Ju rrëfej “llumin” !

 

Nga Nebil Çika

Konflikti në PD po nxjerr gjithnjë e më shume problemet e mbartura të kësaj partie duke vërtetuar faktin që kriza nuk ka në thelb përplasjen Basha-Berisha për përjashtimin e këtij të fundit nga Grupi Parlamentar i PD në “shkelje të statutit “por është një krizë e identitetit politik e moral të sajë. Kundërshtarët po perpiqen të “kryqëzojnë” publikisht Bashën për faktin se ai ka deklaruar që “qeverisja e PD –së ka pasur edhe llumin e sajë’ . Ky është një konstatim i vonuar i z.Basha,ndaj një të vërtete të hidhur që media anëtarë e veprimtarë të thjeshtë të PD e kanë evidentuar e kanë ngritur zërin që kur PD ishte në pushtet para qershorit të vitit 2013 dhe ai e ka  ditur me kohë këtë .
Në të vërtet rënia e PD–se dhe degradimi deri në këtë derexhe që po e shohim sot edhe kryesisht nga “llumi” në qeverisjen dhe përfaqësimin e sajë. Që para ardhjes ne pushtet ne 2005 PD hapi derën e sajë midis të tjerësh edhe për “llumin” shpesh herë më shume se politik që iu bashkua saj ,“llum” që u instalua më vonë edhe në qeverisje e administratë publike. Sot shumë militantë të PD,për arsye të pajustifikuara,shprehen të irrituar pa të drejtë nga kjo deklarate e z. Basha një pjesë e madhe të cilëve jo vetëm që nuk kanë qenë pjesë e llumit por kane qenë e janë viktima të tij.
Por le të marrim me radhë disa shembuj të “llumit” në qeverisjen e PD te cilët sot mund ti kemi harruar por që kanë qenë një problem i madh për qeverisjen e sajë dhe një pasojë serioze për gjendjen aktuale të kësaj partie .

Ne vitin 2005 PD ktheu në krye të sajë shumë politikanë të cilët në vite,që nga 1992 i kishte cilësuar vet si “llum” për shkak të veprimtarive të tyre politike,paraushtarake madje edhe kriminale kundër PD dhe Shqipërisë.
Kështu në këtë kohë u kthyen në PD dhe qeverisje të sajë individë të cilit kishin marrë edhe armët kundër sajë për ta rrezuar nga pushteti duke shkaktuar edhe viktima dhe krime të tjera ndaj PD,drejtuesve,anëtarëve dhe mbështetësve të sajë .

Një nga momentet më të vështira te PD dhe Shqipërisë ka qenë revolucioni komunist i vitit 1997 ku u synua edhe likuidimi,jo vetëm politik,por edhe fizik i PD dhe anëtarëve të sajë disa prej te cilëve u vranë, torturuan i shkatërrua shtëpitë pronat,e të tjera dëme, PD u rrezua me dhune nga pushteti dhe disa prej drejtuesve te qeverise se sajë dhe institucioneve te sigurisë u përballem me arrestime e akuza të rënda si krime kundër njerizimit etje . Ata që u angazhuan në ketë luftë kriminale kundër PD kishin emra dhe mbiemra dhe ata më të thekurit, të shenjur si “llumi” nga vetë ish kryetari i PD z. Berisha ,u kthyen papritur në deputetë ministra e zyrtarë të lartë të sajë .

Arben Imami, i cilësuar nga kryetari i atëhershëm PD z. Berisha si “gjenerali i zi i bandave të komiteteve të shpëtimit publik” qe erdhi nga Greqia,përgjegjëse per dhjetëra krime në Jug të vendit. Ministër i qeverisë komuniste në 1997, u bë Shefi i Kabinetit të Kryeministrit Berisha dhe me vonë deputet dhe anëtar kryesie i PD ,Ministër i Mbrojtjes në qeverise se sajë. Një akt flagrant “pabesie” ndaj demokratëve ,veçanërisht viktimave të bandave komuniste te 1997 e me vonë, më të cilin z. Berisha dhe PD shkelën mbi gjakun e tyre dhe mbi sakrificat e mijëra demokratëve të vrarë, arrestuar dhunuar, pushuar nga puna etje vetëm se ishin anëtarë e aktiviste të sajë. A është ky rast një shembull i “llumit” në qeverisjen e PD .

Por jo vetëm kaq. Të tjerë që PD i kishte larguar nga radhët e sajë si bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit që nuk kishin lenë gjë pa thënë e bërë kundër sajë u rikthyen në pushtetin e sajë.

Prec Zogaj i denoncuar dhe larguar nga PD si “spiun i sigurimit të shtetit ” ,ish ministër i qeverisë komuniste të pas 1997 u bë deputet i PD duke zëvendësuar legjendën e qëndresës në burgjet komuniste z. Pjetër Arbënori..

Një tjetër i cilësuar asi “llum“ nga z. Berisha me një aktivitet nga me agresivet ( të cilin e vazhdon edhe sot ) kundër PD dhe interesave kombëtare Frrok Çupi , u bë zyrtar i lartë i qeverisjes se PD , ndërkohë qe gazetarët qe e mbeshtetën atë u lanë rrugëve pa punë e pa bukë.

Gramoz Pashko,biri i një prej pereskutorëve me gjakatar te diktaturës komuniste , i larguar nga PD dhe i angazhuar hapur kundër sajë dhe Shqipërisë, në 1997 ishte pjesë e një delegacioni të lobit antishqiptar grek në SHBA që kërkonin nga qeveria amerikane mbështetje për “autonominë e Vorio Epirit” ( shkëputjen e Jugut të vendit ) ne 2005 u be kandidat për deputet në vend të Uran Butkës ,i përndjekur politiuk antikomunist dhe pinjoll i një familje nga me atdhetaret të Shqipërisë që shpëtoi PD dhe z. Berisha nga dështimi i Kuvendit te PD në1999 kur Pollo u tërhoq nga gara. Më vonë Pashko ishte një nga këshilltarët kryesor të kryeministrit Berisha .

Një moment i ngjashëm me këtë që po kalon tani PD e ka edhe kaluar edhe në vitin 1999 kur grupim i brendshëm i drejtuar nga Genc Pollo,përçau PD duke marrë me vete disa deputetë  e drejtues të sajë gjë e u konsiderua nga z.Berisha si një “shërbim me porosi të qarqeve antishqiptare greke dhe komunistëve shqiptarë”. Z.Pollo dhe gjithë grupimi i tij politik u rikthyen në PD dhe qeverisje të saje në postet më të larta të mundshme . Sot me te drejtë z.Berisha e cilëson z. Rama si “Zografi biz” por ai vetë emëroi zëvendëskryeministër dhe ministër ,në disa portofola,pikërisht nipin gjenetik të shefit të policisë të qeverisë së Zografit real në 1914 në Gjirokastër. (Për ata që nuk e dinë: Zogarfi ishte peshkop grek dhe kryeministër i qeverisë shoviniste të Vorio Epirit te krijuar nga pushtuesit grek në 1914 në Gjirokastër dhe Take Pollo drejtor i policisë së kësaj qeverie.)

Ilir Rusmali ,një tjetër pinjoll i nomenklaturës se lartë të diktaturës komuniste ishte deputet ,anëtar kryesie, zëvendës kryeministër, ministër drejtësie që u largua pas publikimit të një skandali korrupsioni kur drejtonte Ministrinë e Drejtësisë .Sot ai është përfaqësues i PS në administratën zgjedhore dhe një nga armiqtë më të betuar të PD në këtë institucion .

Genc Ruli,i larguar nga PD në momentet më të vështira të sajë në1997,pinjoll i një familje persekutorësh komunistë, dëshmitar në gjyqet politike të kundërshtarëve të diktaturës komuniste,i akuzuar nga Berisha për skandalin e druve të arrës në 1995, u bë deputet e ministër në dy mandate .

Tritan Shehu i larguar nga PD me Grupin e Pollos,drejtues i aksionit te rinisë komuniste për për ndalimin e besimit në Zot , prishjen e kulteve fetare dhe përndjekjen e klerikëve në 1967, u rikthye si ministër e deputet e vazhdon te jetë i tillë edhe sot.

Arben Ristani ,avokat i familjes së diktatorit Enver Hoxha i lidhur familjarisht me të në tre breza . Në vitin 1994 i arrestuar nga qeveria e Berishës për korrupsion, U rikthye si zëvendësministër i brendshëm, drejtor i shkollës së Magjistraturës,kryetar i KQZ,e deri tek Sekretar i Përgjithshëm i PD-së .

Benet Beci,një nga familjet me te lidhura me diktaturën komuniste ne Shkodër,drejtor i Fondit Shqiptar të Zhvillimit në qeverisjen e PD, sot deputet i PS-së në Shkodër ,falë karrierës ,lidhjeve dhe parave të siguruara nga posti në qeverisjen e PD .

Dëgjova z.Berisha në një nga foltoret, më duket në Shkodër ,qe konstatoi me të drejtë që Ligjin për Lustarcionin e rrezoi Gjykata Kushtetuese me pesë anëtarë të sajë në konflikt interesi. Por këta anëtare përfshi edhe kreun e sajë ishin çuar atje me votat e shumicës parlamenatre të PD-së .
Por edhe pse i ndodhi kjo “hata” në Gjykatën Kushtetuese me Ligjin e Lustracionit përsëri vazhdoi emërimi i “llumit “ me të nga PD . Në vitin 2013 para se të binte nga pushteti PD votoi tre anëtarë të kësaj gjykate  serish ne konflikt interesi, ish drejtues te larte të hetuesisë dhe Sigurimit te Shtetit , Besnik Ymeraj ,Gani Dizdari dhe Fatos Lulo .
Dy deputete të PD që guxuan dhe votuan kundër tyre,Enkelejd Alibeaj dhe Mark Marku ,u lanë jashtë listave për deputetë nga z. Berisha në zgjedhjet e 2013  per shkak se votuan kundër llumit. Mos më thoni që Sigurimi i Shtetit nuk është llum e kaluar llumit, në kuptimin e plotë të fjalës .

 

Tani po ti hyjmë listës së “llumit” në qeverisjen e PD-se ne nivelet e dyta dhe të treta, lista shkon shume e gjatë por un do ta përfundoja duke sjellë si kulmin e “llumit” në qeverisjen e PD është koalicioni me LSI ne pjesën e dyte te qeverisjes se saje 1999 -2013. Te gjithë biem dakord besoj për këtë. Kishte shumë gjera te kontestueshme kjo qeveri,por un nuk harroj dot personalisht vetëm një gjë: Arrestimin e z.Berisha ne kohën kur z. Ilir Meta ishte kryeministër. Në atë kohe isha zëvendëskryeredaktor i RD dhe e kujtoj edhe sot rrethimin e godinës se PD dhe RD nga forcat speciale të sigurisë, dhunën dhe terrorin e ushtruar ndaj gazetareve dhe militanteve te PD por edhe ndaj qytetarëve që rastësisht kalonin atje. Ishte një natë terrori e ngjashme me ato të Sigurimit te Shtetit kur bënte arrestime masive . Vetëm kjo mjaftonte që ai koalicion mos të behej kurrë ,leri të tjerat. Nuk po i llogarit pasojat qe pati PD nga kjo bashkëqeverisje të cilat vazhdojnë ta shoqërojnë edhe sot si njolla të “llumit” në qeverisje.

Sigurisht që ky “llum” nuk iku i gjith nga PD edhe pas rënies se sajë nga pushteti . Një pjesë e mirë e tij vazhdoi e vazhdon të jetë ne pozita drejtuese dhe për këtë ka përgjegjësinë e vet edhe z. Basha . Nuk është se nuk i dinin por bashkëjetuan e bashkëpunuan me ta . Nuk doniin ti largonin apo nuk i largonin dot, kjo është tjetër pune por fakti është që një pjesë e “llumit” në qeverisjen e PD është ende aty.

Tani kam dy fjalë me militantët e PD te inatosur e keqëkuptuar me përmendjen prej z.Basha të “llumit“ në qeverisjen e PD, midis tyre shumë miq të mi . Askush nuk mundet tiu thotë ju “llum” pasi shumica juaj nuk ka qenë fare pjesë e qeverisjes por edhe kur keni qenë keni treguar integritet të lartë moral. Ne jemi viktimat me të mëdha të këtij “llumi”. Mos pranoni të manipuloheni nga ata që ju thonë se kur flasin për “llumin” në PD dhe qeverisjen e sajë, e kanë për ju. Ju e dini mire si jeni vetë e kush është “llumi”.

Ju demokratë idealistë e patriotë ,shkoni në foltoret e z. Berisha me dinjitet por kujdes.Momente të tilla me premtime për bashkim e hapje u shfrytëzuan edhe në 2004-2005 për të kthyer “llumin” në PD . Nuk ka ndonjë ndryshim te madh midis “aleancës se qelbësirave” dhe “bashkimit me llumin” sido që maskohet apo të justifikohet një veprim i tillë. Me llumin ju ndan çdo gjë,pavarësisht flamurit politik, grupimet, metodat e mjetet me të cilat kamuflohet e ju ofrohet ai.

P.s: Ky shkrim nuk ka lidhje me atë që po ndodh sot në PD por me të vërtetën . Ne që kemi qenë dëshmitarë okularë, gazetarë apo jo, nuk duhet të heshtim para sajë. Është detyra jonë të themi çfarë ka ndodhur veçanërisht  si detyrim për ata që nuk kanë qenë prezent apo nuk kanë lindur fare 25 apo 30  vjet më parë e që lehtësisht mund të manipulohen e mashtrohen nga spekulantët politikë e mediatikë që në këtë vend janë me shumicë.