Filmi “Zgjoi” pret nominimin për Oscar

Që nga premiera në Festivalin e Filmit Sundance, në janar 2021, prodhimi kosovar “Zgjoi” ka fituar plot 16 trofe. Deputimi i parë me metrazh të gjatë i Blerta Bashollit rrëfen historinë e të “Vejave të Krushës”.

 

Fahrija ngjitet fshehurazi në pjesën e pasme të një kamioni të Kombeve të Bashkuara, vjedhurazi hap me nxitim një thes të bardhë, në to janë mbetjet e trupave te gjetur në një varrezë masive. Nuk është kundërmimi që e ndërpret kërkimin e saj, por një punonjës i OKB-së që e lut të zbresë nga automjeti.

Fahrija kërkon të shoqin, të vrarë në luftën e Kosovës, menjëherë pas bombardimeve. Ajo është personazhi kryesor i filmit kosovar “Zgjoi” (anglisht: Hive), një ndër 15 filmat e përzgjedhur në listën e ngushtë për një Oscar në kategorinë e filmit më të mirë ndërkombëtar. Fahrije Hoti është personazh real: Ajo është një nga 140 gratë e Krushës së Madhe, që mbetën të veja gjatë një sulmi hakmarrës të ushtrisë serbe menjëherë pas fillimit të bombardimeve të NATO-s, në mars 1999. 63 prej 241 viktimave të atëhershme nuk janë gjetur ende.

Një film për Fahrijen

Në Kosovë, 53-vjeçarja Fahrije Hoti, tashmë njihet si heroinë, si themeluese e kooperativës “Krusha”, falë së cilës kanë siguruar jetesën shumë gra nga Krusha. Ajvari që prodhojnë ato shitet në të gjithë Kosovën – dhe në ndërkohë edhe në Gjermani dhe Zvicër. “Fillimisht doja të bëja një film për kooperativën, por kur takova Fahrije Hotin, kuptova se filmi duhej të ishte për të”, thotë për DW regjisorja Blerta Basholli. “U mahnita nga personaliteti i saj, mënyra se si fliste, vizioni i saj për biznesin dhe origjinaliteti i saj në tejkalimin e çdo sfide. Ajo është një superheroinë për mua.”

Film I The Hive I Fahrije Hoti
Fahrije Hoti nga Krusha e Madhe, themeluesja e kooperativës “Krusha”

Në gati 90 minutat e filmit, kamera qëndron pranë protagonistes. Aktorja shqiptare, Yllka Gashi, e cila luan Fahrijen me ndjeshmëri zbulon një grua të re, të fortë nga jashtë, por të brishtë nga brenda, që luftën më të madhe e ka me thashethemet dhe përbuzjen e shoqërisë patriarkale të fshatit, që një grua si ajo e quante “kurvë”.

Dashuri e hershme për filmat

Disa skena të filmit të kujtojnë filmat western – vetëm se nuk është John Wayne ai që lidh kalin para pijetores së fshatit dhe tërheq vëmendjen e të gjithëve, por Fahrija që zbret nga makina që e nget vetë. Një gur fluturon pranë saj, xhami i makinës thyhet. Filmat western ishin filmat e preferuar të regjisores Basholli kur ajo ishte fëmijë. I shihte me të atin: “Atij i pëlqenin këto filma, sepse kishin pamje shumë ekspresive dhe pak fjalë”, kujton 39-vjeçarja në një intervistë për DW. “Kështu e shijonte filmin më mirë, pa e shkëputur vëmendjen për të lexuar titrat.”

Në vitin 2001, në moshën 18-vjeçare, Basholli regjistrohet në Akademinë e Filmit në Prishtinë. Filmdashësve ua tërhoqi vëmendjen për herë të parë pesë vjet më vonë, me filmin e shkurtër dokumentar, “Pasqyrë, pasqyrë”, – një vështrim kritik mbi imazhin e seksualizuar të gruas në programet televizive në Kosovën e pasluftës. Më pas, në vitin 2011, komedia e shkurtër filmike, “Lena dhe unë” u nderua me një çmim në Festivalin e Parë në Nju Jork.

Regisseurin I Blerta Basholli
Regjisorja dhe skenaristja Blerta Basholli në Festivalin e Filmit në Cyrih në shtator 2021

“Zgjoi” është filmi i parë artistik i Bashollit. Krahas Kosovës, në të kanë marrë pjesë edhe Zvicra, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Që nga premiera botërore, në janar 2021, në Festivalin e Filmit Sundance, “Zgjoi” ka fituar 16 trofe. Ai është i vetmi film nga Ballkani Perëndimor i përzgjedhur në listën e ngushtë për çmimin më të rëndësishëm kinematogragik, Oscar.

Refuzimi i rolit të viktimës

Basholli qëllimisht ka lënë jashtë shumë skena që i kanë ndodhur Fahrijes së vërtetë gjatë luftës: nuk rrëfen se çfarë ndodhi me gratë që i çuan në xhami, apo se si një ushtar serb ia shkundi djalin tremuajsh para se t’i merrte paratë dhe ta lejonte të vazhdonte rrugën e arratisjes për Shqipëri. Regjisorja Blerta Basholli nuk donte të portretizonte Fahrijen, si viktimë të luftës, por forcën e saj të brendshme.

Film Hive von Blerta Basholli
Skenë nga filmi: Të vejat e Krushës shesin stolitë e fundit që ju kanë mbetur për të ngritur kooperativën

“Fahrija u kthye në fshatin e saj me dy fëmijë të vegjël dhe gjeti një shtëpi të shkatërruar dhe duhej të gjente një burim të ardhurash. Ajo i kishte të gjithë burrat e fshatit kundër saj dhe forca e saj më motivoi shumë për ta përfunduar këtë film me gjithë vështirësitë e shumta”, thotë Basholli, e cila edhe vetë është nënë e dy fëmijëve. “Fahrjia nuk u dorëzua, edhe ti do ta mbarosh këtë film, i thosha vetes.

Model për brezat e bijave

Për Kosovën përzgjedhja e një produksioni kosovar në listën e ngushtë për çmimin Oscar është arsye e mjaftueshme për të festuar. “Fahrije përfaqëson breza të tëra nënash dhe gjyshesh që kanë vuajtur gjatë luftërave, kanë përjetuar përdhunime, janë ndeshur me paragjykime, dhe prapë janë ngritur në këmbë dhe kanë punuar për t’u siguruar të ardhmen fëmijëve të tyre”, thotë Basholli, e cila gjatë Luftës ishte për një kohë të shkurtër refugjate në Gjermani. “Në Gjermani ato i quajnë ‘gratë e rrënojave’”.

Film I HIVE von Blerta Basholli
“Yllka Gashi, Fahrije Hoti dhe Blerta Basholli në Festivalin e Filmit në Cyrih në shtator 2021

 

Në Kosovë këto gra kanë mbrujtur një brez të tërë vajzash që nuk mjaftohen më vetëm me rolin e amvisës së paracaktuar nga shoqëria, por janë të suksesshme në politikë, art, sport, si Vjosa Osmani, Dua Lipa, Majlinda Kelmendi. Tani Kosova pret nga Akademia e Çmimeve që këtë vit të nderojë edhe një model tjetër për brezat e ardhshëm të grave: Blerta Bashollin.