JA PSE NUK JANË TË GJITHË NJËLLOJ

Nga Av. Xhafer Sadiku

(Një pjesë e vogël nga e vërteta)

Jo vetëm shoqëria si e tërë dhe partitë politike, por as grupe më të vogla të shoqërisë nuk kanë qenë dhe nuk janë të gjithë njëlloj.
Kështu, komunistët nuk mund të jenë njëlloj, pasi që në kohën e regjimit komunist nuk kanë punuar të gjithë në organet e dhunës. Po kështu, nuk silleshin keq të gjithë në fshatra, ndërmarrje apo institucione.
Kundërshtarët regjimi i ndante në disa grupe. Disa të dhëna të shtatorit 1979, që u përkasin vetëm katër grupeve të ndryshme, sipas Sigurimit të Shtetit, na i jep pasqyra me poshte.

Krahas agjentëve dhe informatorëve që ishin rekrutuar nga radhët e tyre, kundër këtyre grupimeve jepnin edhe bashkëpunëtorë të Sigurimit me biografi “të mirë”. Këta ishin vecanërisht të besuar. Kështu:

Në drejtim të kulakëve jepnin 3 agjentë, 10 informatorë, 33 rezidentë dhe 26 strehues, me biografi “te mire”.

Në drejtim të ish klerikëve, jepnin 4 agjentë dhe 2 strehues.

Në drejtim të ish borgjezisë: 18 agjentë, 27 informatorë, 1 rezident, 8 strehues.

Në drejtim të grupimeve të tjera: 62 agjentë, 84 informatorë, 126 rezidentë dhe 146 strehues.

Me ndonjë përjashtim të rrallë, ata që kanë qenë në shërbim të Sigurimit të Shtetit nga këto grupime, kanë qene të detyruar me material shtërngues. Por duhet të theksojmë se nuk kanë të njëjtin status, as ligjor dhe as moral me ata që janë persekutuar me egërsi nga Sigurimi i Shtetit.

Ata që kanë përballuar terrorin e Sigurimit të shtetit janë heronj të vërtetë, te cilet kanë heshtur për 30 vite me radhë. Ka ardhur koha që të flasim e të vlerësojmë ata që e meritojnë. Se nuk janë të gjithë njëlloj dhe së pari u takon këtyre nderi dhe respekti i shoqërisë. Ishte morali i tyre që e theu Sigurimin e Shtetit dhe Regjimin komunist.

Morali i tyre po mban gjallë rezistencën kundër MAFIES përkundër atyre që mundohen ti bëjnë të tërë pis, duke propaganduar se janë të gjithë njëlloj.