Gjykata Kushtetuese njeh zgjedhjet vendore të 30 qershorit

 

 

Në Tiranë, Gjykata Kushtetuese rrëzoi kërkesën e Shoqatës së Bashkive për të shpallur si antikushtetuese zgjedhjet vendore të 30 qershorit 2019.

Gjykata Kushtetuese njoftoi se vendimin e mori pasi dëgjoi palët në gjykim, dhe pasi shqyrtoi Opinionin e Komisionit të Venecias. Vendimi dhe argumentat e plota për marrjen e tij pritet të dalin më vonë.

Në opinionin e tij Komisioni i Venecias, kishte thënë se Gjykatë nuk ka kompetencë për të shqyrtuar vlefshmërinë e zgjedhjeve vendore.

Opinionet e Venecias nuk janë detyruese për gjykatën kushtetuese, por historikisht ato janë respektuar.

Zgjedhjet e 30 Qershorit u bojkotuan nga opozita, por ato u mbajtën në datën e caktuar, pavarësisht se presidenti Ilir Meta e anulloi atë, duke vendosur një datë tjetër.

Në dy Opinione të vetat për Shqipërinë, Komisioni i Venecias ka vënë në dukje se “bojkoti elektoral nga partitë politike, edhe nëse ato përfaqësojnë një pjesë të rëndësishme të elektoratit, nuk mund të parandalojë mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta”.