Joshua Kimmich dhe problemet e tij me Coronën

 

FC Bayern nuk mund të llogarisë me lojtarin Joschua Kimmich deri në fund të vitit. Arsyeja: pasojat e infektimit me virusin Corona. Kimmich shkaktoi debat për shkak të refuzimit të tij të vaksinohet.

Joschua Kimmich thjesht nuk po mund të lirohet nga çështja Corona. Pasi lojtari i kombëtares gjermane shkaktoi një bujë të madhe me deklaratën e tij se nuk ishte i vaksinuar, ai më pas u infektua edhe vet, ndërsa problemet me virusin Corona po zgjasin më shumë se sa pritej, më shumë se mesatarisht. FC Bayern bëri të ditur se Kimmich nuk do të jetë në gjendje të luajë për liderin e Bundesligës këtë vit “për shkak të infiltrimeve të lehta në mushkëri”. Kjo do të thotë se ai nuk do të jetë në gjendje të luajë ndeshjet e ardhshme kundër Mainz, Stuttgart dhe Wolfsburg në vitin 2021. Ai duhet të bëjë stërvitje dhe te rikthehet në formën e mëparshme, duke mos rrezikuar shëndetin. Kimmich tha se “mezi pret që të kthehet plotësisht në janar”. Por data më e hershme kur ai mund të kthehet në fushën e blertë është ndeshja kundër Borussia Mönchengladbach më 7 janar.

Deutschland Bundesliga | Joshua Kimmich
Kimmich u përpoq të qetësonte fansat e tij: “Jam i lumtur që karantina ime e lidhur me Coronën ka përfunduar. Jam shumë mirë”, tha 26-vjeçari. Por ai “nuk mund të ushtrojë me kapacitet të plotë për momentin”. Kimmich është liruar nga karantina dhe donte të fillonte të luante. Por mjekët e klubit ia kanë ndaluar. Infiltrimet në mushkëri janë akumulime të lëngjeve dhe komponentëve qelizorë në këtë organ vital dhe ata nuk duan të rrezikojnë asgjë.

Vazhdimi i problemeve?

Bundesliga I Hertha BSC – FC Bayern München
Sipas mendimit të mjekut për trajtim intensiv Christian Karagiannidis, problemet e mushkërive të Kimmich, në rastin më të keq, mund të vazhdojnë për një kohë më të gjatë. “Tek Corona ne njohim raste të rikthimit të pasojave, e ka raste kur pasojat mund të zgjasin një kohë shumë të gjatë, deri sa nuk tërhiqen tërësisht, pavarësisht faktit që sëmundja në fillim është kaluar lehtë”, tha Karagiannidis për agjencinë gjermane të shtypit DPA. Ai thotë se njeh edhe pacientë të cilët është dashur të luftojnë me pasojat e sëmundjes në mushkëri deri në një vit.

Mjeku nënvizoi se sa i rëndësishëm është një vaksinim, veçanërisht për sportistët profesionistë: “Edhe nëse pasojat nuk vërehen kaq gjatë, performanca maksimale nuk është e mundur, ndërkohë që sportistët profesionistë duhet të kenë një performancë maksimale”.