Homazh virtual në kohën e pandemisë

Nga Moza Boletini

Gratë shqiptare flasin mbi jetën dhe persekucionin e tyre politik gjatë rregjimit komunist në Shqipëri dhe trevave të tjera shqiptare

Marrë shkas nga “Fondacioni Amerikan në Mbrojtje të Viktimave të Komunizmit” në Washington, D.C., ku me rastin e Ditës Botërore Kundër Komunizmit do të mbajnë virtualisht homazhe për viktimat e rëna nga komunizmi edhe Organizata e Gruas “Shpresë & Paqe” gjeti kohë për të mbajtur mes anëtareve të saj virtualisht homazhe për viktimat e rëna nga komunizmi në Shqipëri.
Edhe pse kombet janë mbërthyer nga pandemia vdekjeprurëse e covid- 19, ato folën mbi të vrarët, persekucionin e vuajtjet që kanë përjetuar gjatë viteve të diktaturës komuniste. Nisur nga angazhimi menduam që videon ta shpalosim në dokumentar, si një ndër prioritetet e organizatës. Me modesti e përkushtimin ndaj të drejtave të grave dhe fëmijëve përveshëm mëngët, filluam xhirimet, protagoniste janë vetë ato gra, nëna, vajza e motra shqiptare që janë persekutuar padrejtësisht nga rregjimi i egër komunist. Do të jenë personazhe nga fusha të ndryshme të jetës të cilat do të hedhin dritë mbi dramën e hallet e tyre nga komunizmi e sllavo komunizmi në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e treva të tjera shqiptare.Komunizmi nuk njohu ligje humane, ai vrau, burgosi, e internoi edhe vajza, gra, nëna shtatëzëna deri fëmijë të vegjël, të cilët kanë lënë trupat e tyre të njomë nëpër kampet e përqëndrimit shqiptar, nga malarja, dizanteria, epidemi, ushqimi mizerabël e kushtet e rënda higjeno sanitare. Filmimet për dokumentarin vazhdojnë, kush ka dëshirë dhe e ndjen se duhet të jetë pjesë e tij është e mirëpritur. Dëshmitë e çdo njërës do të jenë fakte reale të asaj historie të dhimbshme dhe kujtesë homazh për brezat e rinj.