Gërdeci, hapet rruga për gjykimin e Mediut

VOA

Gjykata e Lartë rrëzoi sot ankimin e bërë nga ish ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu kundër vendimit të e Gjykatës së Apelit e cila u shpreh në favor të rihapjes së procesit gjyqësor ndaj tij për rastin e shpërthimit në Gërdec 13 vjet më parë.

Zoti Mediu, përmes avokatit të tij e kishte konsideruar vendimin e Apelit si “në shkelje të hapur të kushtetutës”.

Me vendimin e sotëm, për Prokurorinë e Posaçme kundër Krimit të organizuar dhe Korrupsionit, SPAK, nuk ka më asnjë pengesë që ta çojë çështjen për gjykim

Në përfundim të hetimeve në vitin 2009, Prokuroria e përgjithshme e asaj kohe, ngriti ndaj zotit Mediu dy akuza për shpërdorim detyre ngriti akuzat e “Shpërdorimit të detyrës” kryer në bashkëpunim, dhe “Shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues.

Zoti Mediu megjithatë nuk u gjykua kurrë, duke qenë se ai rifitoi mandatin e deputetit pas zgjedhjeve të atij viti, dhe prokuroria e cila duhej të kërkonte sërish autorizimn e parlamentit, nuk bëri më një kërkesë të tillë.

SPAK ka regjistruar tanimë procedimin penale ndaj zotit Mediu, dhe në gjykatë pritet të çohet pikërisht dosja e hetimeve të kryera deri në 2009 nga Prokuroria e përgjithshme.