INTELEKTUALI I MADH I QYTETIT TË VOGEL

Nga Xhafer Sadiku

Ziso Vangjeli, njohës i 9 gjuhëve të huaja, pas 30 vjetësh në SHBA e Francë, u riatdhesua më 1962, me dëshirën për të dhënë mësim frengjisht ose anglisht, në Tiranë ose Korçë. Por, sa shkeli në atdhe e degdisën në Përmetin e largët, ku e lanë pa punë e pa shtëpi dhe pas gjashtë vitesh përpunim nga Sigurimi, në prill 1968 e arrestuan dhe dënuan me 20 vite burg.

Gjatë 6 viteve në përpunim, Sigurimi përdori 15 bashkëpunëtorë, ku më aktivët ishin “Drejtuesi”, “Tigri”, “Çapkëni”, “Danubi”, “Zambaku”, Tërbuqsasi”, “Luani”, “Sirena”, “Burbuqja”, etj. Midis tyre ishin disa ish të burgosur, si “Zambaku” apo agjenti i birucave “Ndërgjegjia”. Tërë përpunimi drejtohej nga operativët e Sigurimit, Ndrekua, Mihua dhe hetues Dhimitri.

Ditët e para, pas daljes nga burgu (1986), rrinte tek lulishtja e qytetit, afër shatërvanit. Një ditë iu ul pranë një ish i burgosur dhe pasi bënë një bisedë të shkurtër, kur u ndanë, Zisua e porositi ti bënte të fala mikut të tij të burgut, Dhiogjen Nakos dhe Gjergji Priftit e motrës së tij.

Mirëpo, “Jeshili” takoi Benin, tek guva buzë Vjosës dhe i raportoi ç’ka biseduan me Zison, madje i futi edhe një shpifje. Përsëri e morën në kontroll operativ 2-B. Tashmë që i kishte kaluar 70 vjet! Sigurimi tmerrohej nga personaliteti i tij. Të rinjtë e qytetit të Përmetit, madje edhe fëmijët ishin miqtë e tij të përhershëm qe dëgjonin me vemëndje të madhe leksionet e tij për arsimin, letërsinë dhe artin.

Megjithë se nuk kishte të afërm në qytetin e Përmetit, ai vizitonte varret e miqve të tij Avram Priftit dhe Fore Josifit.
Atë vit, Zisua shkoi në shtëpinë e të moshuarëve në Gjirokastër, por as atje nuk iu ndanë. Ishte “Sokoli” që “interesohej” për të, sipas porosive te operativ Thanasit.

Kanë kaluar vite, por rrallë e kujtojnë intelektualin e madh në qytetin e vogël. Kujtojnë kriminelët dhe lakenjtë e tyre.