Fisniku dhe dreka e pagabuar.

Nga Albert Avduli

Fillim i vitit 1998. Në fshatin Klos, Komuna Hekal, organizohej një takim përkujtimor. Kryetar i asaj komune historike ishte një emër shekullor, Rrapo Hamitaj Hekali. Po, e lexuat saktë, ishte ai, Rrapo Hekali dora vetë.
Pinjoll i derës së madhe e fisnike të hamitajve, stërnipi i kapedanit të viteve 1750, nip i Halim Hamitit të luftës së Vlorës.
Më erdhi një ditë në zyrë, në bashki e më thotë : “Kryetar, në filan datë, ora x, në Klos kemi organizuar aktivitetin. Ju pres detyrimisht dhe ju do të përshëndesni se janë banorët e disa fshatrave”.
Në raportet e mija informale me të, kishte një “paradoks” prindëror, ai më drejtohej me titullin kryetar, unë i flisja xhaxhi Rrapo. Isha shok me bijtë e tij dhe kjo formë komunikimi më dukej më e ngrohtë.
Shkurt dhe prerë i premtova se do të isha atje. E kush do t’i thoshte jo, kërkesës së Rrapo Hekalit. Arsyes dhe thirrjes së asaj dere i ishte përgjigjur Mallakastra në shekuj. Ishin rreshtuar mbas tyre për luftë, për liri, për jetë dhe vdekje, e jo më për të mbajtur fjalime si rasti im.
Autoritetin e atij themeli vetëm komunizmi e cënoi, e cënoi në letër e në denigrim, sepse nënvetëdija e mallakastriotëve e ruante nderimin për atë derë fisnike.
Në ditën e njoftuar u nisa për atje. Ballsh, Hekal, bri e rreth mureve historik të Bylisit Ilir dhe zbrita në Klos. Duhet shënuar se në këtë fshat është Nikaja e vjetër ose qyteza mëmë, që polli Bylisin shkëlqyes.
Aktiviteti filloi me përpikmëri në orën e caktuar sepse në Mallakastër sahati nuk është aksesor zbukurues. Fjala, data, ora, dekika duhen vlerësuar saktësisht sikurse janë lënë.
Midis qindra pjesëmarrësve nga fshatrat përreth, ishin dhe kryetar komunash, drejtor të enteve, kryetari i rrethit Servet Kalemi dhe prefekti i Fierit Platon Arapi.
Ishte mesditë dhe mbas takimit, i them prefektit se do rrinim për drekë diku pranë qytetit. Platoni ishte nga ata socialistë që i rrinte larg miqësisë së tavolinave e rakisë, por më tha po. Rrapo po diskutonte me një burrë të moshuar. Së bashku me prefektin dhe kryetarin e rrethit afrohemi për tu përshëndetur e ndarë.
Jo, na i preu shkurt, Xhevdeti paska pregatitur drekën në shtëpi, do të shkojmë atje.
Tani ishte miku, prefekti pra, që vendoste dhe ai me qetësi i drejtohet Zotnisë së moshuar, ne të falënderojmë shumë, por na duhet të ikim.
Xha Xhevdeti, mvrejtet dhe gati përgjigja: bukën time s’e lë dot njeri le të ketë grada sa të dojë.
As ti o Arap i Vlorës nuk ikën nga Klosi pa e pirë një gotë raki në sofrën e Xhevdet Veizit.
Platoni ishte vëllai i Farudin Arapit, mbikqyrësi i fondit të piramidave famëkeqe. Doktor Berisha e pati stigmatizuar si arapi i zi i Vlorës dhe thënia e mbiemrit në rastin konkret, paçka se ishte korrekte, pata frikë se mos e cënonte mikun.
Platoni qeshi me të madhe dhe ju drejtua zotit të shtëpisë, u tha, u bë, na pri. Kjo ishte dreka në shtëpinë e vjetër të xha Xhevdetit.
Ditët kishin dhe kanë rendin e tyre, ato vrapojnë dhe drekat harrohen, buka jo.
Drejtoria e urbanistikës, në morinë e problemeve që kishin qytetet tona kaotike, më sillte çdo ditë relacione për kioska që duheshin hequr, rrugë për t’u zhbllokuar, sheshe ndërtimi etj.
I përsëritur më vinte rasti i një barake druri, e cila duhej zhvendosur, më qartë duhej shkulur, por pronari i saj nuk u bindej shkresave që i dërgoheshin. Inxhinierët, prej dy muajsh kishin hasur vështirësi në atë komunikim dhe më argumentojnë se duhet të dilte urdhëri administrativ për ta hequr me forcën e policisë së shtetit.
Urdhër Administrativ, nr prot, dt…
Në mbështetje të ligjit 7652 dt 31.7.1992 për organizimin dhe funksionimin e pushtetit lokal, ligjit nr 7693 dt 06.4.1993 për urbanistikën, brenda dt aq etj, rrrrrrrrrrrrr shkresa.
Një ditë para afatit të ekzekutimit të urdhërit, më njoftojnë se në parazyrë kishte ardhur Xhevdet Veizi për t’më takuar. U çova menjëherë dhe dola, urdhëroni xha Xhevdet !
Si jeni, si ke kaluar, a do të pish kafe ? Jo mor djalë – më tha- nuk kam ardhë as për mall, as për kafe, por për hall.
Nga xhepi i xhaketës nxori një shkresë dhe ma la në dorë. Ishte urdhëri im dhe u preva në fytyrë e fjalë. Baraka ishte në emrin e birit të tij dhe në truall të lirë të cilin komisioni i kthimit të pronave jua kishte njohur si trashgimi, por pritej vendimi i gjykatës për ekzekutim faktik. Baraka ishte vendosur vetëm si shenjë që aty mos të gdhiheshin ndonjë palë themele gjatë netëve.
Urbanistët erdhën fytyrë prishur në zyrë dhe po sqaronin çdo detaj të atij problemi që në zanafillë. Mëk-mëk, ligji, shtojca, ankesa, distanca. Mos m’i paragjykoni specialistët, nuk kishte pazare dhe afera atëhere. Jo se ishim shenjtë neve, por koha ishte e ndershme. Fryma e korrektësisë e përcjell nga Doktor Berisha dhe kryeministri Meksi ende prevalonte mbi liberalizmin e Fatos Nanos.
Xha Xhevdet – ju drejtova- pse nuk ke ardhur më parë ?
Po si mund të vija or djalë, apo të kujtoja bukën e ta kapja në fyt…
Ajo bukë ishte tretur para 6 muajsh, problemi ishte krijuar 60 ditë më parë.
Fisniku !