HESHT, MOS FOLË !

Nga AZIS NESIN

Hesht, mos folë, është turp,
fashite zërin,
në fund të fundit hesht,
dhe, nëse fjala është e argjendtë,
heshtja është floriri vetë.

Të parat fjalë që dëgjova që fëmijë,
kur qaja, qeshja, luaja, më thoshnin:
‘’Hesht !’’.

Në shkollë ma fshehën gjysmën e së vërtetës,
më thoshnin:’’Ç’të duhet ty ? Hesht !’’.

Më puthi vajza e parë që dashurova dhe më thanë:
‘’Pa shih se mos thuash gjë, shshsh…hesht !’’.

Mbylle zërin dhe mos folë, hesht !
Dhe këtë mbaje derisa të bëhesh njëzet vjeç.

Fjala e të madhit,
heshtja e të voglit.

Shihja gjak nëpër trotuare,
‘’Ç’të duhet ty ?’’- më thoshnin,
‘’Do gjesh belanë, hesht !’’.

Më vonë më thërrisnin përgjegjësit:
‘’Mos i fut hundët kudo,
bëj sikur nuk kupton, hesht !’’.

U martova, bëra fëmijë,
ime shoqe ishte punëtore, ndreshmëria vetë
dhe nuk dinte të heshtëte,
kishte një nënë të urtë, që i thoshte:’’Hesht !’’.

Në moshën e brishtë, fqinjët më këshillonin:
‘’Mos u ngatërro, bëj sikur nuk pe gjë. Hesht !’’.
Me fqinjët mund të mos kishim njohje të veçanta,
por me ta na bashkonte fjala ‘’Hesht’’.

Hesht njëri, hesht tjetri, hesht ata lart, hesht ata poshtë,
hesht i gjithë pallati dhe kuadrati i gjithë.
Hesht rrugët pingule dhe ato paralele.
Gëlltitim gjuhën tonë,
kemi gojë, po fjalë nuk kemi.
Ngritëm shoqatën e ‘’Hesht’’
dhe u bëmë shumë,
një forcë e madhe, një popull i tërë, por memec.

Arritëm shumë gjëra, mbërritëm lart, na dhanë dekorata,
na dhanë gjithçka, shumë e më shumë.
Heshtazi, vetëm me ‘’Hesht’’.
Kjo ‘’Hesht’’, mjeshtëri e madhe, vërtet.

Mësoje tët shoqe, fëmijën tënd, tënden vjehrrë,
edhe kur është e nevojshme të flasësh, shkule gjuhën
dhe bëje të heshtë.
Me gjithë rrënjë shkule.
Hidhjua qenve.
Është i vetmi organ i pavlefshëm, kur nuk e përdor si duhet.

Kështu nuk do të kesh ëndrra të llahtarshme, brejtje dhe dyshime,
do të shpëtosh nga ankthi i të folurit, nuk do turpërohesh para fëmijëve të tu,
pa thënë: ‘’Keni të drejtë, jam njëlloj si ju’’.
Ah ! Sa do të doja dhe unë qerratai, të flisja dhe unë !

Dhe nuk do flasësh,
të bëhesh llafazan,
do përjargesh, në vend që të flasësh me fjalë.

Shkule gjuhën, shkule në çast.
Nuk ka hapësirë më tej.
Bëhu shurdhmemec.
Përderisa nuk do flasësh, të paktën guxo, gjuhën tënde preje menjëherë.

Që të jeshë i saktë në planet dhe ëndërrat e mia,
midis ofshamave dhe ngacmimeve e mbaj timen gjuhë,
se mendoj se do të vijë çasti që nuk do duroj më
dhe do shpërthej e nuk do trembem, do kem shpresë
dhe çdo çast grykën një tingull do ma mbushë krejt,
me një pëshpëritje, me një belbëzim, me një britmë që do të thotë:
FOLË ! MOS HESHT !

Përktheu: ILIAZ BOBAJ