“Gazetari i Vogël”

Nga  Marsida T Najdeni

21 marsi është dita ndërkombëtare e poezisë, në këtë ditë të dlirë lindi në Tiranë bukuroshi Xhemal Farka. Në këtë 107 vjetor të tijin lutem se do t’i gjinden eshtrat atje ku e pushkatuan komunistët vetëm 35 vjeçarë pa bërë kurrfajë faji vetëm pse shkruante dhe besonte tek liria e fjalës. Të shkruajtë shpirti në parajsë trimi jonë, që meriton titullin “Martir i Demokracisë”. Jam me fat që e zbulova Xhemal Farkën nga dashuria dhe pasioni kërkues karshi vetëm të së vërtetës. Nuk dua të tregohem mendjemadhe, por më pëlqen të mendoj se paksa e ringjalla.

Po ju paraqes një shkrim të Xhemal Farkës botuar tek gazeta “Arbënia” më 27 shtator 1936 në Tiranë. Në këtë shkrim ku autori flet për veten e tij shprehet qartë çfarë mëkati bënë komunistët dhe sa ëndrra prenë në mes.

“Gazetari i Vogël”

Agimi, qyshë kur ishte fëmij donte me u bá gazetár. S’mendonte tjetër veç se si t’ja mbërrinte ditës qi të shkruente në gazetë. Sa rritesh gjithnji iu shtonte dëshira me shkrue.
Nganjiherë shkruente ndonji hartim të vogël, por kúr shifte se ata të gazetës ishin shumë má të bukur, i vinte keq dhe se çonte fare. Nji ditë prej ditësh shkroi nji gjá të vogël. Iu duk e bukur dhe iu mbush mëndja t’a ç’ojë në gazetë. Atë natë vonë s’e zuni gjumi, sepse mendonte nëse do t’ia botojshin apo jo; dhe sikur t’ia botojshin, si do të hofte prej gëzimit e si do t’ia kallxonte vllaut e shokëvet gazetën, dhe qyshë do t’a lëvdojshin. Kur e zu gjumi pau n’ândërr hartimin e tij të botuem në gazetë me shkronja të bukura. Në mëngjes sapo u zgjue duel nga shtëpia pa lâ sytë dhe bleu me të shpejtë gazetën e mëngjesit. Pa marrë frymë u hudhi nji sy të shpejtë të katër faqeve të gazetës dhe…dhe s’gjeti gja!

– Ah!… s’e paskan botue! pëshpëriti i dëshpëruem, dhe zu me true. Thonte me vete:
– Ku dijnë ata dreqën se ç’do me thânë nji hartim i mire! Ksajë si thonë gazetë nji herë!
Kush e di se ç’far njerëzish janë ata qi zgjedhin shkrimet e gazetës. E kanë pa se ai i emi asht i mire, por s’kanë dasht me e vue për inat! – Dhe i dukesh sikur gjithë bota e kuptonte pa- drejtësinë që ai mendonte se i kishin bâ.

Të nesërmen duel nga shtëpija si përditë për me u takue me shokët e tij. Rrugës u poq me nji gazeta-shitës të vogël. Dishka kishte nji shpresë të vogël, endè mendonte për hartimin e tij.

– Çun! Epma t’a shof nji here gazetën.
– S’kini leje zotni, po deshe bleje!
– Ndoshta e blejë, po epma sa t’a shof pak – dhe ai ia dha.

E shfletoi gazetën me rrëmbim dhe… hop u ndal, e aviti ma afër syvet, lëshoi nji britmë gëzimi dhe u nis me ikë me vrap!
Gazeta-shitësi i vogël iu ndè mbrapa tue bërtitë:

– Eeeeej! Shokooo! Ku shkon? Gjysëm e lekut, shokooo!
– Uh! .. na more se harrova! Nxuer nga xhepi me të shpejtë nji lek, ia lëshoi në dorë dhe iku me vrap pa pritë me marrë kusurin. Në të këthyeme të rrugës u përplas me të vëllanë qi po dilte nga shtëpija për me shkue në zyrë.

– Ç’ka ban more i marrë se na vrave?! Pse fugon more kështu, si me të gjyrmue kush për mbrapa? S’ke turp gjith’ky djalë!

Agimi as s’ndigjoi fare se ç’tha i vllai por i tregoi menjiherë
gazetën.

– Shif! i tha, tue i tregue me gisht nji shtyllë mbrenda gazetës – e kam shkrue un!
– Ah!…prandaj …të lumtë! Sa bukur. Qe ke u bâne dhe gazetar! Na shurdhove ma: gazetar, gazetar, gazetar! Qe dhe gazetar ke u bane! Njashtu të lumtë. Shko tashti se m’u bâ vonë – i foli i vëllai dhe iku tue qeshë.

Agimi po fluturonte prej gëzimit këndoi pes’a gjashtë herë të shkruemen e vet dhe e quejti me plot të drejtë… artikull me randësi! Plasi tue ia kallxue shokëvet dhe miqëvet. Kur shifte
ndonji njeri tue këndue gazetën, iu avitëte me pa nëse po këndonte shkrimin e tij. Kujtonte se gjithë bota po këndojshin vetëm atë.

Udhës, kur takonte ndonji të njoftun e pyeste:
– A e ke këndue “Arbëninë„ sot?
– Jo, pse?
– More sa ishte e bukur sot. Kishte disa artikuj të mirë.
– A thue?!
– Posi. “Arbënia„ shkruen mirë!…

Kështu shkonte Agimi tue e lavdue gazetën e tij.
Dhe tash asht i lumtun se shkruen shpesh dhe u…bâ gazetar!

XHEFAR
(Xhemal Farka)