FUNDPRILLI GJEOPOLITIK I NJE BOJAXHIU

Nga Zef Zefi

-Dajak nga Brukseli e Berlini, buqeta përgëzimesh nga Kirilli

Kryeministri i neo-socializmit shqiptar këtë fund/Prill të trazuar gjeopolitik, nuk po kalonte ditë fort të bukura.
Ndjehej i dërmuar. Një moral i përtokshëm po e përthante humorin e cinizmin trandy në fytyrën e gjestet tij.
Atë fytyrë të lodhur, të përgjumur e zgleposur, u mundua ta bojatiste me krenari mavi gjatë bisedimeve dhe konferencës per shtyp në Oksident, por pa sukses. Mërzia u shtua gjatë drekës që shtroi për miqt të cilën u detyrua ta hante vetëm me ballët e spiropalët e vet, sepse te ftuarit me xhentilesë ia refuzuan.
Këtë çehre të terratisur solli me vete edhe në atdhe. Gjatë fjalimeve në Rinas e Tiranë, tek u sforcua të shpërndante ngërdheshje rilindase, entuziaste, krenariste, optimiste, nuk bindi dot askënd aq më pak opinionin albanez, perfshirë “shtëpitë diplomatike,” Tv, apo “shtepitë” shpirtërore.
Të gjithë panë sesi nga maska e tij binin perdhe pllangat mavi të bojës së skaduar rilindase. Gjendje kjo jo e zakontë, madje e vështirë (per disa e pështirë) për shendetin socialist të kryeministrit rilindas.

– “A friend in need is a friend indeed,” thotë inglizi. “Miku ma i mirë në ditë të vështirë…”

Si rrufeja në të kthjellët, u ngrit në një fluturim shpirtëror nga Moska Patriarku i të gjitha rusive.
Jo për në hënë, siç thanë, megjithëse lufta e II “e mërdhihur,” ka nisur.
Jo, jo. Shpirtnori i të gjitha rusive, sa kish marre vesh gjendjen e shkurajuar të djalit të Kristaqit, qe nisur per në Tiranën e Anastasit.

“Mos na lashtë zoti pa miq,” pëshpëriti nën zë në formë lutjeje krye/rilindasi, gati i mallëngjyer tek takohej me shpirtnorin e gjithë Rusi-ve.
Pastaj gati peshtyu në menyrë bestyte, sepse padashje në vend të uratës kishte pëshpëritur një urti malokësh.
“Djall,-shtoi me vete. -Mirë që Kirilli e Anastasi, nuk dinë shqip as malokçe.
Iu desh të përtypej dy tri herë sa për ta gëlltitur ngërçin. Pastaj me tu kthjelluar edhe oratoria iu zhbllokua. Ky i dekllaroi shpirtnorit të t’gjitha Rusive, se ardhja e Tij si eveniment, përkonte edhe me 110 vjet e një muaj e ca ditë nga festa e Autoqefalisë se Kishes Ortodokse shqiptare, te cilen e ka bekuar rusi tjetër Platon nga Amerika.
Gjithashtu kryeministri ynë si intelektual i gjithë-dijes, nuk mundi të mos shtonte nga “vikipedia” e erudicionit të vet, se Kisha Ruse perveç besimit, është një vatër e madhe kulture… (Vater Kulture, ç’emërtim i tmerrshëm envero-stalinist)

-Pakot me karamele e Kirillit dhe Irenej.

“.. Shkëlqesia juaj, ju faleminderit shumë për këtë pritje, -hapi pakon e përgëzimeve “miku i mirë i kohës së vështirë,” shpirtërori i të gjitha Rusi-ve.-Unë jam vërtet shumë i impresionuar nga ato arritje, nga ajo punë që është kryer këtu në Tiranë. Këto janë ndryshime vërtet të jashtëzakonshme. Sot i thashë zotit Anastas që tani që kam ardhur për herë të dytë… Për herë të parë kam qenë në vitin 2003. Une nuk e njoh këtë vend. Tirana u ndryshua shumë, tani është vërtet qytet shumë i bukur. Unë e di që merita është shumë e madhe dhe kjo ju përket juve si kryebashkiaku i Tiranës.
Unë ju përgëzoj për ato vepra të mëdha që keni kryer në atë post..”- Pastaj Patriarku rus nenvizoi duke bërë që modestia kryeministrore të mbulohej në djersë;- “Unë besoj që është fati i Tiranës që për disa vite ky qytet është drejtuar nga njeriu i artit… Ju si artist e dini shumë mirë që çështjet estetike luajnë një rol shumë të madh në jetën e njeriut. Estetika është shfaqje e jashtme e harmonisë, por, kur flasim për harmoninë, nuk flasim vetëm për gjëra të jashtme, por edhe ato të brendshme…”

Paralelisht me karamelet “estetike” të Kirill, homologu tjetër patriarku, shprtnori serb Irenej nga Peja brenda ditës, nis pakon e vet per mikun e ngushtë të Vuqiç e për shqiptarët mbarë, veçse kjo me karamele të hidhura:
“…Me vullnetin e fuqisë së kësaj bote, vendi ynë i shenjtë toka e Kosovës dhe Metohisë, pësoi së pari një humbje të madhe, më shumë se të gjitha vuajtjet e mëhershme në historinë e saj, në fund ajo do të ndahej nga Serbia dhe do të shpallte një shtet të pavarur shqiptar….”

– Fabula “bumerang” Basha i rusëve.

Si per ti dhënë lamtumirën prillit gjeopolitik, rilindasi bir i ish-studentit rus, shefi hegjemon i të vetmes Parti themeluar nga serbo-rusët në Shqipëri, “evlati” i partnerit strategjik turk, bashkë-aksionisti per neo-jugosllavinë e Vuqiç, miku i zgjedhur i shprtnorit serb Irenej dhe “estetiku,” Shqipëri-beresi per shpirtnorin e të gjitha rusive, shkoi në “Tonight” për ti shpjeguar e mësuar opinionit publik, dhe gjithë tarallakëve të botës se filo-rusi në Shqipëri nuk është ky vetë, dmth “estetiku” i Krillit, por Basha dhe opozita, sepse: “PD e Lulzim Bashës është financuar nga paratë e pista ruse”.
Madje, interpreti i kësaj “vijë sjellje” edhe pse e dinte se është “bumerang”, njëlloj si shantazhet ndaj Perëndimit për flirtimi me Lindje, tha se Basha duhet ta përballojë si burrat hetimin dhe penalitetin e kësaj veprimtarie antikombëtare që po bën me hije edhe qeverinë e partisë… së Tij…

Sidoqoftë ky fundprill gjeopolitik, foli qartë edhe për amatorë e diletantë të konspirativizmit;
Mjafton një shfletim “revistës” kronologjike duke e filluar nga pakoja me amballazh perëndimor “soros-tenet-jane,” që mbërrin nga Franca për “sherbime te larta” në Shqipëri, para 20 vitesh. Shërbime të cilat ka filluar ti shijojë dhe shqiptari më pabuks, fanatik e pasional i socializmit internacionalist e kozmopolit.
Ajo që mbetet akoma për tu shqyrtuar, është se përse “estetiku bojaxhi” i derguar si “fisheku në pajë” u sh-perdorua e dekonspirua ose siç quhet me eufemizëm u dogj me gjithë çerdhen e tij atë-rore, pikërisht nga shpirtërorët që janë njëkohësisht avanguardia e promovimit të autokracive lindore, kundër demokracive oksidentale