FAMILJARËT E TË PUSHKATUARVE NGA DIKTATURA KOMUNISTE : “ARMIQ” NË DIKTATURË, TË DISKRIMINUAR NË “DEMOKRACI”

Nga Ndoc Çulaj

Tashmë është fakt i njohur se dhuna komuniste ndaj popullsisë shqiptare qe më e ashpër se në të gjitha vendet komuniste të Europës lindore. Një popull i tërë “ u burgos ” mbrënda një territori të rrethuar me tela me gjëmba ! Një populli të tërë ju bë “ lavazh i trurit ”. Thelbi i “ lavazhit” ishte ‘ lufta imorale e klasave’ që ushqente urrejtje për këdo që mendonte ndryshe dhe ngulitja e bindjes se Shqipëria ishte vendi “më i lumtur në botë” etj.!
Në vorbullën e dhunës enveriste gjate 46 viteve të diktaturës, familjarët e të pushkatuarve politikë ishin ato që e vuajtën më së tepermi ‘ luften e klasave’ duke u etiketuar si “armiq të rezikshëm të pushtetit popullor”. Gjë që vinte nga dy motive; intuiten e ligjshme të makinerisë shtypse të diktaturës se shqiptarët mbartnin në genet e tyre “ thirrjen për të shpaguar gjakun e humbur të familjarëve” dhe sipas kësaj logjike familjarët e të pushkatuarve ishin, dhe do të ishin gjithënjë në armiqësi me pushtetin popullor dhe e dyta, përjetohej një opinion i ngulitur në ndërgjegjen e shoqërisë shqiptare që vinte nga arsyetimi i thjeshte se ‘ dënimi më i madh ishte për armikun më të madh’ , pra ato familje që kishin pjestarë të dënuar maksimalisht ( dënim kapital ) përfaqësonin armikun më të rezikshëm të pushtetit dhe si të tillë duheshin trajtuar dhe luftuar.
Sipas këndvështrimit të mësipërm, duke konsideruar rastin që kryetari i familjes ishte pushkatuar si armik dhe ishte “zhdukur”, pasi edhe varri ishte sekret shtetëror!, armiq të diktaturës mbeteshin direkt familjarët, kurse në rastin e të burgosurve politikë vëmendja përqëndrohej kryesisht tek armiku që ishte në burg i cili do të “ edukohej ”… Dëshiroj të theksoj se çdo ndryshim në trajtimin e familjarëve të të pushkatuarve me ato të të burgosurve politkë mbetet në sensin relativ, pasi edhe këto të dytët kanë provuar “ të zezat e ullirit” në kohën e diktaturës.
Përveç trajtimit si “armiq të deklaruar” nga ana e diktaturës, familjarët e të pushkatuarve edhe nga ana morale dhe njërëzore ishin më të vuajturit; nëna pa bij, gra pa burra, femijë pa baba, familje pa shpresë që nuk mund te vendosnin së paku një lule në varrin e njerëzve të tyre më të dashur pasi ato ishin “ zhdukur “ nga diktatura…!
Pas vetëshembjes së diktaturës komuniste, të “prekurit” nga lufta e klasave nuk u konsideruan më “ klasë armike ”, por morën si “nderim” parashtesën ‘ish’ duke u quajtur ‘ish të përndjekurit politikë ’. Ajo qe vlenë për tu shënuar është se edhe në periudhën post komuniste ( viti 1991 e prapa ), familjarët e të pushkatuarve nuk u trajtuan ashtu siç duhej, por u gjënden të diskriminuar nga ligjet që u dekretuan. Kujtojmë ligjin i cili i jepte te drejtë, të burgosurve politikë të përfitonin letra me vlerë ( në proporcion me vitet e burgut) te cilat do të mund ti përdornin në privatizimin e ekonomisë së vogël dhe te mesme duke u konsideruar ‘përfituesi i parë’ ( edhe para pronarit të truallit), kurse familjarët e të pushkatuarve u harruan fare, këto u përjashtuan nga përfitimi i letrave me vlerë dhe njëkohësisht nga mundësia për të marre pjesë në privatizimin e ekonomisë shtetërore !!! Kurrë nuk e kuptuam pse u bë ky dikriminim ?!
Në fund të vitit 1995 familjarët e të pushkatuarve të Rrethit Shkodër protestuan për diskriminimin e mësipërm dhe kërkuan përfitimin e letrave me vlerë, si rezultat pushteti i asaj kohe i dha çdo të pushkatuari ekuivalentin e letrave me vlerë për 8 ( tetë) vite burg politik !!! Përsëri një diskriminim skandaloz! Mendoni, krahasohej jeta e humbur me të gjitha pasojat familjare e një të pushkatuari që ishte dënuar me vendim kapital ( më i larti që egzistonte) me dënimin më të lehtë politik atë të agjitacion dhe propogandës! Pa drejtësi evidente! Për më tepër, edhe ato letra me vlerë që morën familjarët e të pushkatuarve u transformuan në ‘letra pa vlerë’ sepse në fund të vitit 1995, prioritar në privatizimet e ekonomisë shtetërore, sipas ligjit të ndryshuar, ishte pronari i trulli, dhe jo ‘ ish i përndjekuri politik ’.
Pas vitit 2005, me ardhjen në pushtet të P.D. u dekretua nga parlamenti ligji mbi dëmshpërblimin e ‘ish të përndjekurve politikë’, por përsëri mbeti në fuqi padrejtësia e mësipërme, pra jeta dhe gjaku i të pushkatuarit vazhdoi të vlerësohej me 8 ( tetë) vite burg politik, equivalente me dënimin më të lehtë politik! Veprim që dëshmon mungesën e sensibilitetit të deputetëve që e aprovuan, por përgjegjësia më madh i mbetet atyre deputetëve që vinin nga shtresa e ish të përndjekurve politikë dhe një herë të vetme nuk e ngritën zërin kundër kësaj padrejtësie dhe diskriminimi !
Me ardhjen në pushtet të socialistëve, filluan modifikimet e ligjit mbi dëmshpërblimin e ‘ ish të përndjekurve politikë ‘; duke vlerësuar anën humane të ligjit u konsideruan prioritar për marrjen e kësteve, ato të burgosur politikë që janë ende gjallë, shumë mirë bënë, por me që u trajtua marrja e kësteve të dëmshpërblimit sipas prioriteteve del pyetja, cili do të jetë prioriteti i trajtimit të ‘ trashëgimtarëve të të pushkatuarve’ ? Jemi të mendimit, dhe kjo është evidente, se për të gjitha arësyet e argumentuara në këtë shkrim si dhe për faktin tragjik që kemi të bëjmë me “ vrasje – zhdukje” të personave të mbetur edhe pa varr etj., pra duke vlerësuar përsëri anën humane, ‘ trashëgimtarët e të pushkatuarve ‘ e kanë të fituar të drejten morale që të konsiderohen prioritar në trajtimin e tyre.
E përfundojmë këtë shkrim me thirrjen drejtuar organeve përgjegjëse të Pushtetit Qëndror dhe Ligjvënësve të Parlamentit Shqiptar dhe në mënyrë të veçantë Deputetëve që janë me origjinë nga shtresa e ‘ish të përndjekurve politikë’ që të ndërmarrin iniciativën për ti dhënë fund diskriminimit të ‘trashëgimtarëve të të pushkatuarve’. Kërkojmë që të trajtohen me prioritet dhe të rishikohet me drejtësi masa e dëmshpërblimit! ( Është krejtësisht i padrejtë dëmshpërblimi me ekuivalentin e 8 ( tetë) viteve burg politik)!
Mbetet në nderin e të gjithë atyre që posedojnë kompetencat ligjore që gabimin e bërë në ligj vite më parë ta korigjojnë.