Gjëra të pangulitura

 

Nga Astrit LULUSHI/Dielli

Njeriu thotë se ka mësuar nga jeta e historia dhe krenohet, por shpesh gabimet përsëriten, çka tregon se mësimi nuk është nxënë. Është pranuar, të paktën fillimisht, se periudha e sundimit komunist u përshkua nga më shumë të këqija sesa të mira, por mënyra se si “ish-ët” (emër i ri në pasdiktaturë) sillen me mendjemadhësi e mosrespekt, hedh dyshim mbi sinqeritetin. Po ashtu, s’mund të quhet i mirë robërimi i një populli, edhe robërimi pa dorashka – burgosjet, internimet, përndjekjet, vrasjet e kundërshtareve duke i shpallur armiq e tradhtarë të kombit, vetëm se nuk pajtoheshin me një parti, ideologji ose flamur. Gjithë këtij marshimi njerëzish fodullë, qorra e triumfues të pashpirt, poeti Uran Kostreci, mbi 30 vjet i burgosur e i internuar politik, i jep një emër: “Epopeja e karkalecave dhe agonia e karkalecave” (Botimet Onufri, 2011) poemë epike me vështrim alegorik:

U mbush dynjaja
me karkalecë,
ka mall njeriu
përdhe të ecë!

Titulli duket se nuk është i rastit: karkalecat janë “klasë” insek-
tesh duke filluar nga parazitët e deri tek uzurpuesit, shkatërruesit e të mbjellave (kusht mirëqenieje) – nga ku këto insekte ikin vetëm pasi iu digjet toka nën këmbë. Karkalecat janë komunistët, shpjegon Kostreci.

Në bulevarde
e nëpër piaca:
sheh karkalecë
zënë allabraca.

Dhe përshtypja e poetit është pikturë e jetuar, sepse në kohën e rënies së diktaturës, Shqipëria dukej një fushë e thatë, e djegur, e sapobraktisur nga një ushtri e tërë karkalecash parazitë, frikacakë, jetëpirës.

Në vend të lekut
merr medalione,
amurka, yllka,
emulacione.

Vargjet e “Epopesë së karkalecave” zunë fill në mendjen e poetit Kostreci në burg, në vitet 1970, kur gjatë ecejakeve në oborrin e burgut ai përpiqej t’i mësonte përmendsh. Poetë të tjerë të burgosur i regjistronin vargjet e veta edhe ne karta cigaresh, siç ishte rasti i Arshi Pipës, që i përmblodhi ato në vëllimin “Poezitë e burgut” dhe i botoi kur u hodh në arrati në Perëndim.

“Epopeja e karkalecave dhe agonia e karkalecave” (për herë të parë së bashku në një libër të vetëm, i ngjan një kundërpërgjigjeje të “Epopesë së B.K.-së”, poemë-propagandë aq e popullarizuar, një nga krijimet e poetit dhe shkrimtarit të realizmit socialist, Shefqet Musarai. “Epopeja e karkalecave dhe agonia e karkalecave” përfshin një epokë të gjerë, nga fillimi deri në fundin e diktaturës dhe poeti ironizon:

Tash karkalecë
aty bëjnë pallë,
me nipër, mbesa,
me teze e hallë.

Të majtët e Shqipërisë i gëzohen fitores së të majtës në Francë,
thotë Kostreci, por pa e shoqëruar ketë gëzim edhe me kujtesën se Franca e sotme nuk është e pasardhësve të krimeve e terrorit të gijotinës komunare e antimonarkiste, por e atyre që i dënuan ato krime, u shkëputën përfundimisht prej tyre, u thanë “Ndal, jo më!”, duke hedhur themelet e ngrehinës që sot quhet Republika Franceze. “Po Shqipëria?” pyet Kostreci:

Ç’qe kjo mënxyrë –
mallkon mileti,
ai dhe vdekur
peshqesh… na mbeti!

Poema përfundon me përshkrimin e rënies së komunizmit dhe vendosjen e demokracisë më 22 mars 1992:

Fillojnë greva
e demonstrata,

e bëjnë Susakun
të ikë me vrap.

Gjithsesi, mendimet e ndjenjat e shprehua janë esencë, prandaj
mbulojnë më shumë sesa thonë. Por shpesh ato vetëm nëpërmjet artit poetik mund të shprehen plotësisht me fuqinë e tyre – prandaj nuk është e rastit që Uran Kostreci, prozator dhe autor sonetesh, zgjodhi pikërisht këtë formë.