Fleksibiliteti i diskursit amerikan për zgjidhjen e kontestit Kosovë-Serbi

REL

Zyrtarët e SHBA-së kanë shfaqur qëndrim më fleksibil ndaj çështje së zgjidhjes përfundimtare të kontestit Kosovë- Serbi, vlerësojnë njohësit e çështjeve politike në Kosovë, Donika Emini dhe Agon Maliqi.

Njohjen reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si një “zgjidhje ideale” për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, e ka përmendur zëvendësndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, njëherësh i dërguar për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Gjatë një dëshmie para Nën-Komitetit të Dhomës së Përfaqësuesve për Evropë, Energji dhe Ambient, diplomati Escobar ka përmendur rëndësinë e vazhdimit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga BE-ja, duke thënë se palët “si të barabarta, duhet të punojnë për të zgjidhur dallimet e tyre dhe për t’i normalizuar marrëdhëniet, në mënyrë ideale përmes një njohjeje reciproke”.

Emini: Formulimi i Escobarit, ndryshe nga letrat e Bidenit
Donika Emini, drejtoreshë ekzekutive e platformës CiviKos, thotë për Radion Evropa e Lirë se në deklaratat e deritashme zv.ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Escobar, ka thënë se qëllimi kryesor i dialogut është integrimi i të dyja vendeve në Bashkimin Evropian.

Por, siç thotë Emini, përmendja e njohjes së ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke e formuluar si “mënyrë ideale” për normalizimin e marrëdhënieve, është ndryshe nga letrat që presidenti i SHBA-së, Joe Biden, u ka dërguar liderëve në Kosovë dhe Serbi, ku njohja e ndërsjellë përmendet si zgjidhje e vetme.

Presidenti i SHBA-së Joe Biden dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Beograd më 16 gusht 2016. Në atë kohë Biden ishte nënpresident i SHBA-së.

Megjithatë, sipas saj, njohja e ndërsjellë, si zgjidhje e vetme dhe jo si zgjidhje ideale, të cilën e ka thënë diplomati Escobar, është hequr fare edhe nga fjalori i Bashkimit Evropian. Deri më tash, siç thotë ajo, flitet për pranim të Kosovës nga ana e Serbisë, por jo edhe njohje, në kuptimin diplomatik, ndërmjet dy vendeve.

“Kjo mbase për shkak të pozicionit të Vuçiqit, por ndoshta edhe për shkak të pamundësisë që të negociohet me Vuçiqin, duke pasur parasysh rolin e tij komplet në Ballkan, për nga aspekti i sigurisë. Përveç destabilizimit potencial të Kosovës, destabilizimi i Bosnjës (e Hercegovinës) është një çështje urgjente, e cila po trajtohet edhe në kuluaret e BE-së. Pastaj edhe situata në Mal të Zi. Këto tregojnë që Serbia, si faktor destabilizimi në rajon, është rinuar dhe është problem komunitetin ndërkombëtar, sidomos për Shtete e Bashkuara të Amerikës. Kështu që kjo, ndoshta duhet të jetë alarm edhe për ne në Prishtinë”, thotë Emini.

Maliqi: Ide për pranimin e Kosovës, por jo edhe njohje të saj nga Serbia
Por, pikëpamje tjetër ka analisti i çështjeve politike, Agon Maliqi. Në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, ai thekson që në deklaratat e diplomatit amerikan, Gabriel Escobar, nuk ka pasur diçka ndryshe në përmbajtje, krahasuar me qëndrimet e deritashme amerikane, lidhur me formulimin që përfundimi i dialogut duhet të rezultojë me njohje të ndërsjellë Kosovë-Serbi.

“Por, edhe fleksibilitetin, që njohja reciproke do të ishte ideale, e ka pasë theksuar në disa raste më herët edhe Matthew Palmer (ish i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor), gjë që e lë të hapur edhe mundësinë që njohja të mos jetë. Si mundësi, padyshim që SHBA-ja e parapëlqen një zgjidhje të tillë ose e synojnë një zgjidhje të tillë. Por, këtë lloj fleksibiliteti e shoh jo si të ri, por edhe si një lloj deklarimi me inercion i faktit që SHBA-ja, për momentin, nuk sheh dinamikë në proces (të dialogut) dhe nuk ka koordinim në mes Qeverisë sonë ( të Kosovës) dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës rreth dialogut. Do të thotë, nuk ka bashkërendim”, thekson Maliqi.