Gjykata e Lartë rrëzon rekursin për Lefter Kokën

Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin për ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka. Ish-ministri ndodhet në burg, pasi u arrestua për aferën e inceneratorëve.

Gjykata e Posaçme e Apelit vendosi ndaj tij “arrest me burg”, ndërsa Koka bëri rekurs në Gjykatën e Lartë për ndryshimin e kësaj mase sigurie, në datën 7 mars.

Ndërkohë, gjykata nuk ka pranuar kërkesën e tij, duke e konsideruar si të ligjshëm vendimin e Apelit të GJKKO.

Në dhjetor të vitit të kaluar SPAK urdhëroi prangosjen ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka për dosjen e shumëpërfolur, atë të inceneratorit në Elbasan.

Prokuroria e Posaçme akuzon ish ministrin e mjedisit për tre akuza. Ndaj tij rëndojnë akuzat e shpërdorimit të detyrës”, “pastrim të parave” dhe korrupsion”. Hetimet disa mujore zbuluan se Lefter Koka favorizoi pronarët dhe administratorët e kompanisë lidhur me koncesionin e inceneratorit të Elbasanit.

Sipas SPAK Koka akuzohet se ka përfituar rryshfet në vlerën e 3.7 milion eurove nëpërmjet kompanive fiktive të zotëruara nga familjarë dhe të njohur të tij.