Kanti, mendja brilante solli dritën në filozofinë botërore

 

Nga Ervina Toptani*

Një pjesë të studimit tim po e ndaj me ju, për kënaqësi e për pak variacion.
Një nga kryeveprat më të rëndësishme të të gjithë historisë së filozofisë është “Kritika e arsyes së kulluar” të Kantit. Pse kjo vepër është kaq e rëndësishme? Sepse ajo mbyll në njëfarë mënyre epokën moderne duke u shënjuar si pika kulmore dhe sinteza e të gjithë mendimit modern njëherësh. Ajo është përfundimi teorik më i lartë i iluminizmit.
Me këtë vepër Kant, në të vërtetë mbyll epokën moderne dhe atë të iluminizmit por me “Kritikën e arsyes praktike” dhe mbi të gjitha me “Kritikën e gjykimit” ai çel epokën romantike. Jo më kot Kant-i është quajtur si Janusi (Zoti i Paqes dhe i Luftës i cili kishte dy fytyra) dhe Kant sikurse Janusi shfaq njëherësh në vetvete dy aspekte: atë drejtuar iluminizmit të shekullit të 17 dhe atë të romanticizmit të shekullit të 18, dmth mbyll një epokë të madhe mendimi por hap një tjetër po aq të rëndësishme. Iluminizmi përbënte lartësimin e shkëlqimit të arsyetimit, forcës shndritëse të arsyes nëpërmjet të cilit pothuajse gjithë historia e mëparshme ishte “dënuar” si obskurantiste. Domethënë kjo rrymë, e imagjinuar si një lloj “gjykate” (siç e quan vetë Kant-i) autoritetin e tradicionales, fesë, politikës etj i kishte vlerësuar si obskurantiste. Me Kantin, përpara “gjykatës së arsyes” kalon vetë arsyeja. Dmth arsyeja vihet përpara “gjykatës së arsyes” në mënyrë që të vlerësohet kapaciteti i saj njohës, i dijes.
Kant-i ka shpjeguar qartë nëpërmjet arsyetimit të tij brilant se ai nuk njeh asnjë autoritet më të lartë sesa autoriteti i arsyes, dmth vetëm arsyeja mund të gjykojë vetveten. Në këtë kuptim filozofia e tij përbën dhe pikën kulmore të iluminizmit. Por kjo filozofi në vetvete paraqet një karakter të veçantë që të gjithë e njohim në ditët e sotme e që quhet kriticizmi (kritika, e thotë vetë titulli i veprës së tij). Shpesh ky term është keqkuptuar, edhe në përdorimin që ka marrë në fusha të ndryshme e në të folurin e përditshëm dhe duket sikur diçka e keqe do të thuhet apo diçka do të vlerësohet negativisht por në fakt çfarë është kriticizmi? Asgjë më shumë sesa vlerësimi kritik i aftësive njohëse të arsyes, ekuilibri kritik i saj.
Kanti nuk përbën vetëm pikën kulmore e përmbyllëse të iluminizmit por shënjon në mënyrë akute epokën moderne sepse filozofia me Kantin, nuk merret më me botën, me realitetin, me natyrën, me objektin, filozofia me këtë gjigand fillon të merret me subjektin njohës. Kështu me kriticizmin Kantian përmbyllet parabola e spostimit të qëllimit të filozofisë nga objekti, natyra etj tek subjekti njerëzor, tek njohja, dija, arsyeja. Ky spostim vjen në mënyrë të vazhdueshme gjatë gjithë epokës moderne, dilet nga dyshimi duke u përqëndruar tek subjekti, tek intelekti, tek mendja, arsyetimi mbi të cilin me Kantin arriti kulmin e saj. “Uni – thotë Kanti – është “ligjvënësi” i natyrës, dhe njohja e kësaj të fundit dhe gjithçkaje tjetër realizohet nëpërmjet këtij subjekti, nëpërmjet kapacitetit të njohjes së arsyes së unit (njeriut).
Kanti zhbllokon krizën që ishte formuar që prej dy shekujsh tashmë, shek 16-të e 17-të, që ishte vendosur mbi metodën empirike e mbi atë racionaliste sepse në përgjithësi të gjitha figurat dhe mendjet e mëdha të mendimit modern që kanë jetuar në këto dy shekuj kanë qenë të ndarë kryesisht në këto dy rryma kryesore. Këto dy mënyra ishin caktuar për t`i dhënë shkencës metodën e fortë ku epoka moderne të ishte metoda e shkencës. Por të dyja këto rryma mendimi, empirizmi dhe racionalizmi në fund të shekullit të 17-të po fundoseshin dhe ishte Kanti ai që e zhbllokoi këtë situatë krizë po themi, në fushën e shkencës së mendimit.
Pse empirizmi dështoi? David Hume, empirisiti i fundit anglez (skocez në fakt) pohoi se ai kishte arritur në skepticizëm që do të thotë se kishte arritur në përfundimin se nuk ekzistonte asnjë e vërtetë e pastër, e kulluar. E natyrisht diçka e tillë për shkencën ishte vërtet një katastrofë. Sepse shkenca ka si objektiv të sajin kryesor të mbërrijë tek të vërtetat universale e të domosdoshme që të gjithë njerëzit të mund t`i ndajnë e mund t`i përdorin objektivisht.
Po përse empirizmi kishte arritur deri aty sa të shkonte deri në skepticizëm? Sepse siç e thotë dhe vetë fjala (empirizëm do të thotë përvojë e ndjeshmërisë) empirizmi bazohej në njohuritë e veçanta, konkrete e të përveçme të shqisave e së bashku me metodën induktive të njohurive të veçanta e të njëtrajshme të shqisave në procesin e abstraksionit arrihej në koncepte apo ide të karakterit më të përgjithshëm, sepse siç dihet metoda induktive shkon nga e përveçmja tek e përgjithshmja. Ajo nis nga njohuria sensitive por kjo është një pikënisje e gabuar sepse njohuria sensitive është e gënjeshtërt dhe variabël nga një individ tek tjetri por edhe tek vetë individi është e ndryshueshme nëse ky i fundit gëzon gjithë kohës shëndet të plotë mendor apo jo.
Të nisesh nga një piedestal i tillë do të thotë të nisesh nga një pikë e lëkundshme që nuk lejon asnjëherë të arrihet tek universialiteti. Duke bërë së bashku shumë njohuri empirike, shqisore nuk arrihet tek universalja por shkenca kërkon pikërisht këtë të fundit, një “ligj” që të jetë i vlefshëm për të gjithë. Kështu empirizmi ishte kthyer në skepticizëm dhe ky nuk është një fakt teorik por është një fakt logjik që mund ta përdorim edhe sot për të kritikuar atë kategori njerëzish që mendojnë se duhet shkuar menjëherë tek gjërat konkrete, të prekshmet sepse ato janë më të sigurtat por në fakt ato nuk janë më të sigurtat. Është iluzion që njohuria e limituar, ajo “e kapshmja” të jetë solide dhe vlen për të kritikuar sjelljet dhe qëndrimet e përsëritura të njeriut.
Po racionalizmi përse u fundos? Edhe ky kishte një “ves” nëse mund ta quajmë kështu, që në lindjen e tij i cili bazohet tek idetë e lindura dhe tek metodat induktive, atë që shkon nga universalja tek e përveçmja. Si i bëhet të argumentohet se treguesit dhe idetë apriore që lindin dhe rrejdhimisht janë pasojë e eksperinecës së jetuar të kenë vlerë të qënësishme për vetë eksperinecën? Pra nëse idetë që lindin prej kësaj janë apriori e janë derivat i materies dhe realitetit material, si mund të vihen në zbatim tek vetë realiteti material? Racionalizmi këtu bien në dogmaztizëm e pikërisht këtu ka ndërhyrë Kanti.
Sic e dimë (ndoshta jo të gjithë mund ta dinë) dogmë do të thotë e vërteta e pademostruar. Ka një të vërtetë të pademontruar tek racionalistët që realizimet apriori të arsyes vlejnë edhe në botën aposteriore të eksperiencës. Kanti e likujdon racionalizmin si dogmatizëm. Dhe ai është në fakt një filozof i vështirë sepse krijon një perspektivë të re, një gjuhë të re dhe shpesh i përdor fjalët me dy mënyra të ndryshme. Dmth ai akuzon për dogmatizëm të veçantë racionalistët por akuzon për dogmatizëm në përgjithësi edhe të gjithë spektrin filozofik që e ka paraprirë atë. Pra ekziston dogmatizmi i vecantë për empiristët dhe një më i përgjithshëm të të gjithë historisë së filozofisë së deriatëhershme. Kanti arin në menyrë perfekte të marrë elementët e empirizmit dhe racionalizmit, t`i bëjë bashkë t`i sintetizojë sëbashku duke i liruar ato nga elementët negativë. Ai e njhte mirë si njërën dhe tjetrën shkollë të mendimit. Kanti thotë: lexova Hume-n dhe u zgjova nga gjumi dogmatik i racionalistëve, sepse për një periudhë kohe ka qenë ndjekës i empirizmit anglez duke njohur mirë të dyja rrymat.
Jeta e Kantit ishte shumë e varfër me ndodhi të jashtme. Ai ishte prusian, me këtë dua të them ishte tipiku i njeriut të ngurtë. Nuk kishte dalë pothuajse asnjëherë jashtë qytetit të tij të lindjes, ishte shumë metodik si njeri. Bënte gjithnjë të njëjtën rrugë, në të njëjtën orë e nuk ndryshonte kurrë asgjë nga e përditshmja e tij. Kanti si illuminist i madh dhe rikrijuesi më i madh i filozofisë thotë: unë duhet të kthej faqen dhe të jem rigoroz. Nga ato mendje të lindura për t`i sjellë njerëzimit dritën, atë që e shohin vetëm në mendjen e tyre.
Atëherë Kanti çfarë bën? Kritikon empirizmin dhe racionalizmin dhe për të bërë këtë përdor një sistem fare të thjeshtë, qelizën fillestare, “tullën” e parë të themelit të këtyre metodave shkencore të marra së bashku, gjykimin. Nëse kritikojmë gjykimin kemi hedhur poshtë gjithçka në fakt. Aristoteli pohonte se njohuria fillon me gjykimin por gjykimi cfarë është? E thënë thjeshtë është bashkimi i kryefjalës me kallëzuesin. Të njohësh e të gjykosh nuk do të thotë të japësh të drejtë ose jo por të bashkosh një themel me një vazhdues të saj të pandashëm. Psh, nëse unë marr një subjekt të veçuar, gotën për shembull, kjo nuk është as e vërtetë e as e gënjeshtërt por nëse them gota është e bardhë apo është e madhe bashkimi i kësaj kryefjale ose subjektit me treguesin e saj sjell një konfirmim i cili mund të jetë i vërtetë apo i gënjeshtërt. Atëherë, njohuria e parë është ajo e gjykimit, empiristët përdornin gjykimin sintetik aposterior. Psh, tavolina është e kuqe, pse ky gjykim është sintetik? Është i tillë sepse bashkon sintezën (sintezë do të thotë bashkim) ky gjykim bashkon dy pjesë (një të qënësishme e një abstrakte) që në vetvete janë të ndara dmth tavolinën dhe ngjyrën e kuqe. Pra praktikisht këto të dyja nuk janë të lidhura ndërmjet tyre (objekti me ngjyrën) dhe i lidh njeriu nëpërmjet gjykimit, arsyetimit pra gjykimi në bashkimin e dy gjërave të ndryshme quhet sintetik. Përse aposterior? Sepse unë them që tavolina është e kuqe vetëm post, dmth pas fjalës tavolinë vendos e kuqe, pasi e kam parë ngjyrën e subjektit dhe nuk mund ta them apriori që tavolina është e kuqe nëse ende nuk e kam parë atë. Pra gjykimi është sintetik dhe aposterior (pasues).

*Pjesë e shkëputur nga një studim i imi e sjellë për kënaqësi për ata që kanë dëshirë të lodrojnë pak ujërave të mendimit.