Kandidati i përndjekur refuzon mandatin në Kuvend. Nuk e marr mandatin, nga urdhëruesi i vrasjeve politike Gramoz Ruçi!

Indrit Hoxha, kandidat i PD I përndjekur politik I komunizmit, refuzoi të marrë mandatin dhe në mënyrë të paprecedentë, në sy të mazhorancës tha se nuk mund të ishte pjesë e një Kuvendi ilegjitim.
Fjala e Hoxhës:
Unë Indrit Hoxha, kandidat në listën vijuese të Partisë Demokratike të Shqipërisë ndërmarrë sot këtë akt politik në emer të babait tim të ndjerë Fatmir Hoxha, i burgosur politik i regjimit kriminal që nuk reshti deri në frymën e fundit luftën për liri dhe demokraci. E ndërmarr këtë akt politik në shenjë revolte dhe neverije kundër krimit të rilindur të këtij parlamenti ilegjitim dhe në respekt të vlerave të familjes time dhe sidomos ato që im atë më la trashëgimi.
Refuzoj të marr mandatin e deputetit në një vend ku klika kriminale në pushtet ka asgjësuar Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë dhe ka kapur drejtesinë.
Refuzoj të marr mandatin në Parlamentin ilegjitim që e drejton urdhëruesi i vrasësve të Arben Brocit dhe shokëve të tij në masakrën e 2 Prillit.
Refuzoj të bëhem pjesë e një Parlamenti ilegjitim ku ulen hetues dhe prokurorë të diktaturës të cilët kanë torturuar dhe vrarë të rinj shqiptarë.
Refuzoj të marr mandatin në një parlament ilegjitim ku në karriken e kryeministrit ulet i biri i njeriut që firmosi për varjen e poetit Havzi Nela.
Refuzoj të bëhem pjesë e një parlamenti ilegjitim ku ndodhen urdhëruesit e vrasjes së tribunit të demokracisë Azem Hajdari.
Ky nuk është parlament, por galeri e krimit. Fundi i kësaj farse kriminale është shumë i afërt.
Unë refuzoj të bëj betimin dhe të marr mandatin sepse ai mandat i takon popullit dhe jo kriminelëve, hajdutëve dhe delenxhinjve që ndodhen sot këtu.
Rrofte Shqipëria!
Rroftë Demokracia! Zoti i bekoftë shqiptarët!