Haradinaj kërkon vendosjen e drejtësisë për rastin e vëllezërve Bytyqi

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se qeveria që drejton, nuk do të ndalet së vepruari për vendosjen e drejtësisë, për rastin e vrasjes së tre vëllezërve Bytyqi, 20 vjet më parë, raporton RFE.
Agron, Yll dhe Mehmet Bytyqi kanë luftuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ata janë vrarë në vitin 1999, pasi paraprakisht janë arrestuar nga autoritetet serbe për shkak të, siç është thënë, hyrjes së paligjshme në Serbi.
“Në 20-vjetorin e vrasjes së vëllezërve Bytyqi, Agronit, Yllit dhe Mehmetit, kujtojmë sakrificën e tyre të pashembullt për lirinë e Atdheut. Ata erdhën nga ShBA-ja për t’iu bashkuar rreshtit të mbrojtësve të kësaj toke dhe thelbi i rënies së tyre shpalosë dimensionin e vërtetë të luftës sonë çlirimtare. Ekzekutimi i tyre pa gjyq dhe drejtësia e munguar e mbanë fajtor edhe sot shtetin serb për mosndëshkimin e krimit,” thekson përmes rrjetit social Facebook, Ramush Haradinaj.
Çështja e vëllezërve Bytyqi, ka dominuar gjithmonë bisedimet ndërmjet zyrtarëve serbë dhe atyre nga Shtetet e Bashkuara, të cilët kanë kërkuar zbardhjen e këtij rasti dhe dënimin e vrasësve.
Për vrasjen e tyre kanë qenë të akuzuar dy policë serbë, Sreten Popoviq dhe Millosh Stojanoviç, por ata janë liruar nga Gjykata e Lartë në Beograd për shkak të, siç është thënë, mungesës së provave.
Kongresmeni amerikan Eliot Engel, në një intervistë për RFE, gjatë vizitës në Beograd, javën e kaluar, tha se “rasti Bytyçi është dashur të zgjidhet kohë më parë”.
“Është një tragjedi e tmerrshme, të gjithë janë vrarë. Ka qenë vrasje e paramenduar dhe mendoj se autoritetet serbe duhet ta zgjidhin sa më parë. Zoti Vuçiç e di shqetësimin tim në lidhje me rastin e vëllezërve Bytyçi. Kemi folur detajisht për këtë në Uashington dhe tani në Beograd”, tha Engel.