Jorida Tabaku: SPAK e sekuestroi dje, thesari i pagoi sot 191 mijë euro inceneratorit të Tiranës

Nënkryetarja e PD-së, Jorida Tabaku tha mesditën e sotme në krah të Lulzim Bashës së ndërkohë që dje u arrestua Lefter Koka për aferën e inceneratorëve, buxheti i shtetit i ka kaluar kompanisë “Integrated Energy” 191 mijë euro në kuadër të pagesave periodike nga fondet publike.

Sipas Tabakut, qeveria vijon të bëjë pagesa ndaj kompanisë që ka në pronësi inceneratorin e Tiranës në një kohë kur SPAK ka vendosur sekuestrimin e kësaj kompanie, ndërsa ka shpallur në kërkim pronarin e saj Klodian Zoto.

Një ditë më parë, SPAK arrestoi ish-ministrin Lefter Koka si edhe shpalli në kërkim Klodian Zoton dhe Stela Gugallja pasi zbuluan se nëpërmjet faturave fiktive i kishin zhvatur buxhetit rreth 3.6 milion euro, të cilat më pas i kaluan në formë rryshfeti Lefter Kokës për lehtësirat e krijuara gjatë licencimit dhe ndërtimit të inceneratorit të Elbasanit.

 

Si funksiononte skema

Pasi mori lejen përmes dhënies së ryfshfetit në drejtim të Lefter Kokës sipas SPAK, inceneratori i Elbasanit, në pronësi të kompanisë “Albtek Energy” sh.p.k, e administruar nga Stela Gugallja, i lëshonte fatura fiktive për punë të pakryera kompanisë “Integrated Technology Services” sh.p.k. Duke qenë se inceneratorët ishin projekte, të cilat u ndërtuan me fondet e shtetit shqiptar, ishte buxheti që duhej të përballonte këto pagesa.

Rrjedhimisht, sipas SPAK, nëpërmjet kësaj skeme, buxhetit të shtetit i janë shkaktuar rreth 3.6 milion euro dëm. Këto para pastaj që iu vodhën shqiptarëve përmes faturave fiktive, iu dërguan nga inceneratorët Lefter Kokës si një shpërblim për shërbimin që i kishte bërë inceneratorit të Elbasanit, i cili u ndërtua në shkelje të procedurave dhe duket të mos jetë rentabël dhe deri më tani nuk ka prodhuar madje as edhe një MË/h energji elektrike.

Pjesë nga shpjegimi i SPAK:

Nga veprimet hetimore të kryera dhe nga vlera provuese e provave të mbledhura krijohen dyshime të arsyeshme dhe të bazuara në prova dhe krijohet bindja se nga shoqëritë tregtare “Albtek Energy” sh.p.k. (shoqëria që ka përfituar konçensionin) dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k.

(shoqëria që ka zbatuar punimet për ndërtimin e objektit të konçensionit) janë pranuar fatura tatimore shitje dhe janë paguar detyrimet financiare për këto fatura tatimore për disa shoqëri tregtare, për punime që në të vërtetë nuk janë kryer nga këto shoqëri tregtare.

Shoqëria “Albtek Energy” sh.p.k. ka deklaruar në librin e blerjes faturat tatimore të shitjeve nga këto shoqëri tregtare në total në vlerën 368.672.760 lekë (ose rreth 2.950.000 Euro). Shoqëria “Integrated Technology Services” sh.p.k. ka deklaruar në librin e blerjes faturat tatimore të shitjeve nga këto shoqëri tregtare në total në vlerën 91.963.141 lekë (ose rreth 735.000 Euro).