I ngjajmë atdheut. Poezi nga Albert Avduli

I ngjajmë atdheut.
Atdheu i varfër, ne si ai.
Atdheu i zhvatur, ne të rjepur
Atdheu i trembur, ne frikacakë
Atdheu llapashitet në banalitete shtetërore, ne baltosemi në moçalin e lagjes.
Atdheu na denigron të gjithëve, ne përbuzim të vobektin e pallatit.
Atdheu i varur nga fuqitë e mëdha, ne sytë te drejtori që njohim
Atdheu ju bindet brigadierëve që dërgon Evropa, ne bindemi administratorit të pallatit.
Atdheu pret qesen nga perëndimi, ne qeskën nga qeveria.
Atdheu në zemër ka bashkimin sovjetik, por flet për bashkimin evropian, ne formimin e kemi kolkozian, as kujtohemi për liri individuale.
Atdheu pa gjykata, ne pa të drejta.
Atdheu me ethe, ne të gjithë kollitemi.
Atdheu i lyp botës, ne lypim torba në qeveri.
Atdheu krekoset në delir, ne trashemi prej stresit.
Atdheut i duket se ndriçon botën, ne dehemi me raki mare, alkool evrope dhe filozofojmë.
Atdheut ja mban çelsat Evropa, ne çelsat e shtëpisë ja dorëzojmë qeverisë.
Atdheu na vjedh, ne fshehim diçka nga rroga për cigare.
Atdheu shfaqet ekraneve si i bukuri dheut, ne postojmë foto me gjel të pjekur.
Atdheu jep opinione për Amerikën, ne bëjmë biografitë e gjithë ballkanasve.
Atdheu mburret se ka iluminuar evropën, ne mburremi se kemi kushëririn polic.
Atdheut i janë shqyer gjithë hatullat e çatisë, por kujdeset për mbarëvajtjen e Ukrainës, ne rroga na mjafton për 10 ditë, por këmishën e duam sa një rrogë.
Atdheu e paguan mjekun si hidraulik, ne e deklarojmë birin tre vjeçar si gjeni në disa lëmi
Atdheu na thotë se jemi të lirë, ne dëgjojmë tingujt e prangave dhe ngazëllehemi.
Atdheu ndihet kampion, ne i mburremi komshiut se dikur shënuam gol me ekipin e lagjes.
Atdheu frymon marrëzi, ne marrosemi të gjithë.
Atdheu ndihet lindje, ne fotografojmë perëndimin.
Kjo është e vetmja mospërputhje me Atdheun