FANTAZMA E LUFTES CIVILE NUK I SHERBEN SHQIPERISE

 

Nga Arben Tafaj

Qielli mbi bulevardin Deshmorët e Kombit prej ditësh është mbushur me portrete, që përkujtojnë afrimin e datës 29 nëntor. Disa prej këtyre fotove u përkasin të vrarëve në betejën e pushtimit të vendit me 1945 nga komunistët e Enver Hoxhës dhe marrjes me dhunë të cdo pushteti prej tij.

Prej javësh qeveria u ka bërë thirrje drejtorive arsimore që të përgatisin koncerte me këngë partizane dhe konkurse me temë nga Lufta e Dytë Botërore që partia socialiste me fanatizëm e thërret Nacional Clirimtare. Kjo ringritje e imazhit të partisë komuniste dhe mirënjohje historike e modelit të saj nuk është një event i rastësishëm i protokollit shtetëror.

Në fakt Edi Rama ka spikatur ka kohë për prirjet e tij enveriste: në fillim ai ishte antikomunisti histerik që imitonte Enverin për të rrëzuar Enverin.

Pastaj rikthimi i tij në krye të bashkisë së Tiranës shënoi fillimin e një procesi selektiv të zhvillimit urban, ku Blloku ish-komunist u bë epiqendra e jetës në qytet dhe pika më e promovuar e Shqipërisë. Jo rastësisht një banesë në bllok e blerë me të njëjtën vlerë sa një banesë qëndrore në rrugën e Kavajës, të Durrësit apo të Dibrës në Tiranë – kushton sot dy deri në tre herë më shtrenjtë. Në këtë mënyrë oficerët besnikë të regjimit që jetonin pranë udhëheqjes së dikurshme mund të kishin shumë më tepër të ardhura nga e njëjta pronë dhe pikë starti me qytetarët e tjerë.

Gjithashtu cilido biznes në Bllok kushton sot dy herë më shumë – falë teknologjisë politike dhe administrative mbi territorin të enverofilit që qeverisi bashkinë e Tiranës për 11 vite.

Në pozitën e kryeministrit Edi Rama ishte edhe më i drejtpërdrejtë në deklarimin e faktit se kë adhuron: gjysma e madhe e qeverisë së tij dhe shumë prej drejtorëve të rëndësishëm janë familjarë të afërt me dikë që dikur sundonte Shqipërinë ideologjikisht, dhe përmes dhunës politike të shtetit diktatorial. Zinxhiri i mbiemrave të qeverisë ndonjëherë të bën të besosh se befas je zgjuar në vitin 1969 dhe viti 2019 do ende 50 vjet për të ardhur.

Enverizmi si model sjelljeje ka bërë që prej të gjithë socialistëve që dikur mbështetën ikjen e Nanos dhe ardhjen e Ramës në krye të PS-së, vetëm Gramoz Ruci t’i mbijetojë spastrimit.

Pasardhës në krye të PS i një njeriu që fliste majtas e qeveriste djathtas – duke mbetur krejt neutral në lidhje me orientimet ideologjike – Edi Rama po riciklon me qëllim një frymë vëllavrasëse në vend – për të prodhuar polarizim të shoqërisë dhe për të sunduar mbi ata që mendon se mundet ende të përcajë. Ringjallja e fantazmës së Luftës së Dytë dhe i hendeqeve ideologjike që ndanë shqiptarët për 45 vite sundim komunist nuk i shërben as vendit, as paqes sociale të tij.

Natyrisht nuk është faji i Ramës pse dekomunistizimi i vendit nuk ndodhi as de jure, as de facto. Ne patëm ligjin më të padenjë të lustracionit dhe atë e zbatuam paturpësisht keq. Dënimi formal i enverizmit u bë barceletë nga gjyqi për kafe i Nexhmijes në 1993 e deri tek pankartat me foton e diktatorit që kryeministri Meta lejoi në vitet 2000 t’i ngrihen përballë, në eventet përkujtimore që Rama i organizoi atij në Pezë.

Teoria e dënimit të Enverit si njeri por jo e regjimit të tij si sistem (duke përfshirë zbatuesit e tij të zellshëm) – kanë krijuar atë hendek moral brenda të cilit shoqëria shqiptare, nëse bie, do të gjejë vetëm elementët e një lufte civile të lënë hapur. Edhe nëse kjo luftë civile mbetet në nivelin e fjalëve ajo do të prodhojë mjaftueshëm konflikte, polarizim politik, skajshmëri sjelljesh dhe një betejë palësh që do të deformojë normalitetin e cdo gare zgjedhore dhe cdo process normal qeverisjeje.

Ruajtja e perceptimit se gjysma e popullsisë është në luftë me gjysmën tjetër nuk i shërben vendit. Legjitimimi i këtij perceptimi është kriminal dhe i dënueshëm.

Nëse Edi Rama beson se kjo i sjell vota nostalgjikësh dhe i prodhon kohezion ideologjik në mbështetjen publike – atëherë ai i ka bërë llogaritë gabim. Përgjigja që mund të marrë mund ta surprizojë rëndë.

Nëse ky provokim filo-enverist publik po bëhet për diversion tematik – për ta cuar debatin qytetar larg dështimeve të qeverisë së tij – ai përsëri ka bërë zgjedhjen e gabuar. NJerëzit nuk cohen në luftë meqë nuk ke bukë t’ju japësh.

Kur Berisha kryeministër kishte ndonjë patate të nxehtë në dorë dhe donte të shfokusonte vëmendjen publike, ai thërriste në takim shoqatën e LGBT dhe publiku përfshihej në debate krejt periferike – duke harruar thelbin.

Ndoshta Rama mund të adoptojë një arsyetim të ngjashëm… Le të konsultohet njëherë me bashkëpunëtorët e ngushtë…

Por ndërtimi i një narrative luftënxitëse – aq më tepër ideologjike dhe deri më sot të padënuar- mund të shndërrohet jo vetëm në një fatkeqsi për gjithë shqiptarët, por së pari edhe për vetë z. Rama.

Lufta e Dytë Botërore ka mbaruar.