“Jo mburojë të interesave personale të Sali Berishës dhe aleatëve të tij “- drejtuesit e  PD-së i përgjigjen Berishës 

Ish-Kryeministri Sali Berisha i ka kërkuar dorëheqje të menjëhershme Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, Gazment Bardhi dhe 4 nën-kryetarëve, Tabaku, Duma, Rushaj dhe Alibeaj, pasi sipas tij nuk janë zgjedhur në postet që kanë me vota.

Mbrëmjen e sotme, Sali Berishës i ka ardhur përgjigja nga 5 personat në fjalë, të cilët i thonë ish-Kryedemokratit se po i sulmon vetëm pse ata mbrojnë interesat e demokratëve dhe nuk rreshtohen krah tij kundër partisë.

Ata nëjzëri i drejtohen ish-Kryeministrit duke i thënë se refuzojnë kategorikisht që për interesa personale të Berishës të shkelin statutin e Partisë Demokratike, duke shtuar se asnjë intimidim nuk do të ndryshojë pozicionin e tyre.

Reagimi i plotë

REAGIM I PËRBASHKËT I NËNKRYETARËVE DHE SEKRETARIT TË PËRGJITHSHËM TË PARTISË DEMOKRATIKE

Prej disa ditëve, për shkak të qëndrimit tonë në mbrojtje të demokratëve dhe interesit të Partisë Demokratike, z. Sali Berisha ka nisur një fushatë të padenjë sulmesh ndaj Nënkryetarëve dhe Sekretarit të Përgjithshëm të PD. Me keqardhje, përsëritet kërkesa që ne duhet të braktisim Partinë Demokratike dhe demokratët, dhe të bëhemi bashkë me Sali Berishën kundër partisë.

Secili prej nesh është i vendosur të refuzojë shkeljen e Statutit për interesa personale të Sali Berishës dhe izolimin e Partisë Demokratike. Kërkesa e z. Berisha nuk ka asnjë lidhje me PD, asnjë lidhje me standartet demokratike, asnjë lidhje me hallet dhe problemet e demokratëve. Demokratët kanë 8 vite që përballen me dhunën dhe terrorin e Edi Ramës, me krimin dhe bandat e tij dhe nuk jemi sprapsur as kthyer nga rruga për t’i shërbyer Shqipërisë dhe shqiptarëve. Ne e kemi për detyrë të jeni krah tyre.

Asnjë intimidim nuk do të ndikojë në qëndrimin tonë në krah të demokratëve, për një parti që u shërben atyre dhe jo që kthehet në mburojë të interesave personale të Sali Berishës, aleatëve të tij dhe cilitdo tjetër.