Fluksi / Mbi 22 mijë kosovarë hyjnë në Shqipëri për pak orë.

Mëngjes me fluks të madh të hyrjes në Shqipëri, të shtetasve kosovarë në pikën kufitare të Morinës në Kukës.
Policia e Shtetit bën me dije se prej orës 03:00 të mëngjesit kanë hyrë në Republikën e Shqipërisë, 22.145 shtetas me 4.058 mjete. Policia njofton se “po kryen kontrolle me përzgjedhje dhe sipas analizës së riskut, për mjete dhe persona të dyshuar për veprimtari të kundërligjshme, që mund të përfitojnë nga fluksi”.
Njoftimi i policisë
Policia Kufitare në Morinë, që prej orëve të mëngjesit ka shtuar sportelet në maksimum dhe po aplikon procedurën e përshpejtuar për të përballuar fluksin e jashtëzakonshëm në hyrje.
Gjithashtu Policia Kufitare në Morinë po kryen kontrolle me përzgjedhje dhe sipas analizës së riskut, për mjete dhe persona të dyshuar për veprimtari të kundërligjshme, që mund të përfitojnë nga fluksi.
Ndërkohë, Policia Rrugore, për të parandaluar aksidentet dhe ndihmuar vargun e pandërprerë të automjeteve që lëvizin në drejtim të Lezhës dhe bregdetit tonë, ka shtuar prezencën e Policisë Rrugore në rrugën e kombit.
Për shkak se te ura e Kukësit po kryhen punime, Policia Rrugore ka vendosur shërbim fiks për të ndihmuar qarkullimin e automjeteve në të dyja kahet e lëvizjes.