Gënjeshtra, manipulimi dhe e vërteta në konfliktin Rama-Meta!

 

Enver Bytyçi

Një konflikt i ashpër zhvillohet prej disa muajsh midis dy protagonistëve kryesorë të institucioneve shqiptare, presidentit të Republikës dhe kryeministrit të vendit. Brenda ditës ata zhvillojnë dy ose më shumë replika dhe kundër-replika. Ndërsa tifozët duartrokasin e brohorasin sipas rastit bosin e tyre, pa menduar nëse njëri ose tjetri thotë të vërtetën. Në fakt Ilir Meta ka ditur të bëjë aleancë të kritikueshme me Edi Ramën dhe po ashtu “t’i shpallë luftë” atij në rastet e shkeljeve ekstreme të demokracisë dhe interesave kombëtare. Megjithatë në këtë diskurs konfliktues ka dallime të mëdha midis protagonistëve në fjalë sa i përket raportit me të vërtetën.

Para 18 muajsh mazhoranca e sotme anti-kushtetuese filloi procedurat për shkarkimin e presidentit. Me qëllim të arritjes së këtij synimi ajo manipuloi zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, duke përdorur noterët në breg të Lanës me qëllim kapjen e kësaj gjykate. Ilir Meta e dinte se kapja e Gjykatës Kushtetuese ishte edhe fundi i tij. Prandaj qëndroi fort përballë Edi Ramës. Të dy u përballën me njëri-tjetrin derisa çeshtjen e zgjidhi Komisioni i Venecias, duke i dhënë të drejtë zotit Meta. Kjo ishte shuplaka e parë e ndërkombëtarëve ndaj kryeministrit të përkëdhelur shqiptar nga evropianët. Por ende nuk jam i sigurt nëse shqiptarët e kanë ndarë mendjen që t’ia japin grushtin e fundit atij.

Goditja që iu dha kreut tonë të ekzekutivit nga ana e Komisionit të Venecias shkaktoi tërmet në Këshillin e Europës dhe disa vende të Bashkimit Europian të frustruara nga kërkesat e shqiptarëve për azil si dhe nga grupet kriminale të shqiptarëve. Kryeministrit Rama evropianët i vunë përfundimisht vizën, sepse panë te ai njeriun pa maskë në sjelljet e tij brenda vendit dhe njeriun e shtirur në raportet me të huajt. Kryeministri e humbi autoritetin e kredibilitetin e tij te ndërkombëtarët, te opozita shqiptare e te Presidenti i Republikës, sepse filloi të qeverisë me akte normative e jo me ligje ose me ligje antikushtetuese. Ndryshoi kushtetutën me votat e një parlamenti jo-legjitim në situatë pandemie. Premtoi konsensusin me opozitën jo parlamentare në zyrën e ambasadores Kim dhe e shkeli marrëveshjen e 5 qershorit. Pra tashmë për çdo njeri normal problemi i shqiptarëve është ai që është votuar të zgjidhë krizat, por që në fakt është shkaktar i tyre, kryeministri i Shqipërisë.

Nisur nga këto që thamë presidenti Ilir Metau pozicionua ndryshe e në mbrojtje të kushtetutës si dhe shtetit ligjor të së drejtës. Ai paralajmëroi vazhdimisht për rrezikun e shpopullimit të Shqipërisë si rezultat i keq-qeverisjes dhe konfliktualitetit jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë e te shqiptarët kudo në Ballkan. Replikat e kryeministrit qëllimisht u devijuan në këtë grindje politike, duke mos u marrë me faktin, por me batutat dhe sulmet jo serioze. Nëse Edi Rama do të ballafaqohej me Ilir Metën për çeshtjet konkrete, për të cilat presidenti flet, ai do të rrëzohej në gjunjë para tij.

Nuk ka zot që ta mohojë faktin se Edi Rama po e shpërbën kombin shqiptar dhe përgjatë 7 viteve punoi me përkushtim për këtë qëllim sipas skemës beogradase. Brenda vendit ai punoi dhe punon sipas politikave të Çubrilloviçit për shpërnguljen e shqiptarëve dhe në Kosovë duke zbatuar projektet e presidentit serb, Aleksandër Vuçiç.

Ilir Meta e akuzoi zotin Rama se qëllimisht dhe me porosi të Beogradit nxiti zhbërjen e pavarësisë dhe shtetësisë së Kosovës. Ndërkaq Blendi Fevziu menjëherë pas kësaj akuze doli në mbrojtje të Ramës dhe mikut të tij Baton Haxhiu, kur u shpreh se një akuzë e tillë ngjan me akuzat për tradhti që bënte diktatori Hoxha ndaj kundërshtarëve të tij.

E vërteta është krejt tjetër dhe Fevziu manipuloi qëllimisht, sepse fakt është që Edi Rama ishte i pari politikan shqiptar që nxiti shkëmbimin e territoreve midis Kosovës dhe Serbisë. Ai u pajtua, sipas shumë ekspertëve dhe personaliteteve politike evropiane, që Veriu i Kosovës t’i jepej Serbisë në këmbim të bashkimit të pjesës tjetër të saj me Shqipërinë. Ish-kryeministri Haradinaj ka dëshmi dhe dokumente, të cilat e provojnë këtë të vërtetë. Kësisoj akuzat e Ilir Metës ndaj kryeministrit Rama nuk ngjajnë aspak me akuzat politike dhe ideologjike të diktatorit shqiptar. Përkundrazi, Edi Rama ngjan me ish-diktatorin Hoxha të periudhës së miqësisë së tij me Josiph Broz Titon.

Ndërkaq jo pak analistë ramistë përpiqen të atakojnë presidentin e vendit dhe të zhvleftësojnë kritikat e tij ndaj kryeministrit, duke përdorur gabimet dhe akuzat e përsëritura në dekada ndaj tij. Pikërisht kjo metodë reagimi ngjan me shëmbëlltyrën e diktaturës, kur për të rrënuar dikë (armikun e klasës) biografia përdorej si karem i së vërtetës. Tradhtia e Ramës i ngjan tradhtisë së Hoxhës. Ndërsa akuzat e presidentit ndaj tij bazohen në të vërteta të padiskutueshme. Kur Ilir Meta thotë se Rama u shpreh për president të përbashkët me qëllim që të vejë në diskutim pavarësinë e Kosovës, ky është fakt dhe jo hipotezë. Këtë arsyetim e kam shtjelluar që ditën kur Rama kërkoi në parlamentin e Kosovës presidentin e përbashkët.

Kur Edi Rama akuzoi liderët e Kosovës se “po e vetë-izolojnë” Kosovën për shkak të kundërshtive ndaj taksës e minishengenit, ai përsëriti të njëjtën akuzë, të cilën e kishte artikuluar më parë presidenti i Serbisë. Kur Edi Rama u thoshte gazetarëve se “ç’janë këto pyetje për krimet serbe në Kosovë”, ai mbronte idenë dhe projektin serb për ardhmërinë e Kosovës! Kur Edi Rama promovonte librin “Kurbani” në gjuhën serbe në Beograd, ai u jepte garanci atyre se “Ishte i përkushtuar për përçarjen e faktorit politik shqiptar”! Kur ai ngriti lart figura të tilla si ajo e Andriç, Kosturicës, Bregoviç etj, paralajmëroi se “shqiptarët do ta harrojnë të kaluarën e errët në marrëdhëniet me serbët”!

Ngado që të analizohen marrëdhëniet e kryeministrit shqiptar me Beogradin të çojnë te e vërteta e Ilir Metës dhe shumë të tjerëve, se “Edi Rama ka rrëshqit nga roli i tij si kryeministër i Shqipërisë dhe është bërë vegël në duart e presidentit serb, Aleksandër Vuçiç”! Këto të vërteta ai dhe të paguarit e tij në ekranet televizive duan t’i shmangin e t’i maskojnë me mashtrime, gënjeshtra e manipulime spekulative!