Gazetarët Maria Ressa dhe Dmitry Muratov – fitues të çmimit Nobel për paqe

 

Gazetarja nga Filipinet, Maria Ressa dhe gazetari rus Dmitry Muratov, janë fitues të çmimit Nobel për paqe për vitin 2021.

Gazetarët Maria Ressa dhe Dmitry Muratov, fitues të çmimit Nobel për Paqe
EMBED SHARE
Gazetarët Maria Ressa dhe Dmitry Muratov, fitues të çmimit Nobel për Paqe
EMBED SHARE
The code has been copied to your clipboard.
<iframe src=”https://www.zeriamerikes.com/embed/player/0/6263100.html?type=video” frameborder=”0″ scrolling=”no” width=”640″ height=”360″ allowfullscreen></iframe>

Kryetarja e Komitetit Norvegjez të Nobelit, Berit Reiss-Andersen, tha në një konferencë me gazetarë se “Zonja Ressa dhe zoti Muratov po marrin çmimin e Paqes për luftën e tyre të guximshme për lirinë e shprehjes në Filipine dhe në Rusi.

“Agjencia ‘Rappler’ është përqëndruar në regjimin kundërthënës të Presidentit Duterte dhe fushatën vrastare kundër drogës. Numri i vdekjeve është aq i lartë, saqë fushata i ngjan një lufte kundër popullësisë së vendit. Zonja Ressa dhe agjencia “Rappler” dëshmuan se si rrjetet sociale po përdoren për përhapjen e lajmeve të rreme, kërcënimin e kundërshtarëve dhe manipulimin e publikut. Dmitry Muratov për dekada të tëra ka mbrojtur lirinë e shprehjes në Rusi, në kushte sfiduese”, tha zonja Reiss-Andersen.

Ajo shtoi se ata janë përfaqësues të të gjithë gazetarëve që angazhohen për këtë ideal në një botë në të cilën demokracia dhe liria e shtypit përballen me kushte gjithnjë e më të pafavorshme.

Gazetarja Maria Ressa reagoi duke thënë se gazetaria kurrë nuk ka qenë më e rëndësishme sesa sot.

“Dhe prapë është shumë e vështirë të bësh punën dhe të vazhdosh angazhimin. Portali Rappler është nën kërcënim të vazhdueshëm të mbylljes, në baza ditore. Jemi në një situatë të vështirë, por nëse mbroni faktet, mund ta mbani përgjegjës pushtetin. Kështu ushtrohet e drejta e garantuar me kushtetutën e Filipineve. Kjo është ajo që ne bëmë dhe po vazhdojmë ta bëjmë“, tha zonja Ressa, fituese e çmimit Nobel për Paqe.

Gazetari Muratov, është njëri nga themeluesit e gazetës së pavarur ruse “Novaya” më 1993.

Një analist në Rusi tha se ndarja e çmimit për zotin Muratov është një goditje për autoritetet ruse.

“Sepse liria e shpehjes dhe parimet e gazetarisë së pavarur janë diçka e keqe në sytë e autoriteteve ruse. Ata luftojnë me të, veçanërisht tani, kur dhjetra gazetarë dhe media janë shpallur agjentë të huaj. Komuniteti i gazetarëve është në hall. Por ka një sinjal pozitiv, që thotë se nuk po punoni kot dhe se dikush po i sheh përpjekjet tuaja”, tha analisti politik Abbas Gallyamov.

Gazetari Muratov tha se ai do të përdor çmimin e tij për të ndihmuar gazetarët e pavarur që të përballen me trysninë e autoriteteve. Kolegët e tij mirëpritën lajmin.

“Sigurisht, është një zhvillim i madh për ne. Tani e kuptojmë se nuk mund të ndalemi pavarësisht asaj që ndodh përreth, pavarësisht sfidave dhe trysnisë ndaj shtypit të pavarur rus”, tha kryeredaktori i Gazetës NovayA, Alexey Polukhin.

Gazetari Muratov është rusi i parë që fiton Çmimin Nobel për Paqe që nga udhëheqësi sovjetik Mikhail Gorbachev – i cili kishte ndihmuar vetë në krijimin e Gazetës Novaya me paratë që mori nga çmimi që fitoi më 1990.

Sipas Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, 17 punonjës të shtypit në Filipine janë vrarë gjatë dekadës së fundit ndërsa 23 në Rusi.

“Gazetaria është nën rrezik. Demokracitë janë dobësuar nga keqinformimi, të pavërtetat dhe gjuha e urrejtjes. Kjo është kohë mobilizimi për gazetarinë dhe demokracinë. Ky çmim do të jetë shumë i dobishëm dhe një thirrje që të gjithë të mobilizohen për këtë gazetarinë, që është jetike për shoqërinë”, tha Christophe Deloire, Drejtor ekzekutiv i Reporterëve pa Kufij.

Çmimi i ndarë sot është i pari i ndarë për gazetarët, që kur gjermani Carl von Ossietzky e fitoi atë në vitin 1935, për zbulimin e programit të fshehtë të armatimit të pasluftës së Parë Botërore të vendit të tij.

Një ditë më parë, Shkrimtari me origjinë nga Tanzania, Abdulrazak Gurnah fitoi çmimin Nobel në letërsi. Akademia suedeze e vlerësoi shkrimtarin për atë që e cilësoi “depërtim i pa kompromis dhe i dhembshur në efektet e kolonializmit dhe fatin e refugjatit, në hendekun mes kulturave dhe kontinenteve”.

LEXONI EDHE KËTË
Shkrimtari tanzanian Abdulrazak Gurnah fiton Nobelin në letërsi
Me 6 tetor, shkencëtari gjerman Benjamin List dhe ai amerikan David MacMillan fituan çmimin Nobel në kimi për vitin 2021, për krijimin e mekanizmave të rinj, që bëjnë të mundur ndërtimin e molekulave që ndihmojnë, jo vetëm në prodhimin e ilaçeve të reja, por edhe që mbrojnë mjedisin”.

LEXONI EDHE KËTË
Krijuesit e gjeneratës së re të katalizatorëve fitojnë Nobelin në kimi
Ndërsa me 5 tetor, tre shkencëtarë, amerikani me origjinë japoneze Syukuro Manabe, gjermani Klaus Hasselmann dhe italiani Giorgio Parisi, fituan çmimin Nobel në fushën e fizikës për “kontributin e tyre në të kuptuarit e sistemeve komplekse fizike, siç është ndryshimi i klimës në tokë”.

LEXONI EDHE KËTË
Tre shkencëtarë nderohen me çmimin Nobel në fizikë për zbulimet në të kuptuarin e klimës
Java e çmimeve Nobel, pritet të përmbyllet me atë për ekonominë.