FOLTORJA E BERISHËS, KRIZA E PD DHE JAKOBINIZMI I RAMËS

Nga Av. Xhafer Sadiku

Krahas shumë anëve pozitive të foltores së Zotit Berisha, ka një farë qasje jo të saktë kur është fjala për kriticizmin ndaj Zotit Basha dhe rezultateve te PD në zgjedhjet e fundit. Më konkretisht, ai thotë se megjithë manipulimet e Ramës, Basha nuk i fitoi zgjedhjet.
Pavarësisht të metave të Z. Basha dhe krizës në PD të shkaktuara nga faktorë të shumtë, zgjedhjet e 25 Prillit 2021 as Basha dhe asnjë tjetër, përfshi edhe zotin Berisha, nuk mund ti fitonte kurrë. Arsyet i kemi shpjeguar më herët, por këtu po bëjmë një përmbledhje të shkurtër të tyre:
Së pari, që nga viti 2012, kur Berisha ishte në pushtet, klika Rama-Veliaj dhe tutorët e tyre në Perëndim krijuan rrjetin Patronazh, i cili është shtrirë në të gjithë organigramën e shtetit dhe kapilarët e shoqërisë. Duke kapur shtetin dhe shoqërinë, zgjedhjet janë bërë një farsë.
Së dyti, Rama-Veliaj kanë zbatuar pikë për pikë elementët në të cilët mbështetet jakobinizmi: qeverisje e ashpër, centralizmi administrativ, kontrolli politik i shëndetit publik, manipulimi i zgjedhjeve, politizimi i masave për të krijuar bashkësi unike, eliminimi i traditës dhe i historisë së qyteteve, tjetërsimi i territorit, si dhe heqja e kufirit midis publikes dhe privates.
Sic shihet, është realizuar i gjithë programi jakobin dhe në mënyrë të veçantë manipulimi i zgjedhjeve, për të vazhduar spiralen e pushtetit drejt tiranisë. Këtë kanë bërë që në zgjedhjet e vitit 2013 e në vazhdim.
Kur MAFIA jakobine të arrijë të krijojë bashkësitë unike, të mos çuditemi kur të shohim që të ngrihet “gijotina-gjyqet politike” në mes të Tiranës. Nuk ka rëndësi se si sanksionohen në normat e legjislacionit penal, por asnjë të mos shpresojë se do t’i pengojnë “miqtë tanë ndërkombëtarë dhe aleatët strategjikë”. Ata janë një.
Sa sipër, për gjendjen në të cilën ndodhet PD nuk është fajtor Basha. Janë të gjithë ata që e shohin nomenklaturën e kriminalizuar dhe të korruptuar të shtetit privat të Ramës dhe heshtin.
Ndryshe nga kritizerët e tij, jam i bindur se Basha nuk është i kapur nga Rama, por është i terrorizuar nga gringot që sundojnë Shqipërinë. Ashtu si janë terrorizuar shumë të tjerë.
Por, duhet theksuar se, më shumë se sa foltorja e Berishës, Bashën po e dëmtojnë ata që ai i ngriti brenda PD. Është naivitet i madh të mendosh se pas goditjes së Berishës, SHBA do të sjellë në pushtet PD-në. PD e sjell në pushtet lufta për drejtësi dhe liri, për sovranitet dhe dinjitet.
Duke qenë problematikë e identifikuar, çështja shtrohet: Si mund të pengohet dhe të çmontohet ky shtet kriminal që po shkatërron Shqipërinë?! Mbase do të ishte më produktive që mbi këtë problematikë duhet të fokusohet foltorja e Z. Berisha dhe veprimet e Z. Basha.
Endrrat se PD do ta sjellë në pushtet SHBA janë për fëmijët. Shqipëria ka humbur lirinë, pavarësinë dhe sovranitetin. Kujt i duhej një pushtet që nuk do të ndryshonte dot asgjë dhe do të ishte një mjet që do t’i shërbente MAFIE-s, okupatorëve dhe jo qytetarëve. Diktatura jakobine dhe tutorët e saj duhen penguar me të gjitha mjetet. Dhe kjo duhej të fillonte së pari nga unifikimi i qëndrimeve kundër saj.