Francë – Arrestohet Felicien Kabuga, financues i gjenocidit në Ruandë

Felicien Kabuga, i konsideruar si “financuesi i gjenocidit në Ruandë” dhe një nga të pandehurit kryesorë që ende kërkohej nga drejtësia ndërkombëtare, u arrestua të shtunën në mëngjes pranë Parisit.

Zyra e Prokurorit Publik dhe Xhandarmëria e Parisit njoftuan përmes një deklarate të përbashkët se 84-vjeçari Kabuga u arrestua në një banesë në Asnieres-Sur-Seine, një nga zonat periferike të kryeqytetit francez, ku ai jetonte me identitet të rremë.

I kërkuar prej 25 vitesh, Kabuga u kap në një operacion të zhvilluar nga skuadra e krimeve kundër njerëzimit të xhandarmërisë franceze.

Pas procedurave gjyqësore në Gjykatën e Apelit në Paris, Kabuga do t’i dorëzohet Gjykatës Ndërkombëtare Penale për Ruandën (ICTR), një organi i Kombeve të Bashkuara, për t’u gjykuar për krime kundër njerëzimit.

ICTR-ja e akuzon Kabugan për masakrimin e qindra-mijërave personave duke financuar grupin hutu që kreu në gjenocidin në Ruandë.

Më 1994-n, hututë filluan një gjenocid kundër tutsive, të cilët i akuzonin për rrëzimin e avionit të presidentit të atëhershëm, Habyarimana. Gjatë masakrës 100-ditore, në Ruandë humbën jetën mbi 800.000 tutsi.

Në korrik të vitit 1994, Kabuga u strehua në Zvicër dhe pas dëbimit nga ky vend ai shkoi në Republikën Demokratike të Kongos. Ndërkohë u shpëtoi operacioneve policore të zhvilluara në kryeqytetin Najrobi të Kenies në korrik 1997 dhe në vitin 2003.

Franca ishte prej kohësh në shënjestër të kritikave të opinionit publik ndërkombëtar dhe francez gjithashtu, sepse mbështeti për një kohë të gjatë qeverinë e hutuve autorë të gjenocidit. Ish-presidenti i Francës, François Mitterrand, në një intervistë për gazetën “Le Figaro” në vitin 1998, pati thënë se “gjenocidi në ato vend nuk është një diçka edhe aq e rëndësishme”.

Dihet që Mitterrandi pati penguar hapjen e arkivave lidhur me periudhën e gjenocidit në Ruandë duke rivendosur vulën “sekret shtetëror” mbi këto dokumente, pavarësisht se një ndalim i parë ishte shfuqizuar.

Gjykata Kushtetuese e Francës pati refuzuar në shtator 2017 kërkesën e një studiuesi të periudhës së gjenocidit në Ruandë për të pasur qasje në arkivin presidencial.