Fitorja spektakolare e Sebastian Kurz

 

Enver Bytyçi

Sebastian Kurz siguroi në zgjedhjet e sotme 71 mandate deputetësh, rreth 7 përqind më shumë se në legjislaturën e kaluar të ndërprerë për shkak të skandalit të liderit të partisë në koalicion FPO. Partia Popullore e Austrisë, një parti tradicionale e qendrës së djathtë, ka marrë mandatin e qytetarëve austriakë për qeverisjen e vendit në katër vitet e ardhshme. Eshtë fitorja më e madhe në historinë disa dekadash të Partisë Popullore të Austrisë, pas asaj të vitit 1990.

Partia Popullore e Austrisë fitoi 38.4 për qind të votave, ndërkohë që rezultati për subjektet e tjera politike rezulton në 21.5 për qind për socialdemokratët e majtë, 17.3 për qind për ekstremistët t djathtë prorusë e proserbë, 12.4 për qind për të Gjelbërit dhe 7.4 për qind për liberalët. OFP u rrit me 6.9 për qind, të Gjelbërit me 8.6 për qind dhe liberalët me 2.1 për qind. Ndërkohë ulja qe e ndjeshme për socialdemokratët me 5.4 për qind dhe ekstremistët t djathtë me 8.7 përqind. (Marrë nga Frankfurter Allgemeine Zeitung).

OVP është parti e parë fituese në të gjitha landet e Republikës Austriake, përveç Vjenës, një risi kjo në rezultatet zgjedhore të 30 viteve të fundit. Në Salzburg dhe në Tirol ajo ka arritur të marrë përkatësisht 48 dhe 47 për qind të votave. Pjesëmarrja e zgjedhësve në votime ishte shumë e lartë, në kuotën 75.5 për qind, çka do të thotë se interesi për politikën i qytetarëve austriakë është në nivele shumë të larta. Mediet austriake e vlerësojnë fitoren e popullorëve si një triumf personal të Sebastian Kurz, i cili u paraqiti votuesve një program politik me 100 projekte.

I pari urim për Sebastian Kurz erdhi nga presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç, në orën 21.00, në momentin kur u shpall rezultati zgjedhor. Kjo do të thotë se Beogradi pret një marrëdhënie ende më të ngushtë me Vjenën, ndërkohë që politika dhe diplomacia e Tiranës gjendet shumë larg depërtimit të diplomacisë serbe. Në kushtet kur kancelari Kurz ishte shprehur luajal për dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit, duke nënkuptuar veç tjerash dhe një zgjidhje me ndryshim kufijsh midis dy vendeve, diplomacia shqiptare do të duhej të ishte shumë më tepër aktive në marrëdhëniet me Austrinë.

Por ndonëse ka fituar 38.4 përqind të votave, ajo nuk mund të qeverisë e vetme. Duket tashmë se ish-kryeministri më i ri në historinë e Republikës Austriake, Kurz, kësaj radhe do të mund të qeverisë me një partner të ri, Partinë e të Gjelbërtve të presidentit Alexander Van der Bellen, e cila do të ketë tashmë 26 vende në parlament ose 10 përqind më shumë se legjislaturën e kaluar. Partia Popullore Austriake e Sebastian Kurz ka marrë gjithsej 71 vende në parlamentin federal dhe të dyja këto parti arrijnë një numër të mjaftueshëm deputetësh prej 97 për të krijuar qeverinë e re.

OFP ka disa mundësi për koalicion dhe formimi i qeverisë është i garantuar. Por mediet shkruajnë se koalicioni i Partisë Popullore me të Gjelbërtit është më i mundshëm. Kjo do të thotë se e majta dhe e djathta ekstreme tashmë i takojnë opozitës. Pritet gjithashtu që qeverisja e radhës të jetë një qeveri stabile dhe e suksesshme, madje një sinjal për ndryshime të thella politike në vendet e Bashkimit Europian. Rezultati zgjedhor në Austri dëshmoi se Europa bëhet më e mirë nëse forcohet dhe vjen në mazhorancë e djathta e qendrës!

Ky mesazh vlen edhe për Shqipërinë dhe Kosovën, ku e majta ka shkaktuar arratisjen e madhe të qytetarëve nga vendi i tyre dhe ka krijuar një simbiozë rrënuese me krimin, bandat e kriminelët!