FONDACIONI “SOROS” ZHVILLON LUFTËN E KLASAVE

Presidentit të Fondacionit, z. Xhorxh Soros/

I nderuar, zoti President!

I mahnitur nga madhështia e veprës Suaj humane, nuk gjej dot fjalë për të shprehur mirënjohjen time, si një qytetar i thjeshtë që dëshiron ta shohë “të hapur” Atdheun e vet të mbyllur gjysmë shekulli në burgun e errët komunist. I hutuar nga ardhja e fuqishme e një lirie të papritur, e kam vërtetë të vështirë, zotëri, të rrok gjithë hapësirat e qëllimeve Tuaja fisnikepër konsolidimin e një Demokracie të kulturuar në Shqipëri.

I mësuar vetëm të përbuzem prej komunizmit si mijëra vëllezërit e mi, më falni, nëse e krahasoj me atë të një apostulli synimin Tuaj të shenjtë për të ndihmuar Shqipërinë e diferencimeve të thella sociale të lumturohet me të drejtën për të përfituar nga një humanizëm kaq i paanshëm, siç është ky i Juaji!

Ju jeni me të vërtetë një NJERI, zoti President!

Ju s’mund ta besoni besoni dot vlerën e madhe morale që ka vepra Juaj për Shqipërinë e fyer nga paragjykimet e egra klasore që kultivoi këtu komunizmi barbar. Ju s’mund ta besoni revolucionin përtëritës që kryen një vepër si kjo Juaja në mendjen dhe shpirtin e shqiptarit, i cili, si në asnjë vend tjetër të Botës komuniste, u mësua t’ia kish borxh diktaturës së kuqe edhe jetën e tij të mjerë. Ju s’keni si ta kuptoni se sa shumë e mohon vepra Juaj njerëzore veprën gjakatare të komunizmit, i cili na dënonte pa mëshirë, kur s’e pranonim si lumturi mizerjen që na shkaktonte skllavëria e tij mesjetare.

Ju shfaqeni në qiellin shqiptar, të mbushur me jehonat e frikshme të bubullimave të luftës klasore të komunizmit, si një pëllumb i bardhë, simbol i paqes dhe dashurisë.

Ne, që dalim nga ferri, e ndiejmë më mirë se kushdo bukurinë e asaj parajse që kërkon të ngrejë në truallin tonë të zhuritur nga urrejtja, vepra Juaj, e mbushur me dashuri për njerinë.

Zotëri!

Kur ndodhesha nën torturat e hetuesisë komuniste, një natë hetuesi im më tha: “Armik! Ti nuk e kupton dot demokracinë tonë! A nuk e ble edhe ti bukën me atë çmim që e blejnë edhe njerëzit tanë?”

Para ca ditësh shkrova një artikull kritik në adresë të stafit që drejton Fondacionin Tuaj në Shqipëri. E dini si m’u përgjigjën zotërinjtë që kanë në duart e tyre një vepër kaq humane siç është kjo Juaja? “Ju si të persekutuar përfitoni direkt dhe indirekt nga Fondacioni ynë, pasi fëmijët tuaj bëjnë pjesë në atë Universitet për të cilin ne sponsorizojmë!”

Dhe me përmendi një mijë kursantët që ndjekin mësimin e gjuhës angleze, të cilët, të persekutuar dikur, sot “privilegjohen” duke mësuar disa fjalë në atë gjuhë që foli Shekspiri!

Unë do t’i falënderoja për leksionin edhe që nga kjo letër, dhe do t’Ju mbetej një shije e hidhur, po të tentonit të provonit vërtetësinë e fjalëve të mia.

Ah, zotëri! Sikur të arrinit të përfytyronit për një çast mrekullinë që mund të bëjë SHPRESA. Ne mbijetuam në komunizëm vetëm në sajë të kësaj magjistareje të ëmbël, e cila na mbushte ëndrrat e frikshme me rreze drite. Megjithatë komunizmi na la gjithë jetën në errësirë. Ai kish frikë të na shihte në dritë. Ne ishim të dënuarit e tij pa faj, prandaj vetëm errësira duhej ta mbushte pafajësinë tonë. Ne ishim akuza, prandaj duhej të liheshim injorantë për të mos ditur kurrë ta formulonin drejt tij shtypjen e të drejtave tona. Ne ishim kërcënimi i pushtetit të tij barbar, ndaj duhet të atrofizoheshim sidomos intelektualisht.

Kështu ne vijmë nga diktatura në demokraci pa diploma e tijtuj shkencore, pa gjuhë të huaja të mësuara nëpër auditoret e universiteteve; pa talente të kultivuara, pa shkathtësinë e një truri të ushqyer mirë, pa guximin e një shpirti të privilegjuar.

Po! Ne dalim nga errësira në këtë dritë me tërë komplekset e një shpirti krenar të ndrydhyur me dekada, me trupin e mpirë nga pasiguria për të nesërmen, me zemrën e plagosur nga fyerjet e përditshme, me shpirtin e vrarë nga humbja e besimit tek e mira njerëzore. Ne dalim në këtë dritë me një potencial intelektual të paafirmuar, me shkollat autodidakte të burgjeve e të kampeve të punës së detyruar, ne dalim me shkollën e madhe të mbijetesës; me shpirtin e madh të tolerancës që buron nga shija e dhimbjes dhe e fyerjes njerëzore; ne dalim me një etje të fuqishme për jetë dhe dritë, me dashuri për dije, me talente të ndrysdhura që presin shpërthimin; me forca të mëdha shpirtërore për të fituar kohën e humbur. Ne dalim në këtë dritë me shpresa të mëdha.

Zotëri!

Ju që keni mbërritur me forcën e mendimit në olimpin e heronjve që mbjellin e kultivojnë humanizmin dhe Demokracinë, do të na kuptoni po t’Ju themi se sa pak, për të mos thënë fare, mund të përfitojmë ne nga asistenca Juaj, kur fondet që akordoni Ju për ringjalljen e Shqipërisë janë në duart e atyre njerëzve që ne na vështronin me përçmim për gjysmë shekulli. Ata u mësuan të na injorojnë, u stërvitën të na flakin në errësirë, ata janë mishërimi i paragjykimit barbar komunist që na la pa dije, pa bukë dhe pa asnjë të drejtë njerëzore.

E përse u duhet këtyre njerëzve kultura jonë, talenti ynë? Që të vërtetojnë se ne jemi pjesa më energjike dhe më fisnike e kombit? Që ne mund të ndërtojmë një Shqipëri me të vërtetë demokratike e pluraliste, ashtu si tentoni edhe Ju, duke derdhur këtu miliona e miliona dollarë? Të vërtetojnë se sa kriminale që vepra e tyre dhe e prindërve të tyre ndaj nesh?

Jo, Zotëri! Ata kurrë s’do ta bëjnë këtë! Përkundrazi! Ata i kanë të gjitha mundësitë të mos e bëjnë këtë gabim fatal. Ata kanë njerëzit e tyre me shkolla, tituj e diploma, ata kanë përvojën e padrejtësisë gjysmëshekullore, ata kanë egërsinë e parazitit dhe hilenë e mediokrit, ata janë pengesa jonë për të dalë në dritë.

Por ne do t’ua duronim edhe këtë diferencim që po na bëjnë dhe, për hir të mbarëvajtjes së kombit, ashtu si po durojmë persekutorët tanë të kohës së diktaturës të tallen duke u bërë milionerë me pasuritë kombëtare që burojnë edhe prej djersës dhe gjakut tonë, do t’i duronim edhe këta persekturorë të rinj që, duke na lënë në hije, mburren me disa gjeste humanitare si ato që bën një mëkatar tek porta e kishës duke i hedhur një lëmoshë një të gjymtuari. Ne do t’i duronim këta e nuk do të shkruanim për ta e aq më pak kundër tyre, sikur një rrezik më i madh të mos e shqetësonte vetëdijen tonë qytetare. Duke na braktisur ne në mëshirën e vorbullave të përmbysjeve shoqërore, kur ata po marrin frenat e pushtetit ekonomik, këta zotërinj po forcojnë çdo ditë repartet e tyre të kualifikuara me kulturë perëndimore. Ata po tentojnë të përgatisin një diktaturë të re të “moderuar” të një shoqërie të evropianizuar. Ata dërgojnë jashtë shtetit me lekët e Sorosit Tuaj kontigjente njerëzish, të rinj e të vjetër, që do të përvetësojnë kulturën bashkëkohore për t’iu përgjigjur intelektualisht situatave të reja që po krijon klima e re demokratike në Shqipëri.

Ata, zotëri, janë betuar një herë kundër nesh. Dhe duke shfrytëzuar filozofinë e humanizmit Tuaj për asistencën e hapur, na bërtasin duke e quajtur kufizim të këtij parimi të madh të drejtën tonë për një ndihmesë të barabartë me shtresat e tjera, dikur të privilegjuara të shoqërisë sonë.

Zoti President!

Sikur të më siguronit që Shqipërisë nuk po i përgatitet me fondet Tuaja një kërcënim i ri, unë do të heshtja, edhe kur t’i shihja nipërit dhe mbesat e mia pa asnjë asistencë nga ana e Fondacionit Tuaj.

Duke ju falënderuar edhe një herë për veprën Tuaj të lartë humanitare, ju kërkoj të falur për shqetësimin.

Ah, sa do desha të isha i gabuar qoftë edhe një çast për konstatimet e mia në lidhje me punën jo të pastër që po kryen Fondacioni Soros në Shqipërinë e martirizuar prej komunizmit!

Me respektin më të lartë,

LUAN MYFTIU

Gazeta “Liria”, Viti II i botimit, e mërkurë 24 nëntor 1993, Nr. 94