Jo me zemërim !

Nga Lulzim Basha*

Faleminderit zonja dhe zotërinj, vëllezër dhe motra, zonja dhe zotërinj të Shkodrës, demokrate dhe demokratë, të rinj dhe të reja, për emocionin e jashtëzakonshëm që jam i sigurt, nuk më falni vetëm mua, por mbarë demokratëve dhe gjithë Shqipërisë. Me ndjenjën e thellë të optimizmit, të entuziazmit dhe të besimit në fitoren e lirisë e të demokracisë që përcjell sot Shkodra nga kjo sallë.

Nuk ka sallë për aktivin e përqendruar të Qarkut, më thanë 3 ditë më parë, nuk kemi sallë për t’i përmbledhur të gjithë demokratët e Aktivit të Qarkut, ndaj, çfarë do bëjmë? Do t’i mbledhim në Pallatin e lojërave me dorë sepse është e vetmja sallë që mund të mbledhë bashkë, vetëm drejtuesit vetëm aktivet e përbashkëta të degëve të aktiveve të Partisë Demokratike të këtij qarku. Sigurisht, ky është edhe rasti i parë që një aktiv i përqendruar zhvillohet, jo thjesht në një format të tillë, me një masivitet të tillë, por edhe me një entuziazëm të tillë, që është parathënës, që është tregues për ata qindra, mijëra demokratë shkodranë, të Malësisë së Madhe, të Vaut të Dejës dhe të Pukës, që bëhen gati të vërshojnë të shtunën me 11 maj, në përballjen me tiraninë, me krimin, që bëhen gati ta vendosin edhe njëherë me krenari flamurin, që sa herë ka valvitur në dorën e Shkodrës, ka parathënë liri, ka parathënë çlirim, ka parathënë demokraci, ka parathënë fitore për gjithë Shqipërinë e për çdo shqiptar.

Ndaj, më lejoni ta nis pa vonesë, zonja dhe zotërinj, vëllezër dhe motra. I nderuar zoti kryetar i degës së Partisë Demokratike të Shkodrës, e nderuar zonja kryetare e bashkisë, zoti kryetar i degës së Partisë Demokratike të Malësisë së Madhe, zoti kryetar i degës së Partisë Demokratike të Vaut të Dejës, zoti kryetar i bashkisë së Vaut të Dejës, zoti kryetar i Partisë Demokratike dega Pukë, të nderuar kryetarë të grupseksioneve të degëve të Partisë Demokratike të Qarkut Shkodër, të nderuar kryetarë të seksioneve, të nderuar anëtarë të Këshillit Kombëtar, anëtarë të ish-grupit parlamentar të Partisë Demokratike, zonja kryetare e Qarkut të Shkodrës, drejtuese dhe drejtues, të nderuar anëtarë të Forumit Rinor të Partisë Demokratike. Dua t’ju falenderoj posaçërisht për pritjen e jashtëzakonshme që më rezervuat në hyrje të qytetit dhe deri këtu. Dhe dua t’ju falenderoj për ftesën që më keni drejtuar për të marrë pjesë në atë që sot është një ngjarje e shënuar për degën tuaj, është një ngjarje e shënuar për plot 200 të rinj e të reja, është një ngjarje e shënuar për mua, si kryetar i Partisë Demokratike, anëtarësimin e 200 anëtarëve të ri në Partinë Demokratike të Shqipërisë. Vajza dhe djem, zonja dhe zotërinj, që na bashkohen në një orë kritike të betejës tonë, na bashkohen në një udhëkryq vendimtar për të ardhmen tonë, që vijnë jo të marrin, por të japin, të derdhin bashkë me ne në lumin e djersës dhe sakrificës, kontributin e tyre të çmuar, ndaj më lejoni që në emrin tuaj t’i uroj “mirë se vini në shtëpinë e lirisë, mirë se vini në Partinë Demokratike të Shqipërisë, mirësevini në forcën më të madhe proevropiane, proamerikane, në forcën e palcës properëndimore të qytetit simbol të vlerave të Perëndimit, kryeqytetit të veriut, kryeqytetit të demokracisë, Shkodrës demokratike, heroike dhe kombëtare”.

Në raste të tilla është mirë të dëgjojmë nga ata vetë motivet që i sollën këtu, por si kryetar i Partisë Demokratike është detyra ime dhe porosia e gjithë anëtarëve të familjes tonë t’ju kujtoj se sot ju i bashkoheni të vetmes forcë politike në vend që lindi me idealin e Shqipërisë si e gjithë Evropa. Ju vini në shtëpinë e lirisë që ka sakrifikuar si rrallëkush për lirinë, ju shkelni në gjurmët e pashlyeshme të rinisë demokrate shkodrane me Arben Brocin në krye, dhe bëheni pjesë e një armate lirie që e tundi komunizmin nga themelet, që rrëzoi simbolin e diktaturës që shkatërroi nga themeli konspiracionin për ta mbajtur Shqipërinë si kopsht zoologjik eksperimentesh. Ju vini dhe bashkoheni me familjen e demokratëve shkodranë, pararojës së Partisë Demokratike, elitës së veprimit tonë politik, që si askush tjetër i vuri vulën e lirisë testamentit tonë politik, me aktin e parë të rrëzimit të bustit të Stalinit. Vini pra në një familje me traditë të shquar qëndrese dhe përballej, në një familje që ka dhënë kaq shumë për demokracinë, për lirinë, për Shqipërinë si e gjithë Evropa, që ka dhënë kaq shumë për zhvillimin, përmes respektit për individin dhe liritë e tij, përmes konkurrencës së lirë ekonomike, që ka dhënë kaq shumë dhe e para për të rikthyer lirinë e besimit në Zot, në këtë qytet simbol të harmonisë dhe respektit mes besimeve fetare dhe në të cilin sot dua edhe personalisht t’u uroj të gjithë besimtarëve myslimanë agjërim të lehtë e të pranuar nga Zoti, sakrifica juaj qoftë bekimi hyjnor për ngadhnjimin e shpresës për çdo shqiptar.

Vëllezër dhe motra, në këtë ditë të shënuar, dua po kështu t’ju kujtoj se këta 200 të rinj e të reja bashkohen me ne ditën kur bisha e plagosur e tiranisë së krimit ka marrë në dorë të gjitha pushtetet, ka asgjësuar kushtetutën, ka shkatërruar Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë, ka kapur prokurorinë, ka politizuar njësoj si 28 vite më parë Policinë e Shtetit, por ndryshe nga 28 vite më parë nuk i ka veshur vetëm me petkun e krimit politik, por e ka shndërruar në shërbëtore dhe mbrojtëse të krimit të organizuar, se sot Shqipëria gjendet në një udhëkryq, ku përsëri si 28 vite më parë ata që paguhen me taksat e shqiptarëve për të mbrojtur qytetarët nga anti-ligji, kanë dhunuar qytetarët në mes të Tiranës, dhe mbajnë sot në qelitë e burgut, të burgosur politikë të cilët janë ngritur për të mbrojtur qytetarët nga dhuna kriminale e bandës policore. Po po, sot në mesditë, njerëz të veshur me uniformën e Policisë së Shtetit kanë dhunuar qytetarë që mbrojnë shtëpitë e tyre. Kur njerëzit tanë, përfaqësuesit e Partisë Demokratike, ish-deputetë si Klevis Balliu dhe të tjerë figura politike, u ngritën për të bërë të vetmen detyrë që kemi, të qëndrojmë në krah të njerëzve, siç po qëndrojmë e do të qëndrojmë deri në fitore, kanë urdhëruar arrestimin e tyre. Sot është dita kur Edi Rama do të rikthejë të burgosurit politikë në Shqipëri, sot është dita kur Edi Rama zyrtarisht po përdor Policinë e Shtetit për të dhunuar ligjin dhe qytetarët që janë në krah të ligjit, ndaj sot është dita dhe ky është vendi për t’ia thënë fare qartë dhe prerë: i ke orët e numëruara. Kurrë më ky vend nuk do të pranojë që Policia e paguar me taksat e qytetarëve të dhunojë qytetarët, ndërsa mbron kriminelë, hajdutët, oligarkët. Kurrë më nuk do të pranojmë që ligji të funksionojë me dy standarde, të godasë të pafajshmit, të shkatërrojë shtëpitë e tyre, t’ju mbyllë biznesin, t’i heqë nga puna, dhe nga ana tjetër, t’i mbrojë e t’i bëjë deputetë e kryetarë bashkish e biznesmenë, trafikantët e vajzave dhe grave shqiptare, trafikantët e drogës, kriminelët, që janë themeli i parlamentit të paligjshëm dhe i qeverisë së paligjshme të Edi Ramës.

Asgjë nuk do të zgjidhet pa i dhënë fund kësaj të keqeje. E gjithë kjo e keqe i zuri rrënjët tek bashkëpunimi i krimit me organizatën e “Rilindjes”. Ju në Shkodër jeni dëshmitarët e parë se si banda kriminale e Bajrajve dhe dhjetëra kriminelë të tjerë u bënë njësh me strukturat e “Rilindjes”, dhunuan qytetarët, blenë votat, larguan, dhunuan, kërcënuan vëzhguesit, nxorën tytat e armëve dhe i vendosën në gjoksin e komisionerëve tanë për të thyer zgjedhjet e lira, për të thyer Shkodrën, për të thyer demokracinë dhe për t’i dhuruar Edi Ramës një mandat qeverisës, të bazuar jo mbi votën e qytetarëve, por mbi favoret dhe transaksionet kriminale. Ata menduan se kaq e pati kjo punë. Futën shokët e tyre në parlamentin e krimit dhe nga mëngjesi deri në darkë u sulën si të babëzitur mbi bizneset e shkodranëve, duke ndërtuar sistemin më perfid të gjobave, u vërsulën mbi pronat e shkodranëve, u vërsulën mbi vajzat e shkodranëve, u vërsulën mbi institucionet e shtetit, dhe menduan se kish nisur ora e mbretërimit pa kufi e pa fund e krimit të organizuar, me ndihmën dhe mbështetjen e Edi Ramës. Me siguri injoranca, se injorantë janë, nuk i ndihmoi të kujtonin se në cilin qytet janë, se çfarë tradite ka këtu, se siç e thotë fjala e urtë “burrat trima në Shkodër, nga ata që harrojnë zakon, kanun e ligj, i ul në gjunjë edhe 15-vjeçari më i ri i qytetit”. Harruan se këtu ka një forcë politike që rrënjët e trashëgimisë politike i ka tek kurajo e shkodranëve, harruan se ka një Parti Demokratike, e vendosur për të qëndruar në krah të Shkodrës, njësoj si Shkodra ka qëndruar në krah të Partisë Demokratike. Sot disa prej tyre janë prapa hekurave, dhe nga aty prapa hekurave mundohen prapë të diktojnë përmes lidhjeve kriminale me Edi Ramën dhe ministrat e tij, përmes celularëve dhe favoreve të tjera të anti-ligjshme që u futen në qeli, por ju themi: mos u mundoni shumë, mos u mundoni shumë për t’u lidhur në telefon me Edi Ramën. Së shpejti, do t’ua sjellim Edi Ramën aty ku jeni ju, bashkë me kriminelët e tjerë në pushtet.

Beteja që ka nisur nuk do të njohë kurrë atë që s’e njohu historia, gjunjëzimin e Shkodrës. Jo, krimi nuk do ta gjunjëzojë Shkodrën, krimi nuk do ta gjunjëzojë Shqipërinë, Shkodra është ngritur, Shqipëria është ngritur, liria dhe demokracia janë frymëzimi jonë, çlirimi i Shqipërisë nga qeveria e lidhur me krimin është misioni jonë, Shqipëria si e gjithë Evropa është programi jonë, ëndrra jonë, që do e bëjmë realitet së bashku.

Ndaj vëllezër e motra, beteja e nisur plot 11 javë më parë ka avancuar dhe ka përmbysur realitetin politik me një shpejtësi që krahasohet vetëm me fillimin e viteve ’90. Brenda 11 javëve, që nga kushtrimi demokratik i 16 shkurtit, shqiptarët janë zgjuar, janë vetëdijësuar, janë trimëruar, janë inkurajuar, dhe merita kryesore për këtë është e juaja. Drejtues të Partisë Demokratike të Shkodrës e të mbarë Shqipërisë, që me përkushtim, me vendosmëri dhe qartësi ju përveshët kësaj beteje, atëherë kur askush nuk besonte se kjo do të ishte ora e mbrapme e diktaturës së krimit. Sot, 11 javë më vonë, me aktin historik, më moralin, më legjitimin, më të ndershmin në historinë politike të Shqipërisë, të djegies së mandateve, i gjithë grupi parlamentar i Partisë Demokratike, e gjithë opozita e bashkuar është në krah të qytetarëve, është në krahun tuaj në këtë betejë pa kthim. Në udhëtimin tonë drejt Evropës këto 3 dekada, ne kemi bërë sakrifica të mëdha, shkodranët kanë qenë në ballë të këtyre sakrificave dhe i njohin këto dhimbje fare mirë, por tani ka ardhur koha që të bashkohemi edhe njëherë, në një betejë finale, për t’i mbyllur 3 dekadat e tranzicionit të tejzgjatur postkomunist, për t’ju ofruar njerëzve asgjë më pak se standardi evropian në zgjedhje, në drejtësi, në ekonomi, në punësim, në arsim, në shëndetësi dhe në përkrahje sociale. Qeveria e Edi Ramës erdhi në pushtet me krimin dhe kur e lidh fatin me krimin nuk të bëhet vonë për qytetarët, ndaj jo vetëm nuk mbajti asnjë premtim, por shkatërroi me vetëdije ekonominë e vendit. 300 mijë vende pune premtoi, 500 mijë shqiptarë ka çuar në azil. Shëndetësi falas premtoi, ka mbetur Shqipëria me më pak mjekë për banorë sesa vendet më të varfra të Afrikës. Lista e barnave të rimbursueshme është mbushur me helme, që në vend që t’i kurojnë, i vdesin më shpejt pacientët, ndërsa arsimi shqiptar renditet sot i fundit në Evropë, ndër më të fundit në botë. Premtoi uljen e taksave për 97 % të shqiptarëve dhe 100 % e shqiptarëve e paguajnë sot naftën më shtrenjtë se çdo popull tjetër evropian. Faturat e energjisë, faturat e ilaçeve, marrin me një të rënë të lapsit, fshijnë pensionin e çdo pensionisti, premtoi reformë arsimore dhe e zhyti arsimin shqiptar në kohën më të keqe në 100 vite. Arsimi me cilësinë më të dobët me çmimet më të larta. Ky vend kurrë nuk është qeverisur më keq prej momentin që Edi Rama dhe krimi i organizuar u ulën në tavolinën e pushtetit.

Këto, shkodranët dhe shqiptarët i dinë fare mirë. Ju e dini fare mirë se çfarë do të thotë të mos kesh mundësi të mbyllësh muajin, çfarë do të thotë të zhytesh në borxh për të paguar borxhin, çfarë do të thotë të kërkosh punë për javë, për muaj, për vite e të mos gjesh punë, çfarë do të thotë të zgjohesh çdo mëngjes me ankthin se do të mbyllet vendi i punës, se do të mbyllen qepenat. Ju e dini fare mirë se në këtë qytet, akoma më egërsisht se kudo tjetër në Shqipëri, bandat e taksidarëve kanë shkatërruar biznesin e vogël, palcën dhe shtyllën kurrizore të ekonomisë, kanë mbyllur qepenat e 30 bizneseve përditë, kanë shkaktuar mjerim dhe papunësi. Është skalitur në tavolinat e shqiptarëve ky mjerim, duket në xhepat e tyre të zbrazur, në shëndetin e tyre të përkeqësuar, në kujdesin për vogëlushët, që kurrë nuk ka qenë më i keq, tek fermerët e dëshpëruar që prodhimet e tyre nuk ja besojnë dot as tregut, as dyqaneve dhe as industrisë së agro-përpunimit, por i hedhin në kanal. Duket tek mjerimi i pensionistëve, shumica e të cilëve ushqehen një herë në ditë, duket tek dëshpërimi i rinisë, e cila ndodhet vetëm para dy alternativave: të ulë kokën apo të largohet në emigracion.

E pra sot, këta 200 të rinj po thonë jo, asnjëra prej tyre nuk pranohet. Ne do të qëndrojmë, ne do të përballemi, ne do të luftojmë, ne do të fitojmë. Beteja jonë zhvillohet jo thjesht dhe vetëm për të afruar ditën e një parlamenti legjitim, ku deputetët të jenë zgjedhur nga njerëzit dhe jo nga krimi, ta kenë lidhur fatin me njerëzit dhe jo me krimin, dhe ku qeveria e ardhshme të jetë peng i qytetarëve dhe ku qeveritarët e ardhshëm të kenë frikë vetëm qytetarët dhe Zotin në qiell, jo kriminelët, jo hajdutët, jo oligarkët me të cilët ka ardhur në pushtet banda që sot qeveris.

Vëllezër e motra, qytetarët që na janë bashkuar në këtë betejë e dinë , por duhet ta dinë akoma më mirë se ajo që na pret në fund të kësaj beteje nuk është thjesht rotacioni politik. Partia Demokratike e Shqipërisë është në këtë betejë, demokratët janë në këtë betejë jo thjesht dhe vetëm për rotacionin politik, i cili po vjen dhe është i pashmangshëm. PD dhe aleatët janë sot maxhoranca absolute morale, politike dhe numerike në vend. Por ne nuk jemi në këtë betejë thjesht dhe vetëm për rotacionin politik, i cili është sot më shumë se kurrë emergjencë kombëtare.

Ne jemi në këtë betejë për të diktuar me bashkimin tonë, që njëherë e mirë rregullat europiane të demokracisë dhe të zgjedhjeve të lira, të jenë rregullat e zgjedhjeve shqiptare. Për këtë, garancia e vetme është një qeveri tranzitore pa Edi Ramën kryeministër, përdhunuesi serial i zgjedhjeve nuk mund dhe nuk do të jetë kujdestari i zgjedhjeve të ardhshme. Për këtë duhet një reformë e vërtetë zgjedhore, për të cilën pyetet drejtëpërdrejtë dhe vendos sovrani. Pyetën qytetarët dhe vendosin qytetarët. Ndaj dua tu jap sot një mesazh, të gjithë atyre që janë ulur në sallën e krimit, në Kuvendin e Shqipërisë, krah për krah DamianGjiknurit, të pandehurit kryesor të dosjes 184, që duhet të ishte në burg e nuk mund të jetë kurrë kryetar i Komisionit të Reformës Zgjedhore, krah për krah hiearkëve të tjerë socialistë të kapur nga prokuroria duke folur me bosët e krimit për të tjetërsuar vota, për të blerë vota, për të kërcënuar dhe intimiduar votuesit e opozitës, për ti nxjerrë nga puna, për ti shantazhuar, madje për ti vënë dhe armën në gjoks, me qëllim që të dorëzonin vullnetin e sovranit te krimi. Zonja dhe zotërinj, ai nuk është komisioni i reformës zgjedhore, për ne, ai është në pjesën më të madhe komisioni i paraburgimit tëDamianGjiknurit dhe të gjithë kriminelëve të tjerë zgjedhorë. Asnjë produkt i kësaj skote, nuk përbën gjë tjetër për opozitën shqiptare, për mbështetësit tanë dhe për gjithë shqiptarët e ndershëm, përveç një paçavure turpi, nuk e njohim. Nuk do ta njohim, mos harxhoni kohën kot.

Përkundrazi, procesi i ndryshimeve të thella kushtetuese, që duhet patjetër të ndodhin, për një transformim të vërtetë, duhet dhe do të bëhet me konsultimin më të hapur publik, duhet dhe do ti nënshtrohet referendumit popullor.

Kemi dëgjuar nga ju, demokratët e Shkodrës, të Vlorës, Korçës, Durrësit, Gjirokastrës, Matit, Elbasanit, anembanë Shqipërisë, propozime të ndryshme. Ne jemi të hapur ti diskutojmë ato, në një tryezë të vërtetë të dialogut politik.

Parlament me 100 deputetë të zgjedhur direkt nga populli, që përfaqësojnëdrejtëpërdrejtë vullnetin e qytetarëve, apo një sistem kombëtar me lista të hapura.

Një dhomë e dytë, senat, që zgjedh eminencat e elitës së mendjes dhe shpirtit shqiptar, për ti vënë fre legjislacionit që kalon me shpejtësinë e rrufesë, për të zhvatur xhepat e qytetarëve, për të cënuar dhe vjedhur pronën e tyre, apo për të avantazhuar oligarkët duke u rikthyer dividentin, siç ndodhi në dhjetor të vitit të kaluar.

Një president që të ketë kompetenca të mjaftueshme për të kontrolluar zbatimin e Kushtetutës, pse jo një President të zgjedhur nga populli.

Referendume qytetare, kombëtare e lokale, për të gjitha çështjet e rëndësishme që prekin drejtëpërdrejtë shëndetin, sigurinë, lirinë, pronën dhe ambientin.

Të gjitha këto, janë dhe do të jenë pjesë e dialogut të vërtetë me shqiptarët, dhe do të miratohen vetëm kur shqiptarët ti vulosin me votën e tyre. Por vota e lirë sot, është me kërcënuar se kurrë në këto 29 vite, ndaj beteja për votën e lirë, është betejë për lirinë e çdo shqiptari. Është betejë kundër mjerimit. Sepse ishte asgjësimi i votës që solli asgjësimin e qeverisjes llogaridhënëse. Ishte asgjësimi i votës që asgjësoi transparencën, që kapi Prokurorin e Përgjithshëm, Prokurorin e Krimeve të Rënda, kapi drejtësinë, kapi institucionet, kapi mediat. Ishte asgjësimi i votës së lirë, që çoi në vjedhjet më gjigande të shqiptarëve në këtë shekull. Pa votën e lirë, Shqipëria nuk do të bëjë përpara. Pa votën e lirë, dyert e Europës do të mbeten të mbyllura.

Pa votën e lirë, askush nuk do të ndihet Zot në shtëpinë e tij. Krimi do të ndihet Zot në shtëpitë tuaja, në bizneset tuaja, në vendet tuaja të punës, në shkollat tuaja, në spitalet tuaja dhe në institucionet tuaja.

Kjo, nuk mund të vazhdojë më!

Kjo, nuk do të vazhdojë më!

Parakusht i çlirimit të votës, është çlirimi i qeverisjes nga krimi. Sepse nuk mund të ketë votime të lira me një qeveri të kapur nga krimi.

Nuk mund të ketë zgjedhje të lira me Edi Ramën kryeministër.

Ndaj, kur na pyesin se cili është hapi i par zgjidhjen e krizës, le të jua themi të gjithë atyre që nuk e kanë kuptuar akoma, në shqip, në anglisht, apo çdo gjuhë tjetër:

Rama ik!

Vetëm një qeveri tranzitore do ti hapë rrugë procesit të lirë zgjedhor. Por miqtë e mi, një proces i lirë zgjedhor dhe një qeveri e dalë nga zgjedhjet e lira dhe të ndershme, nuk është stacioni ynë final.

Ne kemi ndarë me shqiptarët vizionin tonë për të ndalur krizën ekonomike, për të arrestuar kolapsin total të biznesit, të bujqësisë, të sipërmarrjes punëdhënëse, të investimeve, për të ndalur krizën e thellë në shëndetësi dhe në arsim. Për të rikthyer sigurinë në sheshet, rrugët e qyteteve dhe fshatrave tona.

Është rasti pra, të shkojmë derë më derë, për ti ftuar të na bashkohen në betejën tonë, të gjithë, demokratët po se po, mbështetësit dhe simpatizantët tanë, por edhe socialistët e dhunuar nga organizata kriminale e rilindjes. T’ju kujtojmë atyre, se në fund të kësaj beteje, i pret një ekonomi e çliruar nga krimi.

Vendimi i parë i qeverisë së dalë nga vota e lirë e shqiptarëve, do të jetë ulja e menjëhershme e çmimit të karburantit, duke eleminuar taksën “Rama” mbi naftën, plot 300 lek për çdo litër.

Ulja e çmimit të energjisë për biznesin prodhues dhe për konsumatorin.

Do të jetë kategorizimi “biznes i vogël” i çdo sipërmarrje me xhiro vjetore nën 140 milion lek të vjetra. Do të jetë pa TVSH, do të ketë vetëm një taksë qeveritare dhe bashkiake. 0.5 përqind e xhiros do të shkojë për pushtetin vendor, çdo taksë tjetër do të eliminohet dhe do të anulohet. Dhe pulla fiskale, në derën apo qepenin e biznesit të vogël që plotëson këto kushte, do të jetëpostoblloku që do të ndalojë përgjithmonë praninë e taksidarëve, inspektorëve dhe zuzarëve të administratës.

Biznesi i vogël, është palca e ekonomisë, është punëdhënësi më i madh. Me qeverinë tonë të ardhshme, biznesi i vogël dhe i mesëm, do të ketë jo një armik të betuar, siç është sot banda kriminale e rilindjes, por aleatin më të fuqishëm, për të punuar në liri, me qetësi dhe me dinjitet. Përtë siguruar punësim, paga dinjitoze dhe kushte dinjitoze.

Zonja dhe zotërinj!

Ne do ti japim fund sistemit më kriminal fiskal që ndërtoi rilindja.

9 përqind taksa në Maqedoni, 9 përqind taksa në Mal të zi, 9 përqind në Hungari, 15 përqind në Shqipëri. Çfarë ka sjellë kjo e dimë fare mirë: zbrazje tëtë arkës së shtetit, sepse bizneset falimentojnë ose kalojnë nëinformalitet, papunësi, mungesëkonkurence. Jemi të fundit në rajon.

Ka 5 vjet që Edi Rama, nuk thotë dot një investim të huaj që të ketë sjellë në Shqipëri, por të gjithë mund ti numërojmë dhjetëra që ka larguar.

Taksa e sheshtë 9 përqind, 9 përqind përfitimi për korporatat, 9 përqind për rrogat mbi 300 mijë lek, natyrisht duke e ruajtur zero, nën 300 mijë lek, 9 përqind për sigurimet shoqërore.

Çlirim i ekonomisë shqiptare, i profesionistëve shqiptarë, nga zgjedha e taksës progresive.

Zonja dhe zotërinj!

Qindra milion euro zhduken çdo muaj në xhepat e 10 oligarkëve, të cilëve Edi Rama u ka falur çdo gjë, tenderakonçensione dhe PPP.

Vetëm vitin e kaluar 1,7 miliardë euro dëmi ekonomik sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit. Këto para janë paratë e qytetarëve shqiptarë. Shumëkush ka nevojë për këto para. Askush nuk ka nevojë më shumë për këto para se prindërit tanë, mosha e tretë, që u rropat një jetë të tërë, si skllevër, shpeshherë me barkun bosh për të ushqyer fëmijët e tyre, dhe sot nuk ju mjafton pensioni as për të blerë bukë dhe djathë, pasi paguajnë dritat, pasi paguajnë ilaçet. Le ta themi këtu e le ta shpërndani derë më derë se paratë që sot, oligarkët dhe Edi Rama i marrin nga shqiptarët dhe i çojnë në konto sekrete bankare, nga Singapori në Bahamas, do t’ju rikthehen qytetarëve shqiptarë, se premtimi dhe zotimi i Partisë Demokratike do të bëhet realitet, se brenda 4 viteve tona pensioni minimal për çdo shqiptar do të jetë 250 mijë lekë të vjetra në muaj. Ne do t’i japim fund diskriminimit të moshës së tretë, ne do t’u japim fund sirenave të urisë, dhe bashkë me këtë masë, të vonuar por të domosdoshme, do të dyfishojmë ndihmën ekonomike për të gjithë njerëzit në nevojë, që nuk kanë mundësi të konkurrojnë në tregun e punës.

Zonja dhe zotërinj, programi ynë ekonomik është i plotë. I plotë është edhe programi ynë politik. Vetting për politikanët, politikanët e lidhur me krimin nuk do të kenë vend në parlament, as në bashi, as në institucione. Programi ynë politik parashikon ligjin anti-mafia kundër oligarkëve, që nuk do mjaftohet vetëm me ndalimin e PPP-ve dhe koncesioneve korruptive, por paratë që kanë vjedhur, pasuritë që kanë vënë mbi shpinën e shkodranëve dhe të shqiptarëve të pambrojtur, të vjedhur e të goditur,pasuritë që kanë vënë në kurrizin tuaj, pasuritë që kanë grabitur do t’ju konfiksohen e do t’i kthehen publikut shqiptar, qytetarëve shqiptarë.

E pra vëllezër e motra, rruga për një transformim të thellë politik dhe ekonomik vetëm sapo ka nisur. Gjysmën e rrugës e kemi bërë së bashku. Të madh e të vogël në Shqipëri nuk gjen sot të mos e dijë se vendi po shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme dhe kjo është fitorja e parë e bashkimit tonë popullor.

Por zonja dhe zotërinj, kushtet për zgjedhje të lira e të ndershme janë akoma beteja jonë. Gjysma e betejës është bërë, gjysma tjetër na thërret. Shumë keni dhënë këto 6 vite, akoma më shumë këto 11 javë. Lodhje, sakrificë,… Jeni përballur me terror policor, jeni përballur me hakmarrjen kriminale të Edi Ramës dhe veglave të tij, por nuk ju ka ndalur dot, s’ju kanë shkurajuar dot, derë më derë keni arritur të mblidhni bashkimin më të madh të shkodranëve këtu në Shkodër, e keni derdhur këtë energji në Tiranë, i keni dhënë zemër gjithë Shqipërisë, i keni dhënë zemër gjithë kombit. Janë hapat e fundit të kësaj maratone. Në javët e ardhshme do të përcaktohet fati i Shqipërisë për 5, 10 ose 15 vitet e ardhshme.

Në javët e ardhshme do të përcaktohet fati i atyre që sot janë 5 vjeç dhe 10 vjeç. Për herë të parë në këtë betejë, forcën për ta përcaktuar këtë fat nuk e kanë më Safet Bajri me shokë, as Astrit Avdyli me shokë, nuk e kanë as çelët, as Sanxhaktarët, as EmilianoShullazi. Për herë të parë forcën për ta përcaktuar se si do të jetë Shqipëria në 5 vitet e ardhshme, në 10 vitet e ardhshme, në 15 vitet e ardhshme, nuk e ka më Edi Rama, i lidhur me këta kriminelë dhe me oligarkët që e shoqërojnë nga mëngjesi deri në darkë. Për herë të parë në këto 6 vite e gjysëm, fuqia e frikës si instrument sundimi i Edi Ramës, forca e përçarjes së shqiptarëve si vegla tinzare e qeverisjes mbi shqiptarët, helmi i gjuhës mashtruese dhe gënjeshtare , i propagandës boshe, nuk e ka fuqinë, për të vendosur si do të jenë 5, 10, 15 vitet e ardhme. Për herë të parë, fatin për të përcaktuar të ardhmen, e keni ju, e kanë shqiptarët e bashkuar dhe të vendosur për t’i shkuar deri në fund betejës. Me vendosmëri, me qartësi, jo me zemërim, megjithëse kemi boll arsye të jemi të zemëruar, jo me mllef megjithëse çdo gjë që kanë bërë mbi ju dhe familjet tuaja do të mjaftonte ta mbushte me mllef gjithë Adriatikun, por plot me shpresë, me besim, duke i dhënë dorën njëri tjetrit, duke bashkuar çdo demokrat, opozitar e çdo shqiptar në një oqean shprese, në një kaskadë drite dhe shprese që nuk do t’i bëjë dot ballë asnjë mur tiranie e padrejtësie në Tiranë, as në 11 maj, as në 30 qershor.

Për herë të parë fati i kësaj beteje është në dorën tonë, është në dorën tuaj. Ndaj kam ardhur t’ju kërkoj edhe njëherë më shumë sakrificë, më shumë djersë, më shumë vendosmëri. Të vazhdojmë kështu siç e kemi nisur këtë rrugë, ta çojmë atë deri në fund me besim të madh, me besim hyjnor tek kauza jonë e drejtë, duke u lutur dhe besuar se bekimi i Zotit do të zbresë mbi këtë tokë të lashtë dhe mbi çdo shqiptare e shqiptar të ndershëm. Të vendosur të mos pranojmë asgjë më pak se standardet evropiane, të vendosur për të sakrifikuar gjithçka për lirinë dhe demokracinë, dhe për t’i dhënë këtë mesazh kundërshtarëve të lirisë dhe demokracisë, dhe atyre qe kanë humbur rrugën e arsyes, u them: thirrini mendjes. Kjo betejë nuk do të mbarojë me humbjen e popullit shqiptar, demokracia nuk do të bjerë në errësirë, liria nuk do të përdhoset, qeverisja nuk do t’u takojë kriminelëve. Është ora e shqiptarëve të ndershëm, është ora e shqiptarë punëtorë, është ora e shqiptarëve të Zotit, është ora e shqiptarëve europianë.

Është Ora e Shkodrës, Shkodrës si qytetari, Shkodrës si kurajo, Shkodrës si sinonim i lirisë dhe demokracisë.

Zoti e bekoftë Shkodrën! Zoti i bekoftë shkodranët! Zoti e bekoftë Shqipërinë!

Fitore!

*Kryetar i PD .Fjala e plote ne takimin e Shkodres