“Halabak” _Rama  shkarkon live  kreut të Hipotekës në Durrës

 

 

Kryeministri Edi Rama ka shkarkuar nga detyra kryetarin e Hipotekës së Durrësit, Ardian Iljazaj.

Njoftimin për shkarkim ia komunikoi live nga Kryeministria në takimin e përjavshëm me koordinatorët e bashkëqeverisjes.

Rama: Po trajtojmë hallet tona me njerëz të padenjë, siç ishte rasti i djeshëm, i drejtorit që ka vetëm një përcaktim, halabak. Për të është marrë menjëherë vendimi i shkarkimit. Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj do ta komunikojë këtë vendim.

Fill pas Ramës shkarkimin e drejtorit të Hipotekës së Durrësit e konfirmoi dhe ministrja e Drejtësisë, duke njoftuar largimin nga puna dhe të dy specialistëve.

Etilda Gjonaj: Për drejtuesin dhe dy punonjës të Hipotekës Durrës, është bërë verifikimi i rastit. Është shkarkuar drejtori i Hipotekës dhe dy specialistë të zonës 1-2. Kjo zyrë ka qenë në inspektim. Një ekip nga Tirana do të kryejë një hetim të thelluar të gjithë zyrës së Hipotekës. Do të largohen të gjithë punonjësit që janë në shkelje. Do të marrim të gjitha masat për të gjithë ata që shkarkohen sot. Do të ndërtojmë nga e para të gjithë zyrën vendore të Hipotekës së Durrësit.

Drejtori i Hipotekës së Durrësit u denoncua dje nga një emision investigativ teksa refuzoi të pajiste me hipotekë qytetarin Albert Doda nga Durrësi.

Ky i fundit ishte paraqitur më shumë se 300 herë në zyrat e Hipotekës në Durrës për 6 vite. Doda i ishte drejtuar më herët platformës së Bashkëqeverisjes, e cila pasi kishte gjetur shkeljet ligjore, kishte shkarkuar një punonjës.

Por megjithë masën e marrë, drejtori i Hipotekës Durrës, Ardjan Iljazaj, i kishte thënë sërish qytetarit: Meqënëse problemin e zgjidhe tek Rama, shko sërish tek Rama.

Qytetari kërkonte të regjistronte pronën e tij në Hipotekë dhe të merrte dokumentacionin e rregullt, por zyrat e Hipotekës i kishin hequr metra nga banesa dhe i kishin shtuar tek toka arë.

Gjonaj komenton dhe shkarkimin e Drejtorit të burgut

Sa i takon shkarkimit të drejtorit të burgut të Rrogozhinës, Gjonaj tha: “Në fillim të muajit janar, nga policia ka referuar 23 raste për shpërdorim detyre dhe për korrupsion nga shërbimi i Burgjeve. Gjykata e rrethit Gjyqësor Kavajë mori masën e shkarkimit për dy drejtorët e burgjeve”.