Gazment Bardhi lexon emrat e delegatëve të Kuvendit të 18 Dhjetorit

Sekretari i Partisë Demokratike Gazment Bardhi ka dalë në një deklaratë për mediat, ku pritet të bëhen publikë emrat e delegatëve të Kuvendit Kombëtar të PD-së që u mbajtën në 18 Dhjetor.

Bardhi tha se edhe pse nuk është praktikë, PD ka vendosur që në emër të transparencës të bëjë publikë emrat e delegatëve që ishin të pranishëm. Sipas Bardhit ish-kryeministri Sali Berisha u përpoq që të bënte gjithçka për të penguar mbajtjen e këtij Kuvendi, qoftë edhe përmes kërcënimit të delegatëve.

Vetë Bardhi ka nisur leximin e të gjithë emrave që janë pjesë e Këshillit Kombëtar të PD-së.

“Sot është radha të bëjmë transparencë për shumicën e anëtarëve të Kuvendit Kombëtar të cilët zgjodhën të ardhmen dhe jo të shkuarën. Opinionin publik gjatë gjithë kësaj periudhe është mbushur me lajme të rreme dhe keqinformime të cilat bëhen për të fshehur arsyet e vërteta të rrëmujës së krijuar në Partinë Demokratike.

Ju e mbani mend kur në këtë sallë mbahej mbledhja e Këshillit Kombëtar, zoti Berisha bënte thirrje për bojkotin e Këshillit Kombëtar, por kur anëtarët nuk ju përgjigjën kësaj thirrjeve filluan lajmet e rreme. Ju mbani mend gjithashtu thirrjen e përsëritur që anëtarët e Kuvendit Kombëtar të grisnin formularët, por ne ishim këtu në këtë sallë ku bëmë transparencën e anëtarëve të Kuvendit Kombëtar që kishin dhënë konfirmimin për pjesëmarrjen”, tha Bardhi në nisje të kësaj konference.