Fotoja me Ramën, Agalliu: S’ka naiv që mendon se do ta takoja në Vlorë në mes të Lungomares

 

Deputeti demokrat Arbi Agalliu ka shpjeguar sërish me detaje në “Abc Live” sesi qëndron e vërteta e fotos së shkrepur në Vlorë ku shihet duke biseduar me kryeministrin Edi Rama. Agalliu tha se në lokalin në foto ndodhej me familjen dhe ndërsa ai futej, kryeministri ishte duke dalë.

“Profesor as këtu s’mu ndave më tha,” tregon deputeti demokrat.

Ai përsëriti edhe një herë se nuk ka kompleks që të takojë askënd ndërsa shtoi se opozita bëhet në institucione dhe jo me gurë e molotovë duke iu referuar kështu protestës së të shtunës.

Fotoja sipas tij është shkrepur më 13 nëntor dhe tashmë po përdoret pikërisht në këtë moment për të dëmtuar imazhin e tij.

“Nëse do dua të takoj Ramën, nuk ka naiv të mendojë që ta takoj në Vlorë, në Lungo Mare, në lokalin më të njohur. Takoj dhe përshëndes këdo që më del para.”

Agalliu po ashtu akuzoi disa media që sipas tij po shpifin duke e nxjerrë fotografinë nga konteksti.

Kujtojmë se mbrëmjen së martës qarkullo në media një foto ku duken në një lokal deputeti i PD-së, Arbi Agalliu me kryeministrin Edi Rama dhe nuk munguan interpretimet se ky takim mund të kishte lidhje me protestën e 8 janarit.