Fotot për 75-vjetorin e çlirimit, Çika: Ka autorë të masakrave të komunizmit

Shoqata antikomuniste kundërshtoi fotografitë e vendosura në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në kuadër të festimeve të 75-vjetorit të çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit nazifashistë.

Drejtuesi i Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë, Nebil Çika në një intervistë për Ora News u shpreh se janë vendosur fotografi të autorëve të masakrave të shumta të komunizmit dhe të internimit të grave e fëmijëve.

Nebil Çika: Një pjesë e atyre që janë në bulevard nuk kanë lidhje me statusin e dëshmorit që pretendohet. Një pjesë e tyre jo vetëm që nuk kanë bërë asgjë për atdheun, por i kanë bërë shumë dëme. Ka njerëz që kanë vdekur ose janë vrarë pasi ka përfunduar Lufta Civile ose Lufta e Dytë Botërore. Ka njerëz që kanë iniciuar ndalimin e besimit në Zot, drejtues të lartë të regjimit komunist. Ka autorë të masakrave të shumta të komunizmit, ka dhe autorë të internimit të grave dhe fëmijëve.

Çika nuk hezitoi të fliste me emra duke treguar pak nga historia e tyre.

Nebil Çika: Po them disa tipikë. Nuri Luci ka vdekur në ’49, është vrarë në disa përpjekje me disa qytetarë antikomunistë. Ishte kryetar i degëve të punëve të brendshme të Krujës, shef i sigurimit të Krujës, autor i drejtpërdrejtë i vrasjeve.

Rasti tjetër është Mustafa Xhani. Ka qenë një nga drejtuesit e lartë të regjimit komunist, kryetar i fondit demokratik për shqiptarët. Deri në vitin ’90 ne votonim, nuk njihej Partia e Punës e Shqipërisë. Ajo që ne votonim, që merrte vendime për internime ishte Fondi Demokratik, ky ishte nënkryetar i kësaj organizate terroriste dhe u vra nga kryegjyshi botëror në një përplasje pasi ishte i pari që u përpoq të ndalonte fenë.

Nebil Çika: Në bulevard nuk janë fotot e nacionalistëve

Nebil Çika: Atje ka njerëz idealistë që mund të jenë vrarë, janë të paktë. Por ata i shërbyen një kauze që e vendos komunizmi. Qëllimi i tyre për të cliruar Shqipërinë përfundoi një dështim dhe Shqipëria përfundoi nga një pushtim nazist në një diktaturë komuniste.

Por ka një pjesë tjetër që nuk është. Janë me qindra nacionalistë që janë vrarë në Luftën Gjermane. Skënder Muca, një nga krerët kryesorë të Ballit Kombëtar u vra nga gjermanët se ishte aleat i anglezëve. Sa mbaroi takimi me britanikët në Orikum, e spiunuan komunistët tek gjermanët, i dolën në pritë dhe e vranë. Është dëshmor i kombit.

Ora News: Ndodhet fotografia e tij?

Nebil Çika: Nuk ndodhet. Nuk ndodhet asnjë kundërshtar politik.