Fshatarët e Labinot -Fushë – Enver Hoxhës :Na vrisni ose na lini te falemi në Xhami

Vendimi famëkeq i 6 shkurt 1967, për shembjen e kishave dhe xhamive, u prit në mjaft raste me zemërim.
Ende pa kuptuar shkakun e këtij vendimi tragjik, banorët e fshatit Labinot Fushë, me shpresën se do mund të kthenin mbrapsh këtë vendim, i drejtohen me një letër Enver Hoxhës, duke reaguar me zemërim pse po e largonin hoxhën e fshatit nga xhamia, gjë që çonte në mbylljen e saj.
Deri në këtë moment, sipas tonit të letrës, kuptojmë se njerëzit e njihnin lirinë dhe nuk e kishin ulur kokën aq lehtë, edhe pse kishte afërsisht dy dekada që ishte vendosur regjimi komunist. Kjo ndodhte për shkak të traditës së besimit, si shenjë e një ndërgjegje për gjithë situatën.
Mbi letër, është edhe shkrimi i Enver Hoxhës që, si duket, duke iu druajtur reagimit popullor, urdhëron drejtpërdrejt Ramiz Alinë që të kenë kujdes me sjelljen ndaj tyre.

Me poshte letra e zbardhur, si dhe faksimilja, marre nga AQSH

***

UDHËHEQËSIT TONË TË DASHUR SHOKUT ENVER HOXHA

Na fshatarët e fshatit të Labinotit Fushë jemi idhnue na sjellja e të plotfuqishmit të zonës tonë bashke me dy policë e morën Hoxhën dhe e shtërnguan që të largohet na xhamija dhe hoxha u largua dhe nuk e çeli xhaminë na nuk na ngeli gjë ma por veçse që të kacafytemi me këta, na nuk e dimë a është urdhëri i Jasharit e Katinës apo është i juaj ta dimë vemë në qytet xhamija shemen dhe janë të mbyllura dhe këtu nuk na lene në fenë tonë e duamë dhe do ta mbajmë ajo që nuk e do le të mos vejë në xhami na nuk detyrojmë njeri. Na e dimë që ekzistonte Kuvendi Popullor dhe çdo njeri ju është garantuar e drejta e tijë personale që të kryejë çdo besim fetar dhe na kur votojmë dimë që vota është për të drejtat e çdo qytetari e fshatari të barabartë apo mos vallë na keni marrë na që besojmë për katundarë të trashë dhe që nuk dimë gjë, kjo s’është e drejtë apo mos vallë për kohën e skllevërve që njerëzit ishin të detyruar që të punonin për çfrytëzimin e tyre por duhet ditur që ajo kohë ishte koha e injorancës dhe nuk përshtatet kohës tonë se pse njeriu është më i ngritur sot dhe nuk fallen kësoj gabimesh famijët do na mësojnë ne apo ne i mësuamë fëmijët, neve baballarët tanë nuk na mësuanë në rrugë të mbarë si u banë fëmijët tanë të mirë, vemi në qytet xhamijat janë mbyllur disa i shemin ose ditë xhumaje dhe tashti që po vjen bajrami ku do të falemi që po shemben, neve veshim e faleshim në qytet si do bëhet na duamë që në xhami të mos na ndalojë njeri dhe në qytet janë pesë xhami të na jepen 2 xhamija të paktë që të falemi për bajram e ditë xhumaje, ndryshe o na vritni ose na perzini fare se na e duamë fenë tonë nuk rrimë pa të.

Të fala shumë
na fshatarët e Labinot Fushës

***
Marre nga ISKK