Haavisto: Koha që Serbia dhe Kosova të normalizojnë marrëdhëniet

Ministri i Punëve të Jashtme finlandeze, Pekka Haavisto ka deklaruar se Finlanda mirëpret përpjekjet për integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
Në një deklaratë për media ministri finlandez, Haavisto thekson se Kosova është në rrugë drejt anëtarësimit në BE.
“Pas përfundimit të Luftërave Jugosllave, duke rezultuar në shpërbërjen e Jugosllavisë, Bashkimi Evropian ofroi perspektivën e anëtarësimit në BE në të gjitha vendet e prekura. Politika ishte e qëndrueshme: Ballkani Perëndimor nuk është një rajon fqinj; ata janë në zemër të Evropës. BE duhet të respektojë angazhimet e saj, sepse lojtarët e tjerë si Rusia dhe Kina po tregojnë gjithashtu një interes në këtë fushë”, ka deklaruar Haavisto.
Më tej ministri Haavisto, thekson se për të zgjidhur çështjet e së kaluarës duhet të ketë pajtim, duke theksuar se është koha që Serbia dhe Kosova më në fund të normalizojnë marrëdhëniet e tyre.
“Puna për integrimin e Ballkanit Perëndimor në Evropë vazhdon, dhe Finlanda e mirëpret këtë zhvillim. Gjatë dekadave të fundit, Finlanda ka luajtur një rol aktiv në promovimin e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor përmes ndërmjetësimit të paqes, paqeruajtës dhe detyrave të tjera ndërkombëtare. Krijimi i stabilitetit dhe mirëqenies në Ballkanin Perëndimor është në interesin e Finlandës”, ka deklaruar Haavisto.
Ndryshe, Finlanda më 1 korrik të këtij viti ka marrë kryesimin e presidencës gjashtëmujore të Bashkimit Evropian. Kjo është hera e tretë që Finlanda si vend anëtar i BE-së, kryeson Këshillin e BE-së.
Finlanda ka marr kryesimin e Këshillit të BE-së nga Rumania, ndërsa më 1 janar të vitit 2020 do t’ia dorëzojë atë Kroacisë.