Hibridët !

Nga Ziso Vangjeli *

Plaku Ziso Vangjeli gjatë luftës kishte zbarkuar në Normandi si oficer amerikan. Historian dhe ushtarak punoi në Paris pastaj në një klub kulturor dhe ju dha të kthehej. Sëmundja e dashurisë për atdhe. Sipas bisedimeve paraprake do të punonte si pedagog. Ja fali shtetit gjithë bibliotekën e tij, por përfundon në burg.
– Kur të bjerë “komunizma”, – thosh – se do të bjerë “patjetër”, ne do të vuajmë më pas me dekada prej hibridit. Komunistët janë të sofistikuar në politikën e kuadrit. Bijtë e të kuqve do të vijojnë etërit. Ajo përzjerje zelli dhe inati, herë i fshehtë e herë i hapur për etërit e kuq që s’patën fuqi dhe mend të ishin të përjetshëm, do t’i bëjë më dinakë dhe më të liq. Nga kundërshtarët e tyre që i urrejnë për vdekje, do të vjedhin idetë, projektet dhe deri dhe sloganet e do t’i propagandojnë më mizorisht për t’i vënë ata në jetë, gjoja si amanete. Dhe do të kërkojnë me çdo çmim zhdukjen e të zotërve të këtyre ideve. Do të kërkojnë pushtet të pamerituar si trashëgimtarë, si zanatçinj të kuq dhe kundërshtarët do t’i durojnë sa për sfond. Do të kërkojnë të bëhën ata pronarë dhe që të mbrohen do të bëjnë atë politikë që etërit e tyre e rroposën ose e luftuan gjithë jetën si bolshevikë të trashë. Kundërshtarët e të kuqve në Shqipëri, ç’kanë mbetur pas kasaphanave dhe të rinjtë që do të dalin, janë të papërvojë. Dhe kështu do të sundojë te ne hibridi. Gjatë, mjaft gjatë. Hibridët janë si monstrat. E për të luftuar ata duhet qenë si ata. Do të jetë më keq ca kohë e njerëzit do të mendojnë diktaturën si zgjidhje. Burg i detyruar. Liri e detyruar. Kaos dhe llum. Pra pas dënimit me burg, populli do të dënohet me liri qorre. Liria qorre është dënim. Se ne nuk do të dimë ç’t’i bëjmë asaj si një gjëje të tepërt. Do ta përdhunojmë si barbarët. Unë nuk do të jem atëhere. Ju do të jeni: Mbahe mend dhe kujtomë. S’ke Ç’bën, jo. Veç kujtomë mua, plakun.

 

*Nga libri  i Visar ZHITIT : “Rrugët e ferrit” faqe 452,453