Greva e urisë dhe dinjiteti i nëpërkëmbur i të përndjekurve politikë

Nga : Nebil ÇIKA

“Alo! Jam Lavdosh Beqo, po ndjek emisionin tënd me të ftuarin, ish-mikun tim Reshat Kripa. Nuk me pëlqeu pyetja jote: ‘Pse nuk ka figura të njohura politike?’. Ja, jam unë. Emisioni ka qenë drejtpërdrejtë të hënën, ju keni hyrë në grevë të martën.” Kjo ishte biseda ime telefonike me Lavdosh Beqon, një prej të ngujuarve në grevën e urisë, kushëri i nënës sime dhe një nga miqtë më të ngushte të tim ati, i dënuar me 20 vjet burg nga diktatura komuniste, pa dyshim një hero i burgjeve politike të komunizmit. Lavdoshi jeton në Francë që nga fillimi i viteve 1990 dhe ka hyrë në grevën e urisë pas djegies me benzinë të grevistit Gjergj Ndreca. Lavdoshi nuk është as ordiner e as komunist, por ai jeton në Francë dhe informacionin për Shqipërinë e ka të kufizuar e kryesisht të përpunuar, pasi e merr atë nga mediet, gjë që e justifikon disi futjen e tij në grevën e urisë, një gjest që e ka më shumë me burrërinë sesa me një vendim politikisht të motivuar. E solla këtë informacion për Lavdosh Beqon pasi është personi që më detyron t’i shkruaj këto radhë për grevën e urisë dhe gjithçka që rrotullohet rreth saj, pasi kisha vendosur, natyrisht jo pa arsye, të mos merresha fare me të.Personalisht nuk jam për greva urie e për forma radikale të protestës, por respektoj vendimin personal të individëve që përdorin ato. Greva e urisë së ish-të përndjekurve politikë, si shumicën e shqiptarëve, më befasoi me fillimin e saj të papritur, pasi për shkak të punës sime si gazetar, por dhe të lidhjeve familjare, pretendoj se kam informacion për zhvillimet në radhët e ish-të përndjekurve politikë. Por, të them të drejtën, kalimi i tyre drejt e në greve urie më befasoi. Me befasoi jo vetëm greva dhe mënyra e organizimit, por veçanërisht kërkesat tërësisht ekonomike të tyre më bënë të ndihem keq. Si pasardhës të burgosurish dhe të pushkatuarish politikë nga diktatura, jam rritur e edukuar me një respekt e admirim të veçantë për këtë shtresë, veprën dhe jetën e tyre. Di dhjetëra emra, disa prej të cilëve as i kam njohur ndonjëherë, por njoh edhe të tjerë, që nga tregimet e tim ati kanë qenë në formimin tim moral e politik heronjtë e mi. Kam dëgjuar qindra histori qëndrese për burra që hanin hekurin me dhëmbë e nuk tërhiqeshin apo ligështoheshin para torturave çnjerëzore dhe vendimeve me vdekje e që ikin në atë botë duke lënë amanet Shqipërinë dhe lirinë nacionale e sociale të saj. Kurrë, në asnjë rast, askush prej tyre nuk la amanet paratë apo pasurinë, megjithëse shumica e tyre kishin pasuari të mëdha, një sjellje që ka bërë që ata më shumë se çdo gjë të jenë heronjtë e mi. Prandaj them se u ndieva keq nga kjo grevë, e cila, me gjithë të drejtën që mund të kenë autorët e saj, shkon kundër mendimit për figurën e sidomos për luftën e një të burgosuri të mirëfilltë politik, kundërshtar të komunizmit.

Kauza politike dhe greva “ekonomike”

Në këto dy dekada postkomuniste në Shqipëri ka pasuar disa përpjekje të ish-të përndjekurve politikë për integrimin ekonomik e shoqëror të tyre. Shoqata e ish-të përndjekurve politikë në fillim të viteve ’90 u krijua si një organizëm me synim dhe program të qartë politik, ku përparësi kishte dekomunistizimi i vendit, zbardhja e krimeve të komunizmit dhe ndëshkimi i autorëve të tyre, por sigurisht edhe integrimi në shoqërinë demokratike të Shqipërisë postkomuniste nëpërmjet ligjeve, që duhet t’i bënte politika, ajo politikë e besuar dhe e mbështetur nga ata që në rastin konkret ishte PD-ja, si partia e parë jokomuniste. Patjetër që dekomunistizimi i shtetit ishte një masë madhore paraprake, që i paraprinte jo vetëm integrimit të shtresës së ish-të përndjekurve politikë, por edhe krejt shoqërisë shqiptare, të shtypur e të ndrydhur në masa e mënyra nga më të ndryshmet nga diktatura komuniste. Mirëpo përtej entuziazmit të fillimit një objektiv i tillë nuk ishte i lehtë për t’u realizuar, gjë që u vërtetua shumë shpejt nga zhvillimet politike shoqërore e ekonomike, që dukshëm rrodhën krejt ndryshe nga sa mendonin shumica e shqiptarëve antikomunistë, në mënyrë të veçantë të përndjekurit politikë të diktaturës. Për shumë arsye dekomunistizimi aq i pritur i vendit u vonua, u sabotua e si përfundim nuk u realizua, gjë që vazhdon edhe sot të jetë problemi kryesor i shoqërisë, përfshirë edhe shtresën e ish-të përndjekurve politikë. Ligje të tilla si ai i pronësisë mbi tokën 7501, ai i ndëshkimit të krimeve të komunizmit dhe lustracionit, me rëndësi të jashtëzakonshme në vendosjen e drejtësisë sociale, janë prova të mjaftueshme për të kuptuar faktin që kauza e të përndjekurve politikë nuk është realizuar në masën që shpresohej e synohej në fillimet e pluralizmit politik. Duhet thënë se në pjesën e parë të pushtetit, në vitet 1992-1997, PD-ja ishte shumë më pranë ish-të përndjekurve politikë dhe kontributi i saj për dekomunistizimin e shtetit, ashtu dhe në përpjekjet për integrim të kësaj shtrese. Por edhe PD-ja mori prej saj kartën morale e politike të antikomunistit të besuar në Perëndim, që nuk e siguronin dot as studentët e as intelektualët e komunizmit, gjë që rriti kredibilitetin e saj në arenën ndërkombëtare, në veçanti me partnerët strategjikë perëndimorë, si SHBA-të dhe BE-ja. “Ne do të besojmë ata që u burgosën dhe jo ata që i futën në burg”, – deklaroi drejtuesja e BE-së, Leni Fisher, kur ish-komunistët bojkotuan zgjedhjet e vitit 1996 me pretekstin se PD-ja po i manipulonte ato. Ky identifikim i PD-së me të burgosurit politikë të komunizmit ishte, pa dyshim, një përfitim i madh i kësaj partie, që sigurisht nuk ishte parti e të përndjekurve politikë. Dhurimi i vuajtjes, sakrificës dhe identitetit të saj politik që shtresa e ish-të përndjekurve politikë i bëri PD-së dhe lidershipit të saj është, pa dyshim, dhuratë që PD-ja as nuk ia ka kthyer e as mund t’ia kthejë kësaj shtrese, në mënyrë të veçantë me mjete financiare. Është pikërisht mbështetja nga kjo shtresë shoqërore që i ka dhënë PD-së legjitimitetin të përfaqësojë të djathtën shqiptare. Veçanërisht për këtë arsye PD-ja është nga të paktat parti postkomuniste në Europën Lindore që janë ende aktive dhe sidomos në pushtet. Nga ana tjetër, ka qenë PD-ja e vetmja mundësi e përmbysjes së komunizmit dhe përballjes me ta në kushtet e demokracisë, që pa dyshim përbën edhe interesin më të madh politik të ish-të përndjekurve të regjimit. Besoj se aktualisht interesi më i madh i përbashkët i të përndjekurve politikë me PD-në është mbajtja larg pushtetit të ish-komunistëve të Edi Ramës, gjë që ata e provuan me rikthimin e dhunshëm në vitin 1997. Jo rastësisht viktimat e dhunës në vitin 1997 ishin kryesisht nga shtresa e të përndjekurve politikë. Ata ishin të piketuar nga shtabet politike të bandave të rebelimit dhe në thelb dhuna politike ndaj PD-së drejtohej kryesisht ndaj politikanëve apo zyrtarëve të saj që vinin nga kjo shtresë. Një prej personave viktimë e kësaj dhune, ish-zyrtar i Policisë së Shtetit, është sot një nga grevistët e urisë. Fatmir Lamaj, nga një familje e njohur antikomuniste nga Vlora, edhe vetë ish-i burgosur politik, u vu në qendër të goditjes së bandave të Komitetit të Shpëtimit Publik në Sarandë. Shtëpia e tij, një ish-repart ushtarak i përshtatur si banesë, bashkë me një tjetër të burgosur politik të njohur, Qani Sadiku, në periferi të Sarandës, u shkatërrua nga themeli me armë kundërtanke e eksploziv nga bandat e komiteteve dhe familjet e tyre dhe ata vetë shpëtuan për mrekulli nga dhuna politike, që u kërcënonte vetë jetën. Dihet botërisht se cilët ishin në krye të rebelimit të 1997-s dhe më mirë se kushdo këtë e dinë ish-të përndjekurit politikë. Z. Lamaj vjen nga një familje antikomuniste nga më të përndjekurat në rrethin e Vlorës, pak burra të së cilës nuk i kanë provuar burgjet komuniste. Dy xhaxhallarë të z.Lamaj janë pushkatuar në vitin 1945 të lidhur dorë më dorë me gjyshin tim. Në një rast i tha publikisht një drejtuesi të njohur të PS-së: “Edhe sikur qeni të më bëhet komunist, e vras.”
Kjo besoj se është e mjaftueshme për të kuptuar pse z. Lamaj dhe të tjerë ish-të përndjekur ishin shënjestra kryesore të bandave komuniste në vitin 1997, por edhe pse rikthimi i ish-komunistëve në pushtet ka shkuar dhe shkon në mënyrë të drejtpërdrejtë kundër interesave të kësaj shtrese. Për këto, por edhe për shkaqe historike, bashkëpunimi me të vetmen forcë politike aktuale që mund t’i mbajë paraardhësit juridikë, politikë e gjenetikë të ish-komunistëve larg pushtetit është një domosdoshmëri jetike e shtresës së ish-të përndjekurve politikë.Ky interes i përbashkët, por dhe të tjera që thamë më lartë, përbëjnë bazën e mbështetjes politike elektorale që ish-të përndjekurit i kanë ofruar pothuaj pa kushte për 22 vjet rresht PD-së.

Raport i trazuar

Por sigurisht që raporti i të përndjekurve politikë me PD-në nuk është pa probleme. Problemi i ish-të përndjekurve me këtë parti dhe qeverisjen e saj është një çështje kryesisht politike. Mendoj se problemi madhor në këtë raport të tronditur është përfaqësimi politik, gjë që e kanë taksur edhe përfaqësues të zgjedhur e të njohur publikë të tyre. Parlamenti shqiptar, politika dhe qeverisja kanë individë të përndjekur politikë, por këta nuk janë përfaqësues politikë të ish-të përndjekurve, pasi nuk janë përzgjedhur apo rekomanduar nga ata. Në disa zgjedhje rresht shoqata e të përndjekurve politikë i ka propozuar apo rekomanduar PD-së emra të përfaqësuesve të saj si kandidatura për deputetë apo zyrtarë të tjerë të shtetit, por në asnjë rast këto propozime nuk janë trajtuar seriozisht nga forumet e kësaj partie. Të përndjekurit në parlament, qeveri apo administratë janë përzgjedhje të PD-së dhe qeverisë së saj, gjë që i përjashton ata si alternativë përfaqësuese e kësaj shtrese. Nëse ish-të përndjekurit do të kishin përfaqësuesit e tyre politikë në parlament, në qeveri dhe pushtete të tjera, si ai gjyqësor etj., problemet e tyre do të mund të viheshin më ndryshe e më mirë në lëvizje. Kjo mungesë e përfaqësimit të drejtpërdrejtë politik është përgjegjësi si e PD-së, ashtu dhe e forumeve drejtuese të organizatave të ish-të përndjekurve politikë, që duhet thënë se e kanë neglizhuar këtë mundësi. Ka vetëm një moment oportun ku të përndjekurit mund të realizojnë përfaqësimin e tyre politik, që janë zgjedhjet, gjë që është neglizhuar, ose është keqpërdorur prej tyre. Në zgjedhjet e para demokratike të vitit 1992, ku shoqata e ish-të përndjekurve politikë ishte e organizuar e kompakte, ish-të përndjekurit arritën një përfaqësim dinjitoz dhe përcaktues në politikë. Vetëm në radhët e deputetëve të PD-së ishin më shumë se 30 ish-të përndjekur, ndërkohë që disa prej tyre, si Pjetër Arbnori, Tomorr Dosti, Leka Toto, Uran Butka etj., ishin pjesë e rëndësishme e drejtimit politik të PD-së dhe qeverisjes së saj. Periudha 1992-1996 mund të konsiderohet si periudha e artë e ish-të përndjekurve, ku falë këtij përfaqësimi të konsiderueshëm politik ata arritën standarde të mira integrimi si në arsimim, punësim, strehim etj. Arritje mund të konsiderohen veçanërisht iniciativat dhe përpjekjet për zbardhjen dhe ndëshkimin e krimeve të komunizmit, që kulmuan me ligjin e lustracionit dhe dënimin për gjenocid të ish-krerëve të diktaturës dhe drejtuesve të institucioneve kriminale të saj. Mirëpo ky përfaqësim politik ra ndjeshëm në zgjedhjet e 1996-s, gjë që çoi në një reagim masiv politik të ish-përndjekurve në zgjedhjet e më pasme lokale, që iu drejtuan partive tradicionale, Ballit Kombëtar dhe Legalitetit, njëherazi më të djathta se PD-ja në shumë aspekte. Efekti ishte i dukshëm. E Djathta e Bashkuar, siç u quajt formacioni politik, arriti fitore spetakolare, duke i marrë PD-së Shkodrën, kalanë e saj politike dhe elektorale, por edhe një rezultat inkurajues në shumë bashki e komuna të vendit. Mirëpo vetëm pas pak muajsh kjo mundësi politike e elektorale u shpërdorua në mënyrën më diabolike nga të zgjedhurit e saj, një pjesë e të cilëve u rreshtuan në krah të rebelimit të vitit 1997, duke dalë kundër interesave të ish-të përndjekurve, por dhe krejt së djathtës shqiptare. Për të konkretizuar këtë mund të kujtoj faktin se kryetari i zgjedhur i bashkisë së Shkodrës, B. Boriçi, udhëtoi deri në Vlorë për të mbështetur kryengritjen komuniste që në fillimet e saj. Kjo situatë bëri që ish-të përndjekurit politikë të reflektojnë politikisht dhe elektoralisht, duke u rigrupuar fort rreth PD-së, ose më mirë rreth lidershipit të saj, si e vetmja mundësi e largimit nga pushteti i atyre që e morën me dhunë në vitin 1997. Nga ky zhvillim përfitoi shumë edhe PD-ja. Ringritja e saj nga hiri u bë sidomos në Jug të vendit, ku ish-të përndjekurit ishin bërthama e kësaj ringritjeje, gjë që rezultoi një sukses i jashtëzakonshëm. Ishin ish-të përndjekurit ata që mbushnin sheshet e protestave, shpeshherë edhe të përditshme të PD-së, një pjesë e të cilëve i lanë me gjak ato sheshe. Ardhja në pushtet në vitin 2005 e PD-së për shumë arsye nuk ishte siç e donin ish-të përndjekurit, mirëpo ishte më e mirë sesa pushteti armiqësor i asaj që ushqeu PS-ja në tetë vjet. Ekipi i ri i qeverisës së PD-së dhe koalicionit të saj kishte brenda radhëve ish-të përndjekur, por ata nuk ishin përfaqësues të tyre, pasi ishin përzgjedhje të lidershipit partiak. Por as organizatat që përfaqësojnë këtë shtresë nuk i dhanë rëndësi këtij fakti, pasi i kishin mundësitë të realizonin një marrëveshje me PD-në, ku mund të siguronin përfaqësimin e drejtpërdrejtë të tyre në parlament, qeveri e struktura të tjera të shtetit. Besuan se PD-ja ishte përfaqësuese politike e tyre, gjë që nuk rezultoi plotësisht korrekte. Pa dyshim që PD-ja nuk është parti e ish-të përndjekurve politikë, por filozofia dhe krahu politik që përfaqëson lidhet fort me ata, si e djathta e deklaruar politike gjatë diktaturës komuniste. Pa dyshim që shtresa e ish-të përndjekurve përbën bazën politike e morale të PD-së, nëse ajo vazhdon ende të pretendojë se është partia kryesore antikomuniste e këtij vendi. Në mandatin e dytë të saj PD-ja u angazhua seriozisht në zgjidhjen e problemeve të ish-të përndjekurve politikë, angazhim që me gjithë mangësitë kulmon me ligjin e rrezuar të lustracionit dhe ligjit për dëmshpërblimin. Por ndërsa ligji i lustracionit u rrezua nga Gjykata Kushtetuese, ligji për dëmshpërblimin filloi të zbatohet, me gjithë vështirësitë që sjellin mangësitë e tij dhe burokracive të papara që detyron ligji nëpërmjet sigurimit të dokumentacionit të shumtë nga vetë ish-të përndjekurit, një angazhim i vështirë për ta, po të kemi parasysh moshën, por dhe indiferencën e konsiderueshme të administratës për t’i ndihmuar ata. Pa dyshim që dëmshpërblimi ka një kosto të madhe financiare, por vënia në lëvizje e tij përbën një hap pozitiv në planin politik. Pa dyshim që problemi kryesore i ish-të përndjekurve nuk është vetëm ana financiare, po dhe gjëra të tjera, që duan pak kosto, por sigurisht shumë vullnet politik. Dënimi i krimeve të komunizmit dhe autorëve të tyre vazhdon të jetë ende një retorikë politike. Një rezolutë prej dhjetë pikash, e miratuar nga parlamenti shqiptar si detyrim i një rezolute të Këshillit të Europës për të njëjtin problem, sipas drejtuesve të ish-të përndjekurve nuk është zbatuar në asnjë pikë të saj. Instituti për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit është zyrtarisht realitet, mirëpo funksionimi i tij është i bllokuar për shkak të mungesës së fondeve, por edhe të bllokimit nga zyra e verifikimit të personave që mund të punojnë me materiale të klasifikuara “sekret” pranë Këshillit të Ministrave, të certifikatave të pastërtisë të punonjësve, që do të merren në arkivat sekrete, ku dhe janë fshehur provat për këto krime dhe autorëve të tyre. Me gjithë përpjekjet për pastrimin e administratës nga autorët e krimeve të komunizmit, pothuaj në çdo institucion shtetëror gjen me dhjetëra të tillë, gjë që përbën një problem serioz midis PD-së dhe ish-të përndjekurve politikë.Një problem madhor përben indiferenca për gjetjen e eshtrave të më shumë se 4000 personave të pushkatuar nga diktatura, një detyrim më shumë se human i qeverisjes së PD-së, gjë që nuk u mor kurrë seriozisht. Një arritje që nuk mund të mos përmendet janë përpjekjet e qeverisë për të rishkruar historinë dhe vlerësuar figurat e denigruara nga komunizmi, si mbreti Zog I apo të tjerë kundërshtarë të këtij regjimi gjakatar. Këto janë figura të pashmangshme, pa vlerësimin e kontributin e të cilëve historia e shkruar e Shqipërisë nuk do të kishte asnjë kuptim. Gjithsesi, në një bilanc të thjeshtë të marrëdhënieve mes PD-së dhe ish-të përndjekurve politikë ato rezultojnë shumë të trazuara, por gjithsesi më të mira se me kundërshtarët politikë të saj, pasardhësit juridikë, politikë e gjenetikë të autorëve të diktaturës komuniste dhe krimeve të saj.

Greva e urisë dhe dinjiteti i nëpërkëmbur i të përndjekurve politikë

Pa dyshim që greva e urisë e një grupi të ish-të burgosurve politikë ka kthyer vëmendjen drejt një prej problemeve më të lëna pas dorë nga politika, por dhe nga shoqëria. Respektoj protestën e ish-të përndjekurve, por gjithsesi nuk jam dakord me atë që po ndodh rreth grevës në fjalë. Ajo që nuk shkon në këtë protestë janë, pa dyshim, veprimet ekstreme, si djegia, që personalisht më ka trishtuar shumë edhe për faktin se i njoh personalisht të dy ish-të burgosurit e djegur. Nuk e miratoj në asnjë rrethanë një protestë të tillë. Do të kisha qenë shumë krenar nëse ndonjë ish-i burgosur politik do ta kishte bërë një veprim të tillë në kohën e diktaturës komuniste, kur ata dhe shokët e tyre vareshin, pushkatoheshin, burgoseshin e torturoheshin mizorisht. Sigurisht që nuk mund t’i fajësojë pse s’e bënë atëherë, por as nuk mund t’i përkrah pse e bënë tani. Rasti kur njëri prej tyre i vuri flakën tjetrit është, pa dyshim, një akt i turpshëm, një veprim që një i dënuar politik i mirëfilltë nuk do ta kishte kryer kurrë. Fakti që greva nuk ka marrë përkrahje e as miratimin e shumicës së ish-të përndjekurve politikë flet vetë për një ngërç të fort të saj. Mendoj se momenti, por dhe mbështetja politike e kësaj greve kanë qenë problemet që kanë çuar në degradimin dhe dështimin e saj.Marrja e statusit të vendit kandidat në BE, pa dyshim, përbën pikën më të errët të kësaj greve, pasi më shumë se kushdo të interesuar dhe të fituar nga integrimi europian janë ish-të përndjekurit. Shqipëria me Europën Perëndimore dhe SHBA-të kanë qenë ëndrra, por dhe akuza për shumë ish-të përndjekur politikë, ndërkohë që, duke thirrur Shqipëria në Europë, janë vrarë e dënuar qindra të tillë, ku spikatin pa dyshim heronjtë e revoltës së Spaçit. Një nga “veprat armiqësore” që detyroi Kristaq Ramën, të atin e shefit të opozitës ish-komuniste Edi Rama, të firmoste varjen e poetit Havzi Nela ishte poezia “Fryma”, një thirrje, por dhe shpresë për integrimin europian të Shqipërisë. Kaq mjafton që kjo grevë të mos kishte nisur në këtë moment, si një mundësi e plotësimit të ëndrrës së atyre ish-të përndjekurve që u flijuan për këtë ëndërr të tyre dhe të shumicës së shqiptarëve. Përkrahja më shumë së politike e Partisë Socialiste ndaj kësaj greve është, pa dyshim, një prej momenteve më komprometuese të saj. Është e turpshme të kërkosh dhe e pakonceptueshme që një ish-i burgosur politik të paranojë përkrahje politike nga Rama, Ruçi apo çdokujt nga partia e ish-komunistëve dhe sidomos për para. Në asnjë provë të më pashme ish-komunistët nuk kanë dëshmuar ndonjë mbështetje për ish-të përndjekurit politikë, përkundrazi, kanë dëshmuar armiqësi në të njëjtën masë me prindërit e tyre politikë e gjenetikë. Duke mos llogaritur lirimin dhe shpërblimin e ish-bllokmenëve të dënuar për gjenocid, kanë votuar kundër ligjit të lustracionit, të cilin e rrëzuan edhe në gjykatë, dhe ligjit për dëmshpërblimin, këtë që duke u përgjëruar për të përndjekurit i kërkojnë qeverisë ta zbatojë. Nuk besoj se mund të gjendet një hipokrizi e tillë si kjo e PS-së, por edhe një mungesë dinjiteti si kjo e atyre që e pranojnë këtë hipokrizi si mbrojtje e mjet politik. Ti vijnë zorrët në grykë kur shikon P. Majkon të përgjërohet për grevistët dhe të drejtat e tyre, kur si kryeministër ka meritën e shpërblimit të bllokmenëve të diktaturës. Pranimi i ndihmës së Ramës pas djegies së grevistëve është patjetër një nga momentet më komprometuese të grevës, gjë që i dha fund çdo mundësie për suksesin e saj. Ishte ky përdorim i grevës nga PS-ja që i ka dhënë Berishës të drejtën për të demonstruar injorimin deri në arrogancë të grevës dhe kërkesave të saj, gjë që nuk do të kishte guxuar ta bënte nëse greva nuk do të kishte asnjë lidhje me PS-në.Përfaqësimi politik e moral është një tjetër problem i kredibilitetit të grevës. Nuk besoj se personat që përfaqësojnë publikisht këtë grevë janë ata që mund të përfaqësojnë një çështje kaq të madhe sa kjo e të burgosurve politikë. E fillova me Lavdosh Beqon, një legjendë e burgjeve, që po sakrifikon realisht për të legjitimuar një protestë që nuk ka shanse të ndihmojë të burgosurit politikë e as çështjen e tyre politike. Qëndroj te Lavdoshi se atje i kanë sytë të gjithë ata që duan të thonë një fjalë të mirë për këtë grevë. “Atje është Lavdosh Beqo”, – i tha F. Lubonja dikujt që vuri në dyshim integritetin e grevistëve.Sigurisht më vjen keq për Lavdoshin, por më keq më vjen për pamundësinë e tij për t’i dhënë jetë një greve që as synonte e as lidhet gjëkundi me çështjen e sidomos me kauzën politike të tij, që im i kushtoi 20 vjet burg e një jetë të tërë persekutim. Por këtu nuk është në lojë vetëm dinjiteti i Lavdoshit, por i të gjithë të përndjekurve politikë, shumica e të cilëve janë përpjekur ta ruajnë me qëndrimin e tyre ndaj grevës në mënyra nga më të ndryshmet.

*Ky artikull është botuar me 19/10/2012 ne gazetën Metropol.