“Harton listat dhe voton vetë”, Bardhi publikon provat : Ja si manipuloi e mashtroi Berisha me “referendumin” 

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi deklaroi sot në degën e kësaj partie në njësinë nr.8 në Tiranë, ku rezulton i regjistruar edhe kryedemokrati Lulzim Basha, ish-kryeministri Sali Berisha ka bërë manipulime me firmat e mbledhura për referendumin.

Në një komunikim me mediat Bardhi tha se është pikërisht Berisha ai që harton listat me emra, dhe voton vetë.

Ndër të tjera Bardhi u shpreh se në këtë degë numri në total i anëtarëve është 1200, teksa nga 12-orë filmime nga kamerat në vendin ku u zhvillua referendum, u pa të futeshin në qendrën e votimit 117 persona. Sipas tij, ishin më pak se 10%, dhe jo 760 siç u deklarua nga rezultatet e Komisionit të Rithemelimit.

 

“Secili prej jush gjatë këtyre ditëve ka dëgjuar nga Berisha dhe cilido që ka vendosur interesat e tij mbi ato të demokratëve, se u realizuar një referendum ku morëm pjesën 44 mijë anëtarë. Në fakt institucionet e PD kanë zgjedhur që në nisje të kësaj farse, për të kamufluar interesin e halleve personale, që mos të merren me këto gjëra. Kjo ka qenë arsyeja që nuk jemi marrë kurrë me asnjë proces jolegjitim. Në degën ku rezulton i regjistruar dhe zoti Basha, u pa se ça ndodhi. Sot çdo shqiptar, çdo demokratë ka parë se si nga 117 anëtarë të PD, nga rreth 190 individë që kanë hyrë brenda ambienteve ku bëheshin votimi, rezultati u pa se kishin marrë pjesë më shumë anëtarë. Në këtë degë secili prej jush mund të shihni 12 orë filmime, nga momenti i hapjes së derës deri te procesi i fundit, në këtë proces kanë marrë pjesë më pak se 10% e anëtarëve të kësaj pjesë dege. Ky proces u realizua njësoj në të gjitha degët e partisë. Por kemi vendosur që të heshtim në funksion të demokratëve. Me një 5-fshim apo 6-fishim, ku Berisha harton vetë listat, vetë i jep fletët e votimit, dhe i numëron, kur ky proces është manipuluar në mes të Tiranës, imagjino se çfarë është bërë në degë të tjera të Shqipërisë. Faktet e zbuluara vetëm në një nga degët e partisë e bëjnë të qartë faktin se shumica dërrmuese të demokratëve kanë zgjedhur të ardhmen. Berisha u demaskua. Në 31 vite politikë ai ka provuar se nuk vendos asgjë mbi interesin personal. Kjo tregon braktisjen dhe dëshpërimin që shtyn Berishën drejt thirrjes për dhunë dhe përplasjes mes demokratëve, duke i dhënë frymë pushtetit të Ramës.”, tha Bardhi.