Ish-presidenti Trump i kërkon Gjykatës së Lartë të bllokojë dorëzimin e të dhënave të Shtëpisë së Bardhë

 

Ish-presidenti Donald Trump i kërkoi të enjten Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara të bllokojë publikimin e të dhënave të Shtëpisë së Bardhë të kërkuara nga komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve që po heton sulmin vdekjeprurës të 6 janarit në Kapitol.

Kërkesa e zotit Trump erdhi dy javë pasi Gjykata e Apelit e Shteteve të Bashkuara për Qarkun e kryeqytetit Uashington arriti në përfundimin se ish-presidenti nuk kishte asnjë bazë për të kundërshtuar vendimin e presidentit demokrat Joe Biden për të lejuar dorëzimin e dokumenteve. Vendimi nuk do të zbatohet derisa të vendosë Gjykata e Lartë.

Zoti Biden kishte përcaktuar më parë se të dhënat, të cilat i përkasin degës ekzekutive, nuk duhet të përfitojnë nga privilegji ekzekutiv, sipas së cilit mbahen konfidenciale disa komunikime të brendshme të Shtëpisë së Bardhë dhe se dorëzimi i tyre në Kongres ishte në interesin më të mirë të vendit.

Avokatët e ish-presidentit Trump thonë në dosjen e tyre gjyqësore se kërkesa e Komisionit të poaçëm të Dhomës së Përfaqësuesve është “shumë e gjerë” dhe një “shkelje e pashembullt e privilegjit ekzekutiv”.

Vendimi i gjykatës së apelit ishte një tjetër goditje për ish-presidentin republikan dhe aleatët e tij, të cilët kanë zhvilluar një betejë ligjore të vazhdueshme me komisionin për qasjen tek dokumentat dhe dëshmitarët.

Komisioni i ka kërkuar Arkivave Kombëtare, agjencisë amerikane ku mbahen të dhënat e Shtëpisë së Bardhë gjatë mandatit të zotit Trump, të dorëzojë regjistrat e vizitorëve, të dhënat telefonike dhe komunikimet me shkrim midis këshilltarëve të tij.

Paneli ka thënë se i duhen të dhënat për të analizuar se çfarë roli mund të ketë luajtur zoti Trump në nxitjen e dhunës.

Ish-presidenti Trump ka argumentuar se ai mund të kërkojë përdorimin e privilegjit ekzekutiv bazuar në faktin se ai ishte president në atë kohë edhe pse ai nuk është më në detyrë.

Gjykata e Lartë ka një shumicë 6-3 konservatore që përfshin tre gjyqtarë të emëruar nga Trump, por ajo nuk i ka pranuar gjithmonë kërkesat e tij.