“Hajdeni na merrni edhe ne..”

Indrit Vokshi

Iu bashkova sot paradite protestës së studentëve. Duke kaluar në trotuarin para gjimnazit “Qemal Stafa” pashë disa vajza gjimnaziste që kishin dalë në dritaret e gjimnazit, mbanin në duar letra të bardha ku kishin shprehur mbështetje për studentët dhe njëra prej tyre thirri: “Hajdeni na merrni edhe ne..”.

Emocionuese kjo.

Mbërrita në protestë. Pak pas mbërritjes dikush morri megafonin dhe bërtiti “Iu bëjmë thirrje strukturave partiake të shporren nga protesta”. Kjo sepse – sipas tyre – strukturat partiake, duan ta përdorin protestën për të rrëzuar qeverinë, kurse ata, udhëheqësit e protestës, nuk duan ta rrëzojnë qeverinë. Ata duan thjesht ulje tarifash.

Protesta nuk ka lidership. Se lidershipi duhet ta dëgjonte thirrjen “Hajdeni na merrni edhe ne”, pasi kjo thirrje nuk është vetëm thirrja e gjimnazistes. Kjo është thirrja e çdokujt që ka një dyqan dhe taksat e tij merren dhe nuk kthehen në shërbim por, shpërndahen tek gjashtë konçesione – konçesionet janë mekanizmi përmes të cilit pushteti ua shpërndan klientëve të tij. Janë miliona euro me të cilat mund të përmirësohej jeta në Shqipëri. Lidershipi i protestës duhej t’i thërriste edhe këta.

Thirrja “Hajdeni na merrni edhe ne” është thirrja e çdokujt që punon, në lavazh, market, fastfood, piceri, kamarier e të gjitha punët e mundshme e që mundi i tyre merret nga pushteti e iu dhurohet me tendera miqve të pushtetit të cilët investojnë për ta mbajtur në këmbë ketë sistem. Lidershipi duhet t’i thërriste edhe këta.

Thirrja “Hajdeni na merrni edhe ne” është thirrja e çdokujt që nuk do të jetojë më i nëpërkëmbur. I fyer nga ekrani. E çdokujt që për dinjitet nuk duron ta shohë Shqipërinë kështu.

Duhej të bëhej thirrje për bashkim dhe përmbysje. Nuk është anormale të rrëzohet qeveria. Madje është krejt normale që një sistem fashist të përmbyset. Sepse ka një përkufizim: “Nëse populli nuk ia tregon forcën pushtetit, është pushteti që ia tregon forcën popullit”.

A do të përfitonte opozita? Jo. Në asnjë mënyrë, asnjë ditë. Pse? Nëse themelohet institucioni i protestës, institucioni i përmbysjes së fashizmit dhe sistemit korporativ të grabitjes me ligje, ky institucion do të ishte në këmbë, funksional. Po fitoi një herë nuk e ka problem të fitojë herën e dytë. Edhe pushteti i nesërm, cilidoqoftë, do tia kishte frikën institucionit të reagimit, të rezistencës, të mospajtimit, të mosnënshtrimit përballë talljes, grabitjes, amoralitetit dhe padrejtësisë që pushteti i përfaqësuar nga Edi Rama dhe Erion Veliaj, po aplikon mbi shqiptarët.

Mirëpo protesta ska lidership. Ata kërkojnë ulje tarifash dhe siç e shkruajta dje, qeveria do tua ulë tarifat e kjo punë mbyllet. Kurse grabitia e parave të njerëzve që punojnë, do të vazhdojë.