Hiena e diktaturës komuniste

Nga Justinian Topulli

Mediat kanë dhënë lajmin se qenka groposur për në botën tjetër, kryexhelati i regjimit komunist, Aranit Çela, një hienë e kuqe ky, me fytyrë njeriu, që me pretencat e tij kriminale mori në qafë qindra jetë njerëzish. Të tillë njerëz kujtohen vetëm për keq dhe as vdekja, ky moment sublim i kalimit për në jetën e pasosur, nuk ta zbeh neverinë që ndjen ndaj tyre, por të rikujton se vjen një ditë kur çdokush do të japë llogari, një më një, për bëmat e tij, mes tyre edhe kryeprokurori më famëkeq i Shqipërisë. Sigurisht që bijtë e regjimit, që u edukuan, u rritën dhe u ushqyen ndër të tjera, edhe me bëmat e kësaj hiene, nuk kishin për ta dënuar këtë egërsirë ashtu siç e meritonte. Justifikimi amoral që jepet për mos ndëshkimin e të tillë njerëzve, është se ai paska zbatuar ligjin, e ligji ashtu na paska qenë në atë kohë, dhe ai paska bërë detyrën! Kështu që maksimumi, mund të dënohet për shpërdorim detyre, siç edhe u dënua në fakt ky kriminel dhe më pas u lirua, nga kryengritja e ’97 e neokomunistëve.

Çdo ligj në këtë botë bazohet mbi një parim apo moral të caktuar, dhe nëse kjo bazë është e padrejtë, kriminale dhe e ligë, sigurisht që edhe ligji është i tillë. Nëse ligji do të ishte justifikim për të gjithë kriminelët që ka parë bota, atëherë as Hitleri dhe hienat e tij, nuk duhet të dënoheshin, të vdekur apo të gjallë, nga gjyqet e pasluftës që iu bënë atyre. Vrasja me gjakftohtësi e miliona njerëzve të pafajshëm nga nazistët, sigurisht që u bë brenda një kornize ligjore, e madje çdo krim shtetëror mund të bëhet në mënyrë të tillë, por kjo nuk e bën ekzekutorin apo atë që kryen “detyrën” në këtë rast, një njeri të pafajshëm, sepse ai nuk është një makinë pa jetë që vepron me komandë dhe pa vetëdije, por një qenie njerëzore që vepron me ndërgjegje të plotë. Vetëm një pikëpamje tejet materialiste dhe mekanike për botën, mund të bjerë në këtë batak të justifikimit absurd të krimeve përmes ligjit. Ashtu siç ka parime dhe morale të këqija, ashtu ka edhe ligje të këqija, ashtu siç ka njerëz kriminelë, ashtu ka edhe ligje kriminale, kështu që këtij krimineli që vdiq së fundi, i duhej bërë gjyqi në bazë të amoralitetit mbi të cilin ai u ngrit, se ai i shërbeu me devocion një regjimi kriminal dhe si i tillë, ai ishte edhe vetë një kriminel, paçka se i veshur me kostumin e pushtetit që e emëroi. Por kur në vendin tonë akoma nuk i është bërë gjyqi diktaturës komuniste, si mund të presim t’i bëhet gjyqi pjellave të tij?! E nëse kjo kastë politike dhe ky shtet që ne kemi, nuk rivendos drejtësinë e munguar të krimit që ai sistem bëri ndaj njeriut në këtë vend, pasojat e kësaj mungese drejtësie do të na ndjekin akoma.

Nuk ka mbarësi dhe begati një vend që nuk ka pastruar akoma ndërgjegjen e tij nga fajet e së shkuarës. Të falësh të shkuarën në emër të paqes sociale të pretenduar, do të thotë të mbrosh padrejtësinë dhe të ligën, të shpëtosh kriminelët dhe t’i lësh ata të qetë të vazhdojnë në një tjetër mënyrë aktivitetin e tyre kriminal, siç edhe ka ndodhur në këto tre dekada. Kriminelët e dikurshëm dhe bijtë e tyre ideologjikë apo të gjakut, pacifizmin e sotëm e kanë thjesht vetëm maskë hipokrite për të shpëtuar nga hakmarrja e drejtësisë, dhe nëse nesër vjen përsëri në pushtet ideologjia e tyre, ata do të bëjnë të njëjtën gjë.

I gjithë problemi nuk qëndron tek ata, por tek dobësia e të mirëve, të drejtëve dhe të vuajturve padrejtësisht, që nuk bënë dhe nuk po bëjnë atë që duhej bërë që në fillim të rënies së diktaturës. Njerëzve sot, për të të ardhur keq në fakt, iu intereson të krijojnë sa më shumë një jetë komode, sesa iu intereson drejtësia e munguar dikur, duke mos e kuptuar me mendjeshkurtësinë e tyre, se nuk mund të ketë mirëqenie, zhvillim dhe begati një vend që jeton mbi një plagë të pambyllur akoma.