Historiani Çelo Hoxha: Vdekshmëria foshnjore në komunizëm dy herë më të lartë se në kohën e Zogut

 

Në komunizëm Shqipëria kishte vdekshmërinë foshnjore më të lartë në Evropë dhe dy herë më të lartë se në kohën e Zogut
Shqippëria ishte ndër vendet me vdekshmërinë foshnjore më të lartë në Evropë, gjatë periudhës 1960-80, dhe dy herë më të lartë se në kohën e mbretërisë, thuhet në një studim të mbajtur në një konferencë shkencore të organizuar nga Fakulteti i Shkencave Sociale, i Univeristetit të Tiranës, më 27-28 tetor.
Sipas studimit të kryer nga historiani Çelo Hoxha, njëkohësisht nëndrejtor i Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, vetëm në periudhën 1960-80, ku është përqëndruar studimi, në Shqipëri vdiqën në total 127 189 fëmijë të moshës 0-1 vjeç, mesatarisht 6056 fëmijë në vit.
Krahasuar me numrin e përgjithshëm të vdekjeve në nivel kombëtar për të njëjtën periudhë, thuhet në studimin e mbajtur në konferencën “Qasje shkencore dhe kulutore për totalitarizmin: rasti i Shqipërisë”, vdekjet e foshnjave zënë 35.6% të vdekjeve. Për vitet para ardhjes së komunistëve në pushtet, për të cilët ka statistika (1938, 1939, 1942), vdekshmëria foshnjore, e krahasuar me vdekjet e përgjithshme në nivel kombëtar, ishte 18.5%, gati sa gjysma e vdekshmërisë në periudhën 1960-80. Ose, në shifra absolute, në periudhën 1960-80 numri mesatar vjetor i fosnjave të vdekura ishte 6056, ndërsa për perioudhën 1938-42 ishte me 3110 vdekje.
Krahasuar me disa vende të Evropës shifrat e Shqipërisë për vdekshmërinë foshnjore ishin shumë të larta, thuhet në studim.
Sipas studimit, më 1980, për çdo 1000 lindje të gjalla, Shqipëria kishte 49.9 vdekje të fëmijëve 0-1 vjeç, ndërsa Greqia (për 1978-ën) 19.3 vdekje , Italia (1977) 17.7, Jugosllavia (1977) 34.9, Hungaria (1978) 24.4 dhe Austria (1978) 15 vdekje. Për vitet e tjera, të cilat studimi i jep me shifra të detajuara, vdekshmëria foshnjore në Shqipëri, krahasuar me vendet e tjera, ka qenë më e madhe.
Studimi vëren se, “në krahasim me vendet e tjera, Shqipëria kishte vdekshmëri të lartë për fëmijët e të gjitha moshave.” Nga një krahasim i bërë nga institucionet shqiptare, numri i vdekjeve të moshës 1-4 vjeç, për 100 000 banorë, ishte i tillë: Shqipëria për vitin 1980: 379, Greqia për vitin 1978: 67.1, Italia për vitin 1977: 62, Jugosllavia për vitin 1977: 134.7, Hungaria për vitin 1978: 63.1, dhe Austria për vitin 1978: 72.4.
Sipas studimit, “edhe në vdekshmërinë e fëmijëve të moshës 5-14 vjeç Shqipëria kishte shifra të larta krahasuar me vendet e tjera.”
Krahasuar me vendet e tjera, Shqipëria nuk kishte pasur gjithmonë shifra negative, thotë studimi. Duke iu referuar një raporti të ministrisë së Shëndetësisë, më 1959, vdekshmëria e fëmijëve 0-1 vjeç, më 1938, ishte më e ulët se në disa vende të Evropës. Sipas raportit që i referohet studimi, më 1938, Shqipëria kishte vdekshmëri foshnjore më të ulët se Italia, Rumania dhe Bullgaria.
Gjatë periudhës 1960-80, që është dhe fokusi i studimit, abortet ishin një fenomen tjetër negativ në fushën e demografisë, thotë studimi.
Sipas studimit, ndryshe vdekshmëria foshnjore, abortet, shumica e tyre të sforcuara, patën rritje të vazhdueshme, sa më 1980 në Tiranë kishte më shumë aborte sa lindje.
Gjatë periudhës 1960-80, në total ndodhën 209 173 dështime, thuhet në studim. Më 1960, viti me numrin më të ulët të dështimeve, raporti lindje-dështim ishte 22.5 me 1, ndërsa më 1980, viti me numrin më të lartë, ky raport zbriti në 4.4 me 1.
Shkaku kryesor për vdekshmërinë foshnjore dhe abortet ishte, sipas raportit, varfëria. Në rastin e foshnjave ishte kequshqyerja, ndërsa në rastin e aborteve dëshira e prindërve për të mos pasur shumë fëmijë.