Flamur Noka: Të hetohen Spartak Braho dhe Sokol Bizhga

Deputeti Flamur Noka është marrë sot në pyetje për rreth dy orë nga hetuesit në Prokurorinë e Tiranës. Në një prononcim për mediat, Noka tha se i ka bërë thirrje prokurorisë të hetojë dhunën e ushtruar nga policia ndaj demokratëve, por dhe deklaratat e Spartak Brahos, i cili ka thënë se në 8 janar do të vriteshin katër deputetë. Hetim ka kërkuar edhe për Sokol Bizhgën.

“Unë sot i bëra thirrje prokurorisë të hetojë për një mashtrim publik që pengu u ka bërë shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve në datë 18 dhjetor duke sajuar numra të gënjeshtërt, duke mashtruar për 5004 delegatë, duke falsifikuar firma. Sot i bëra thirrje prokurorisë të hetojë edhe dhune ushtruar nga policia mbi demokratët në shtëpinë e tyre. I bëra thirrje që të hetojë edhe një zjarrvënës si Spartak Braho që përhap terror dhe panik duke sajuar lajme. Të hetojnë dhe Sokol Bizhga që ushtroi dhunë.Asgjë, as thirrjet në prokurori dhe as dhuna e pushtetit dhe e bandave nuk ndalojnë vullnetin e demokratëve. Shteti dhe pushteti duhet të hetojnë banditët që ai kishte mbushur shtëpinë e lirisë”, tha ai.

Noka e konsideron 8 janarin si protestën më paqësore të mbajtur ndonjëherë dhe hedh poshtë akuzat për sulme nga Lulzim Basha dhe lidershipi i PD.

“Absolutisht janë po ata që dolën dhe ju thanë se në selinë e PD thjeshtë po bëheshin brandime, mohuan blindimin. Kanë gënjyer shqiptarët dhe ndërkombëtarët. Protesta ishte më paqësorja që është zhvilluar ndonjëherë, asnjë polic i sulmuar apo plagosur, as mercenarët, asnjë xham makine nuk është thyer. Protestë më qytetarë se kjo nuk është parë. Protestuesit do të nxirrnin në mënyrën më paqësore pengun”, u shpreh ai, ndërsa më tej e mohon gjithashtu që të kishte të armatosur në mesin e protestuesve.

“Ajo që keni parë ju është se në këtë protestë nuk ka patur asnjë person të armatosur. Arma e vetme që kishin demokratët kanë qenë teserat e partisë. Nuk kishte çfarë të ndodhte. Demokratët nuk e njohin frikën”, tha Noka.

I pyetur se si do ta marrin selinë, teksa Lulzim Basha nuk dorëzohet, përgjigjet: “Ne po flasim për demokraci. Në demokraci vullneti i shumicës prevalon. Nëse nuk njeh votën si pretendon të jesh përfaqësues i një force politike. Kush nuk njeh votën nuk është përfaqësues duhet larguar. Shtëpinë e lirisë nuk e mban dot askush.”

Në Prokurorinë e Tiranës dha sot dëshminë e tij edhe ish-kryeministri Sali Berisha, ndërsa nesër do të paraqiten Lulzim Basha dhe Gazment Bardhi