Kandidati i Ramës të shkarkohet/ Prokuroria: Kajmaku fshehu arrestimin në Greqi

Hetimi i iniciuar nga Partia Demokratike për kandidatin e Edi Ramës në Bashkinë e Vorës, Agim Kajmaku, ka dalë në përfundimin se ky person që mbante emrin Jorgo Toto është arrestuar në Greqi.

Në hetimin e saj, prokuroria ka siguruar prova se Agim Kajmaku dhe Jorgo Toto janë i njëjti person.

Sipas akuzës, Kajmaku e ka fshehur arrestimin dhe duhet të shkarkohet nga funksionet publike.

‘Prokuroria ka dalë në perfundimin se Agim Kajmaku duhet të skualifikohet menjëherë nga funksioni publik’, u shpreh Gazment Bardhi gjatë konferencës për mediat.

‘Nga verifikimet e kryera konfirmohet se Agim Kajmaku ka patur dijeni të plotë në lidhje me faktin se ka qenë në hetim penal në Greqi dhe se ndaj tij kishte një proces gjyqësor në zhvillim.

Kjo sepse ai është arrestuar në flagrancë dhe ka dalë para gjykatës greke, ku i është bërë e ditur e gjithë procedura që do të ndiqet ndaj tij.

Nga ana tjetër, rezulton se Agim Kajmaku ka kryer veprime konkrete për fshehjen e këtij fakti para autoriteteve shqiptare, duke ndryshuar në datën 30 Mars 2004 emër/mbiemër nga ‘Jorgo Toto’ në Agim Kajmaku, si dhe duke mos e deklaruar këtë fakt në formularin e dekriminalizimit’, thuhet në hetimin e prokurorisë.

‘Çdo alibi e krijuar nga Edi Rama dhe përfaqësuesi i tij në Bashkinë e Vorës, është rrëzuar. PD e ka te qartë se Edi Rama nuk ka vullnet për ta luftuar krimin dhe se pushtetin e tij e ka te lidhur me krimin.

Mirëpo shkarkimi i menjëhershëm nga detyra i Agim Kajmakut, nuk është me një çështje e vullnetit në dorë të Edi Ramës. Edi Rama ka detyrimin kushtetues dhe ligjor të shkarkojë menjëherë nga detyra kryetarin e Bashkisë së Vorës, Agim Kajmaku, i cili është arrestuar dhe ka qenë në kërkim ndërkombëtar deri në shtator 2019’, tha Gazment Bardhi gjatë konferencës për mediat.