike gjatë 8 viteve që unë kam qenë kryetar si asnjëherë më parë.

Por një gjë është mendimi ndryshe dhe një gjë është identiteti i Partisë Demokratike. Identiteti i Partisë Demokratike nuk mund të jetë ndryshe përveçse Pro perëndimorë, pro Amerikan. Kjo nuk është çështje e mendimit ndryshe. Statuti i Partisë Demokratike është i qartë, nuk është çështje opinionesh. Pretendimi për fraksione, është një pretendim i rremë, bëhet fjalë për klane. Klane përfituesish të 8-vjeçarit të parë të qeverisjes së Partisë Demokratike që tani janë kthyer me lugë në brez, shumë prej tyre nga Kanadaja, Anglia, Amerika, pasi kanë përfituar dhe janë zhdukur në 2013-ën, i shohim në radhën e parë duke shfrytëzuar prapë sakrificën dhe zemërimin apo marrëzinë e shumë demokratëve për masakrën zgjedhore të 25 prillit, me shpresën se do të futen në një tjetër gosti ku përsëri duke shkelmuar mbi sakrificën e demokratëve, të pasurohen e të vazhdojnë ta bëjnë rrush e kumbulla sakrificën e demokratëve.

Pra, nuk bëhet fjalë për ide konstruktive, fraksionesh e të tjerë sepse Partia Demokratike, jo vetëm ka lirinë e mendimit po si asnjëherë më parë përmes programit të saj dhe përmes përfshirjes në grup parlamentar dhe në çdo instancë drejtuese ka treguar se është një parti e të përndjekurve, është një parti e pronarëve, është një parti e rinisë, është një parti e sipërmarrjes në tërësi dhe sipërmarrjes të vogël e të mesme në veçanti mbi parimet e konkurrencës dhe jo të monopoleve.

Është një parti e fermerëve, si një shtyllë e rëndësishme e ekonomisë dhe e shoqërisë konservatore. Pra, le t’i dallojmë klanet nga fraksionet.

Parti klanesh do të thotë përçarje e partisë, nuk janë këto fraksionet, ndërsa mendimi ndryshe dhe përfaqësimi brenda Partisë Demokratike i gjithë këtyre interesave tashmë po ndodh dhe do të vazhdojë të ndodhë dhe kjo është forca e re, forca e rigjetur e Partisë Demokratike për t’i dhënë zë të gjitha shtresave shoqërore.

Të gjitha këto shtresa shoqërore, për të ardhur tek pyetja juaj e fundit, e kuptojmë fare mirë se ka tre dekada që tranzicioni nuk merr fund, nuk përmbyllet e nuk përmbyllet, zgjatet e stërzgjatet. Arsyeja është fare e thjeshtë sepse një kastë e vogël njerëzish kanë shkelmuar interesat bazë të një shoqërie demokratike, zgjedhjet e lira, konkurrencën e lirë, zbatimin e ligjit. Zgjedhjet vidhen nga një grusht pushtetarësh me një grusht kriminelësh e oligarkësh.

Ekonomia shkatërrohet, bizneset e vogla falimentojnë, bizneset e ndershme falimentojnë, njerëzit shpunësohen sepse pushteti e ka putinizuar ekonominë dhe e ka drejtuar të gjitha resurset e pasura të Shqipërisë te një grusht oligarkësh dhe më e keqja, dhe kjo është pjesa e tretë e një trekëndëshi të ngjashëm me trekëndëshin e Bermudës, nuk kanë ndëshkueshmëri.

Ka një karusel që vërtitet, janë të njëjtët oligarkë, të njëjtët kriminelë që përfitojnë, është i njëjti popull, të njëjta shtresa, të përndjekurit, pronarët, sipërmarrësit, rinia, intelektualët, profesionistët, shtresa e mesme, fermerët të cilët vetëm dëmtohen ekonomikisht, nga pikëpamja shoqërore, detyrohen të emigrojnë.

Beteja e Partisë Demokratike është pikërisht me këtë trekëndësh të pushtetit të korruptuar, të krimit të organizuar, të oligarkisë dhe në këtë pikëpamje çdokush që është për interesat e veta personale, cilado qoftë zanafilla e këtyre interesave personale, shpallja non grata apo çfarëdo interesi tjetër që nuk rreshtohet me shqiptarët kundër këtyre tre fenomeneve, patjetër që është në vetvete një trekëndësh problematik për shqiptarët, një trekëndësh Bermude dhe përballë do të jetë jo vetëm Lulzim Bashën si kryetar të Partisë Demokratike, jo vetëm mua, po do të ketë Partinë Demokratike dhe gjithë këto forca shoqërore, të cilat sot më shumë se kurrë, e kanë kuptuar që ka patur pakte të hapura dhe të fshehta për të ruajtur këtë status quo tashmë 30 vjeçare.

Ky është tranzicioni që nuk merr fund dhe në këtë kuptim, trekëndëshi i Bermudës nuk janë thjesht tre persona, por është kultura e pandëshkueshmërisë, është bashkëpunimi i politikës me krimin, s’ka rëndësi nëse është për të marrë pushtetin apo kur je në hall edhe kur je në opozitë dhe është përqendrimi putinist i ekonomisë në duart e oligarkëve.

Përballë ka vetëm një forcë; po nuk është as e vogël, as e dobët është forca më e madhe, është forca që rrëzoi komunizmin dhe hapi dyert e Shqipërisë, e çoi në NATO, e çoi në lëvizjen e lirë të Europës, do ta çojë drejt idealit europian të një shoqërie të lirë ku pakica të mos diktojë shumicën, ku pakica të jetë pakicë, e respektuar sa i takon brenda ligjit dhe Kushtetutës po ku shumica të jetë në gjendje të ndërtojë një jetë normale, me dinjitet, me punë sipas ligjeve, Kushtetutës dhe moralit njerëzor, në shtëpinë e vet, pa u detyruar të largohet nga shtëpia e vet.