Grabitja me ligj është diktaturë!

Enver Bytyçi

Me kushtetutën e vitit 1976 dhe ligjet derivuese të saj Shqipëria u shndërrua në një diktaturë unike në botë. Me ligj, me kushtetutë iu grabitën shqiptarëve të gjitha të drejtat, ndërkohë që pushteti fitoi përfundimisht të drejtën ligjore që njërëzit, pra qytetarët shqiptarë, t’i shndërronte në kavie eksperimentale. Prona në Shqipëri u sanksionua si pronë shtetërore ose “kolektive”, në fakt shtetërore edhe kjo. Zot, kishë dhe xhami u shpallën diktatori dhe besimi në diktaturë!

Dy ishin synimet e ligjeve dhe kushtetutës së periudhës së diktaturës komuniste: T’u grabiste qytetarëve pronën e më pas edhe lirinë për të menduar dhe vepruar sipas së drejtës!
Më 5 korrik të këtij viti, dmth të enjten e kaluar, qeveria dhe mazhoranca e Rilindjes miratuan një ligj për grabitjën e pronave të teatrit kombëtar. Ligji i grabitjes është tipari themelor i çdo diktature në botë. Grabitje ndodhin edhe në demokraci, por kur ajo bëhet në shkelje të ligjit, atëherë grabitësit një ditë do të përgjigjen para drejtësisë. Ligji për grabitjen e pronave publike të teatrit dhe dhënien e tyre një privati, i miratuar në parlamentin e diktaturës së Rilindjes, shkon përtej ligjeve të diktaturës komuniste. Asnjë ligj në diktaturë nuk e ka marrë pronën për t’ia dhënë një privati. Diktatura i shtetëzoi pronat, u përpoq të shtetëzojë edhe njerëzit-dele. Por nuk shpiku formulën e hajdutërisë Partneritet-Privat-Publik!

Diktatura e Rilindjes po imponon njëherësh ligjërimin e tjetërsimit të pronës publike, duke e justifikuar me ligjin në fjalë dhe njëkohësisht po ligjëron një vjedhje të pashembullt në historinë e shtetit shqiptar. Nuk kishte guxuar ta bënte këtë as mbreti Zog, as diktatori Hoxha! Shembulli i parë i këtij guximi u bë kryeministri aktual, Edi Rama, edhe pse së paku një zë në stanin e tij, zëri i Pandeli Majkos ishte kundër! Por nuk do t’i shndërrojë shqiptarët në njerëz-dele!

Tiranë, më 07.07.2018